Lista e plotë me fituesit e Universiteteve

Shpallen fituesit në Ekonomik, Juridik, Shkenca Sociale, Gjuhët e Huaja dhe Sporte

Universiteti i Tiranës nis publikimin e renditjes së maturantëve, të cilët do të fillojnë regjistrimet më 29 gusht. Këshillat e dekanëve Dhori Kule e Artan Hoxha

Fakulteti i Ekonomisë, ai Juridik, Shkencave Sociale dhe Gjuhët e Huaja të Universitetit të Tiranës kanë shpallur listën e fituesve në këtë fazë të parë. Gjithashtu, edhe Universiteti i Sporteve ka bërë dje publikimin e listës. Dekanët respektivë kërkuan të qetësojnë kandidatët për studentë, duke deklaruar se gjatë gjithë kohës stafet drejtuese të fakulteteve do të jenë në gatishmëri. Pasi shpallen fitues, të rinjtë duhet të regjistrohen në programin përkatës, ndërsa zbritja e vijës së kuqe që është pragu i hyrjes, ndahet në 7 faza dyditore secila. 

“Janë të gjitha mundësitë që t’u vijë radha, të paktën ata që do të jenë me mesatare mbi 7.5 në Fakultetin e Ekonomisë, të rrinë të presin pa u trembur, sepse do të bëhen studentë të Fakultetin tonë”, tha dekani Dhori Kule për personat që figurojnë poshtë vijës së kuqe. Ndërkohë Artan Hoxha, dekan i Juridikut, tha se studenti i Juridikut vjen dhe regjistrohet në fakultet vetëm në degë e jo në disa degë sikurse ka Ekonomiku, Shkencat Sociale, Gjuhët e Huaja apo fakultetet e tjera. Për secilin nga fakultetet ka degë të përzgjedhura më masivisht nga kandidatët për studentë. Dekanët publikuan gjithashtu edhe kuotat boshe që pritet të plotësohen në fazat pasardhëse. “Sikur të gjithë të regjistrohen fituesit e shpallur mbeten rreth 400 vende bosh. Të gjithë ata kur të fillojë regjistrimi në datën 29 gusht, meqenëse procedurat janë 48-orëshe, nuk duhet të shqetësohen, nuk duhet t’i kapë paniku se u iku radha dhe shkojnë të regjistrohen atje ku nuk e kanë dëshirë të parë të tyren”, tha Kule. Ndërsa dekani Hoxha tha nëse sivjet do të regjistronim 400 studentë, gjithsesi mbeten rreth 300-350 kuota të paplotësuara.

I gjithë procesi i regjistrimeve, çregjistrimeve dhe uljes së vijës së kuqe, që është edhe pragu, përbëhet nga 7 faza dyditore. Fakultetet e tjera pritet që listën e fituesve ta shpallin ditën e hënë në datën 28 gusht, për të nisur regjistrimet në datën 29 gusht.