Dëftesa e Lirimit të Arsimit 8-vjeçar, nuk njihet për të vazhduar gjimnazin me kohë të pjesshme

1416
Sigal

Për çfarë do të shërbejnë provimet e klasës së nëntë, ja ndërtimi strukturor për arsimin 8-vjeçar dhe atë 9-vjeçar

 

Asije Hoxha

 

 Programet dhe tekstet shkollore kanë një ndërtim të njëjtë strukturor si për arsimin 8-vjeçar dhe atë 9-vjeçar: të dyja ndërtohen me të njëjtat kompetenca të fushës vetëm me një ndryshim të formulimit, por me përmbajtje të njëjtë.

 

Në gazetën “Republika”, datë 28 gusht 2013, Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikon udhëzimin e ri në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjit 69/2012, datë 21.06. 2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë dhe përcakton se gjimnazi me kohë të pjesshme zgjat katër vite mësimore (klasa e dhjetë-trembëdhjetë) dhe funksionon tre ditë në javë me nga pesë orë në ditë”.

Ndryshimi i strukturës shkollore, duke filluar nga viti 2005 me Altertekstin (tekste alternative) nga Arsimi 8-vjeçar në Arsimin 9-vjeçar të ndarë sipas viteve: Klasa 1-9 Arsimi bazë; Klasa 10-12 Arsimi i mesëm, sipas Ministrisë lindi domosdoshmërinë e procedurave të reja regjistrimi për në shkollë të mesme.

Sipas udhëzimit të Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës kanë të drejtë të regjistrohen në gjimnaz me kohë të pjesshme:

  1. Nxënësit, që kanë Dëftesën e Lirimit të Arsimit 9-vjeçar të fituar brenda vendit ose një dëftesë të njëvlershme të fituar jashtë vendit.
  2. Nxënësit, që kanë Dëftesën e Lirimit të Arsimit 8-vjeçar të fituar brenda vendit ose një dëftesë të njëvlershme të fituar jashtë vendit, mbasi jep provimet e plotësimit të klasës së nëntë për gjashtë lëndë: Gjuhë shqipe, Matematikë, Biologji, Fizikë, Gjeografi, Kimi.

Dëftesa e Lirimit të Arsimit 8-vjeçar, deri para daljes së këtij udhëzimi (2012), ka qenë e vlefshme për t’u regjistruar në gjimnaz me kohë të pjesshme!

Udhëzimi është një marramendje e autorëve:

Së pari: Udhëzimi a mund të shfuqizojë një ligj, ku është miratuar Arsimi 8-vjeçar si shkollë e unifikuar, e detyruar për të gjithë nxënësit dhe përfunduar me Dëftesë Lirimi?

Së dyti: “Dëftesa e Lirimit” për Arsimin 8-vjeçar është e vulosur dhe firmosur nga drejtoria e shkollës, e cila përmban: Notat përfundimtare të lëndëve zhvilluar gjatë vitit shkollor; notat e provimeve të lirimit në lëndën “Gjuhë shqipe me gojë dhe hartim” dhe në lëndën “Matematikë me gojë dhe me shkrim”; karakteristika të sjelljes dhe normave etike për çdo nxënës. Me plotësimin përfundimtar të Dëftesës së Lirimit, me firmë dhe me vulë nga drejtoria e shkollës, arshivohet në amzën e shkollës.

Së treti: Dëftesa e Lirimit të Arsimit 8-vjeçar, deri para daljes së këtij udhëzimi (2012) ka qenë e vlershme për t’u regjistruar në gjimnaz me kohë të pjesshme!

Së katërti: Kur u bë kalimi i sistemit arsimor nga Arsimi 7-vjeçar në atë 8-vjeçar në gjimnaze me kohë të pjesshme regjistroheshin edhe nxënës, pa provime paraprake të disa lëndëve, që zhvilloheshin në klasën e tetë. Arsimi 7-vjeçar konsiderohej një cikël i mbyllur. Gjithashtu edhe nxënësit që kishin mbaruar Arsimin 7-vjeçar kishin të drejtë regjistrimi pa kushte paraprake, madje edhe në Universitet!

Për të argumentuar pavlershmërinë e këtij udhëzimi shfletojmë dhe analizojmë:

“Gjuha Shqipe” Arsimi 8-vjeçar

“Gjuha Shqipe” Arsimi 9-vjeçar

 

  1. Në Arsimin 8- vjeçar gjuha shqipe është mësuar me dy tekste. “Gjuha shqipe”(mesatarisht 200 faqe) dhe Leximi letrar (mesatarisht 220 faqe). Ndërsa gjuha shqipe në Arsimin 9-vjeçar vazhdon të mësohet e alternuar me leximin letrar titulluar “Gjuha shqipe” (mesatarisht 250 faqe, të dyja lëndët). Duke u nisur nga volumi i teksteve, të lind mendimi se dy sistemet arsimore 8-vjeçar dhe 9-vjeçar kanë plotësuar marrjen e njohurive të plota në përshtatje me moshën e nxënësve, dhe në zbatim të shqipes standarde, që është boshti themelor për rritjen intelektuale, shoqërore, estetike dhe emocionale të nxënësve.
  2. Programet dhe tekstet shkollore kanë një ndërtim të njëjtë strukturor, si për arsimin 8-vjeçar dhe atë 9-vjeçar: të dyja ndërtohen me të njëjtat kompetenca të fushës, vetëm me një ndryshim të formulimit, por me përmbajtje të njëjtë. Gjuhë e folur- Të dëgjuarit dhe të folurit,/ Gjuhë e shkruar- Të shkruarit, /Gramatikë dhe Drejtshkrim- Përdorimi i drejtë i gjuhës dhe drejtshkrim/, Leximi letrar – Të lexuarit/. Kjo është e pranishme dhe në tema mësimore në njërin tekst lexojmë: Fjalitë me një gjymtyrë kryesore të shprehur me folje – ndërsa në librin tjetër lexojmë: Fjalitë njëkryegjymtyrëshe foljore .
  3. Të gjitha fjalët e gjuhës shqipe sipas veçorive të përbashkëta leksikore dhe morfologjike grupohen nëpër klasa a kategori leksiko-gramatikore që quhen pjesë të ligjëratës. Në gjuhën shqipe dallohen 10 pjesë të ligjëratës të emërtuara: Emri, Mbiemri, Folja, Përemri, Parafjala, Numërori, Pjesëza, Pasthirrma, Ndajfolja, Lidhëza. Të gjitha tekstet e gjuhës shqipe si ato të Arsimit 8-vjeçar dhe ato të Arsimit 9-vjeçar, japin njohuri të mjaftueshme për klasat e fjalëve në përshtatje të moshës së nxënësve. Nxënësi kur ka mbaruar Arsimin 8 vjeçar dhe kur mbaron arsimin 9-vjeçar ka mësuar 10 pjesë të ligjëratës me kategoritë gramatikore të tyre.
  4. Për të argumentuar përfshirjen e të gjitha temave mësimore gramatikore në të dy ciklet shkollore marrim temat mësimore që zhvillon nxënësi në klasën e nëntë,(arsimi 9-vjeçar) në kompetencën : “Përdorimi i drejtë i gjuhës” dhe në klasën e tetë (arsimi 8-vjeçar), për të vërtetuar pavlefshmërinë e këtij udhëzimi, që kërkon nga nxënësi të japë provimin e gjuhës shqipe të klasës së nëntë, në një kohë kur, të gjitha temat gjuhësore i ka zhvilluar edhe në Arsimin 8-vjeçar.

Sintaksa:

 Gjymtyrët kryesore (edhe në: klasa 5).- Gjymtyrët e dyta; përcaktori, kundrinori,  rrethanori,

 (edhe në: klasa 6 dhe 8). -Gjymtyrët homogjene (edhe në: klasa e 8). –Llojet e fjalive sipas kumtimit (edhe në klasa e 5 dhe 8). –Fjalitë pohore dhe fjalitë mohore (edhe në: klasa 5).- Fjalitë dykryegjymtyrëshe. Fjalitë njëkryegjymtyrëshe foljore dhe emërore (edhe në: klasa 6).- Fjalitë e përbëra (edhe në: klasa 8).

Morfologjia

Fjalët e ndryshueshme dhe fjalët e pandryshueshme (edhe në: klasa 5).- Kategoritë gramatikore të emrit(edhe në klasa 6).−Kategoritë gramatikore të mbiemrit (edhe në: klasa 5).−Kategoritë gramatikore të përemrit (edhe në: klasa 6). Përemri i pacaktuar (edhe në: klasa 6).−Forma veprore dhe forma joveprore e foljeve (edhe në: klasa 6 dhe 8). Foljet njëvetore dhe foljet pavetore (edhe në klasa 7). Foljet e parregullta (edhe në: klasa 7).−Parafjalët dhe lokucionet parafjalore;(edhe në: klasa 7).- Dallimi i lidhëzave nga përemrat, ndajfoljet dhe parafjalët me formë të njëjtë (temë e re).

Mund të mendohet se nxënësi me Arsim 8-vjeçar , do të hasë vështirësi kur të ndjekë klasën e dhjetë. Analizojmë në vija të përgjithshme një teks mësimor në lëndën “Gjuha shqipe”. Të gjitha temat gramatikore janë një përsëritje rikujtuese për nxënësit që kanë mbaruar Arsimin  9-vjeçar dhe 8-vjeçar:

Dikush mund të thotë:”Po ja kemi edhe kompetenca të tjera, p.sh. kompetenca “Të lexuarit” ku në klasën e nëntë tekstet janë ndarë në dy grupe : tekste letrare dhe tekste joletrare! Ndërsa në tekstin “Leximi letrar” të Arsimit 8-vjeçar, kemi vetëm tekste letrare?!

Në tekstet e Arsimit 9-vjeçar ,që nga viti 2004 e në vazhdim, lexojmë që nxënësi do të analizojë tekste letrare si: tekste poetike, në prozë, dramatike nga letërsia shqipe dhe botërore, si dhe nga krijimtaria popullore gojore. Nxënësi do të analizojë dhe tekste joletrare nga kultura dhe periudha të ndryshme, si: reportazhe, kronika, biografi, autobiografi, kujtime, intervista, udhëpërshkrime, rregullore, ese, artikuj gazetash, ditare, udhëzime, njoftime etj.

Deri në vitin 2004 letërsia  në të gjitha studimet, analizat nuk është ndarë në tekste letrare dhe joletrare. Edhe në tekstet shkollore të arsimit parauniversitar si teksti: “Njohuri nga Teoria e letërsisë “, me autor Z Rrahmani lexojmë: “Secila vepër letrare klasifikohet në lloje të veprave letrare, të ndarë në gjininë e prozës, poezisë dhe dramës dhe me grupimin e dytë me emërtimin Llojet Letrare Shkencore dhe Publicistika.  Edhe në tekstet e Arsimit 8 vjeçar në gjuha shqipe 8, faqe 118 lexojmë  “Autobiografia si një lloj letrar”…( nuk përdoret termi tekst joletrar, por lloj letrar). Edhe në tekstin mësimor universitar “Hyrje në shkencën për letërsinë”, përshtatur nga F. Dado, në faqen 165, në kapitullin ‘Llojet letrare Shkencore dhe Publicistika’, lexojmë: “Një nga llojet Letrare-Shkencore më i rëndësishëm është eseja…kur përpunimi artistik në një farë mënyre mbizotëron mbi qëllimet shkencore eseja kalon në roman-ese. Biografia, kujtimet, ditari, udhëpërshkrimi bashkë me esenë, përfshihen në grupimin: Llojet Letrare Shkencore dhe Publicistika.”

Ndërmjet dy llojeve nuk ka kufi të prerë, sepse me kalimin e kohës disa forma të prozës artistike kanë marrë kuptimin e prozës shkencore dhe anasjelltas. Shembull.: Në tekstin gjuha shqipe 8 e arsimit 8-vjeçar, në faqen 118, lexojmë: “Autobiografia emërtuar si një lloj letrar” dhe në faqen 76, Reportazhi “Një mbrëmje në Lurë realizuar në kompetencën “Të shkruarit”. Ndërsa në tekstin e klasës së nëntë në përdorim, fq. 40, të një shtëpie botuese lexojmë: “Reportazhi me titull “Zëra nga Çernobili” të emërtuar si tekst joletrar. Ky ndryshim nuk nënkupton se nxënësi ka marrë njohuri jo të plota në lexim! Edhe përsa i përket formimit artistik të nxënësit në Arsimin 8-vjeçar realizohen njohuri letrare, estetike, stilistike me një pasuri pjesësh letrare. Janë të përzgjedhura dhe vetëm në klasën e shtatë të Arsimit 8-vjeçar kemi 75 pjesë letrare në gjininë e prozës, poezisë, dramës, në krijimtarinë popullore nga letërsia shqipe dhe e huaj: komentuar me figurat letrare: pyetja retorike, alegoria, simboli, antiteza, ironia dhe sarkazma, aliteracioni, pa përfshirë figurat e përmbajtjes: Monologu i brendshëm, , Fjalë tingujimituese; Didaskalitë etj. Krahasojmë me tekstin “Gjuha shqipe” 7, në arsimin 9-vjeçar ku kemi 68 tekste letrare dhe joletrare, të pashoqëruara dhe shpjeguar figuracionin letrar të fjalës, përdorur nga autori si vlerë e çdo vepre letrare. Kështu përsëriten vetëm në dy faqe 6 figura letrare të mësuara në vitet paraardhëse dhe nuk jepet asnjë njohuri e re për figurat letrare. Duke shfletuar këto tekste mësimore të lind pyetja:

 

Për çfarë do të shërbejnë provimet për 6 lëndë, të klasës së nëntë?

 

Provime që shërbejnë si urë kalimi për t’u regjistruar në gjimnaz me kohë të pjesshme, kur nxënësi e ka mbyllur ciklin shkollor të Arsimit 8-vjeçar me të tëra njohuritë që përmban edhe cikli shkollor i Arsimit 9 vjeçar, është i sajuar për ta klasifikuar si risi në zhvillimin e arsimit, kur Dëftesa e Lirimit është arshivuar në regjistrin (amzën) e shkollës, s’ka asnjë ligj që mund të mos e njohë si cikël të përfunduar këtë dëftesë!

Duke u nisur nga ky udhëzim, megjithëse nuk zhvillojnë 5 lëndë, kanë privilegjin të ndjekin Universitetin, në të gjitha degët si nxënësit gjimnazistë me kohë të plotë pa dhënë provim për lëndët e pazhvilluara!  Ndërsa atyre të Arsimit 8-vjeçar u privohet kjo e drejtë!

Me këtë udhëzim, shumë ish nxënës që kanë mbaruar Arsimin 8-vjeçar të detyruar, privohen të vazhdojnë gjimnazin me kohë të pjesshme, vetëm nëpërmjet një udhëzimi pa vlerë ligjore.

Edhe në monizëm kishin të drejtë specializimi një vjeçar pasuniversitar në degët: psikologji,  diplomaci, gjuhësi, histori etj, edhe ata që kishin mbaruar Institutin 3-vjeçar me diplomë Mësues  Gjuhe dhe Letërsie edhe, ata që kishin mbaruar Universitetin 4- vjeçar me diplomë Mësues  Gjuhe dhe Letërsie për shkollat e mesme të arsimit parauniversitar. Megjithë diferencën e viteve shkollore nuk ishin të detyruar që të jepnin provime plotësuese për të unifikuar diplomën, sepse Diploma konsiderohej një cikël i përfunduar.

Do të vazhdohet me këtë udhëzues, duke lënë shumë të rinj për të ndjekur edhe me vonesë gjimnazin me kohë të pjesshme pse jo, edhe për vazhdimin e Arsimit të Lartë!?