Sigal

Qendra e Shërbimeve Arsimore u kujton mësuesve të rinj kriteret që duhet të përmbushin përpara se të testohen.

Konkretisht bëhet fjalë për diplomat e të dyja cikleve të studimeve, dokumentin e mbrojtjes së gjuhës së huaj, e cila duhet të jetë në listën e dokumenteve edhe në mungesë të kartonit të diplomës, e sigurisht mosmarrja me vete e aparatëve celularë.

Ndërsa atyre që nuk paraqiten në provim, do t’u kthehet mbrapsht tarifa e paguar. Me të, ata nuk do të futen dot as në sezonin e radhës.

Këto janë disa nga rregullat që duhet të dinë mësuesit që sapo kanë përfunduar studimet bachelor, master e praktikën e detyrueshme profesionale 1- vjeçare, dhe presin të futen në provimin e shtetit për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit.

Qendra e Shërbimeve Arsimore po mbledh databazën e mësuesve që do të testohen, për të hartuar një plan me datat dhe orën e provimeve.

Deri më tani ka vetëm një njoftim, që thotë se ato do të nisin në javën e tretë të shtatorit.

Dokumentet përkatëse që duhen për t’u futur në provim;

Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal);

Kopje të Kartës ID ose Pasaportë

Faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA, nga një bankë të nivelit të dytë/ postë, sipas herës së pjesëmarrjes

Kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MAS, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit.

Kandidatët të cilët nuk janë pajisur me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.