Ambasada e SHBA-ve:Nuk pati raportime për abuzime të lirisë së fesë

572
Sigal

Qeveria amerikane, nëpërmjet ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, bën publike  raportin vjetor  për lirinë Ndërkombëtare të fesë për 2013-n

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë bëri publike raportin vjetor  të 2012-s të qeverisë amerikane për liritë ndërkombëtare të fesë, ku për Shqipërinë, shkruhet se nuk ka patur raportime për abuzime të lirisë së fesë, por evidenton problemet që kanë të bëjnë me pronësimet. Kushtetuta dhe ligje e politika të tjera e mbrojnë lirinë e fesë dhe, në praktikë, qeveria përgjithësisht e respektoi lirinë e fesë. Qeveria vazhdoi të trajtonte pretendime nga grupet fetare për kthimin ose kompensimin e pronave të shtetëzuara gjatë epokës së mëparshme komuniste; megjithatë, shumë prej pretendimeve për pronat mbetën të pazgjidhura. Gjatë vitit, prirja në respektimin nga qeveria të lirisë së fesë nuk ndryshoi në mënyrë domethënëse. Nuk pati raportime për abuzim apo diskriminim nga shoqëria mbi bazën e përkatësisë fetare, besimit, apo praktikës fetare. Zyrtarë të ambasadës së SHBA-ve u takuan rregullisht me udhëheqës të qeverisë dhe ata fetarë për të diskutuar çështje të lirisë së fesë ngritur nga qytetarë, media dhe grupet fetare, përfshi rëndësinë e rikthimit të pronave fetare të konfiskuara gjatë kohës së komunizmit. Ambasada organizoi aktivitete për të promovuar lirinë e fesë, si për shembull iftare, tryeza të rrumbullakëta mbi lirinë e fesë, si dhe dialogun mes besimeve.

Seksioni I. Demografia Fetare

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, popullsia përbëhet nga 2.8 milionë banorë. Është e vështirë të vlerësohen përmasat e grupeve fetare sepse afro 20 për qind e të intervistuarve refuzuan t’i përgjigjeshin pyetjeve opsionale të regjistrimit mbi përkatësinë fetare. Një numër udhëheqësish fetarë i sfiduan rezultatet e regjistrimit. Sipas regjistrimit, myslimanët sunitë përbëjnë afro 57 për qind të popullsisë, katolikët romanë 10 për qind, të krishterët ortodoksë (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë) afro 7 për qind dhe bektashinjtë (një formë e sufizmit shiit) 2 për qind. Grupe të tjera përfshijnë Bahait, Dëshmitarët e Jehovait, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditës së Shtatë (mormonët).  Komiteti Shtetëror për Kultet raporton mbi 230 grupe, organizata, fondacione, dhe institucione fetare që kryejnë aktivitetin e tyre në vend.

Seksioni II. Statusi i Respektimit të Lirisë Fetare nga Qeveria

Kushtetuta dhe të tjera ligje e politika e mbrojnë lirinë e fesë.

Me ligj, vendi është shekullar. Sipas kushtetutës, nuk ka ndonjë fe zyrtare dhe të gjitha fetë janë të barabarta; megjithatë, komunitetet e myslimanëve sunitë, bektashinjve, ortodoksëve dhe katolikëve gëzojnë një shkallë më të lartë njohjeje dhe statusi social mbi bazën e pranisë së tyre historike në vend. Sipas Ministrisë së Arsimit, shkollat publike janë shekullare dhe ligji ndalon indoktrinimin ideologjik e fetar. Feja nuk jepet si mësim në shkollat publike. Sipas shifrave zyrtare, grupet, organizatat, dhe fondacionet fetare kanë 135 shoqata e fondacione të lidhura me to që administrojnë 102 institucione arsimore. Me ligj, Ministria e Arsimit duhet t’i licencojë këto shkolla dhe programi mësimor duhet të përputhet me standardet kombëtare të arsimit. Grupet katolike dhe myslimane administrojnë shumë shkolla të licencuara nga shteti. Kisha Ortodokse administron shkolla fetare dhe një universitet. Qeveria respekton festat e mëposhtme fetare si festa kombëtare: Nevruz (festuar nga komuniteti bektashi), Pashkët (katolikët dhe ortodoksët), Bajramin e Madh (Eid al-Fitr), Bajramin e Vogël ( (Eid al-Adha), dhe Krishtlindjet.

Praktika e Qeverisë

Nuk pati raportime për abuzime të lirisë së fesë. Qeveria vazhdoi të trajtonte pretendimet nga grupet fetare lidhur me kthimin ose kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë kohës së komunizmit; megjithatë, shumë pretendime pronësore mbetën të pazgjidhura. Një numër udhëheqësish fetarë sfiduan rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, duke pretenduar që zyrtarët e regjistrimit nuk kishin vizituar kurrë një numër të madh të besimtarëve të tyre. Gjithashtu, çoroditja lidhur me pasojat e vetë-identifikimit etnik dhe fetar mund të ketë bërë që shumë të intervistuar të mos e identifikonin përkatësinë e tyre fetare. Për shembull, grupet e pakicës etnike greke nxitën anëtarët e tyre ta bojkotonin regjistrimin, çka ndikonte në matjen e pakicës etnike greke dhe të Kishës Ortodokse Greke.

Seksioni III. Statusi i Respektimit të Lirisë së Fesë nga Shoqëria

Nuk pati raportime për abuzim apo diskriminim nga shoqëria mbi bazën e përkatësisë, besimit, apo praktikës fetare.

Seksioni IV. Politika e Qeverisë së SHBA

Zyrtarë të ambasadës së SHBA-ve vazhduan të nxisnin qeverinë që të trajtonte pretendimet për pronat fetare dhe t’iu kthente grupeve fetare ndërtesat, tokat dhe të tjera prona konfiskuar gjatë kohës së komunizmit. Ambasadori dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës angazhuan udhëheqësit fetarë dhe anëtarët e komuniteteve në aktivitete të tilla si iftarë dhe tryeza që promovonin tolerancën fetare. Ambasada po ashtu organizoi shumë aktivitete anembanë vendit për të promovuar lirinë dhe tolerancën fetare, përfshi vizita në medrese, shkolla publike të mesme, si dhe institucione të tjera arsimore. Ambasada sponsorizoi një program ku studentët në disa institucione arsimore fetare planifikuan dhe zbatuan projekte komunitare, përfshi disa që përqendroheshin tek nxitja e tolerancës. Zyrtarë të SHBA vizituan kisha, xhami e objekte fetare gjatë gjithë vitit për të shënuar praktika dhe festa fetare.

Në mars, ambasadori organizoi një dialog mes feve me të dërguarën e posaçme të SHBA për monitorimin dhe luftën kundër anti-semitizmit, përfaqësuesen e posaçme të SHBA-ve për komunitetet myslimane, si dhe udhëheqësit myslimanë, bektashinj, katolikë, ortodoksë dhe të krishterë ungjillorë. Gjatë takimit, udhëheqësit fetarë shprehën mbështetje për njëri- tjetrin dhe komunitetet e tyre si dhe pohuan që faktorët historikë çonin në harmoninë jetëgjatë ndërfetare.