Gjuhët e Huaja: Shteti shndërrohet në pronar të universiteteve

527
Sigal

Projektligji i Arsimit të Lartë/Fakultetet e UT-së: Diskriminohen IAL-të publike. Shkelen autonomia akademike, institucionale, politike dhe financiare

Arsimi i Lartë në Republikën e Shqipërisë është pjesë e Hapësirës Europiane të Arsimit të lartë. Qeveria shqiptare ka nënshkruar të gjitha konventat dhe marrëveshjet që burojnë nga procesi i Bolonjës. Karta e Bolonjës ka katër shtylla themelore, mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë institucionet e arsimit të lartë: Autonomia akademike, institucionale, politike dhe financiare. Projektligji, në shumë prej neneve të tij, bie ndesh me kornizën e Kartës së Bolonjës.

1. Autonomia akademike dhe politike

Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 57, pika 7 thuhet shprehimisht: “Autonomia e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj”. Kjo dispozitë e dokumentit themeltar të shtetit shqiptar ndalon ndërhyrjen e shtetit në veprimtarinë e kërkimit shkencor dhe të mësimdhënies. Projektligji i propozuar bie në kundërshtim me këtë dispozitë të Kushtetutës së RSH-së:

-Neni 3, pika 2: “Shteti vlerëson cilësinë e veprimtarisë mësimore dhe asaj kërkimore shkencore në institucionet e arsimit të lartë, si premisë për mbështetjen financiare të tyre”. Pra, vlerësimi i cilësisë së veprimtarisë mësimdhënëse dhe asaj të kërkimit shkencor kryhet vetëm për qëllime financiare e jo në dobi të mbarëvajtjes së këtyre dy veprimtarive. Kjo, gjithashtu, krijon hapësira për matje subjektive të cilësisë, duke prodhuar korrupsion dhe shmangie të konkurrencës së ndershme.

-Neni 3, pika 3: “Shteti krijon mekanizmat dhe monitoron funksionimin e IAL-ve, duke shërbyer si rregullator i sistemit të arsimit të lartë”. Kjo nënkupton që monitorimi i funksionimit të IAL-ve, përmes mekanizmave të krijuara nga shteti çon në vendosjen e kontrollit të centralizuar dhe absolut mbi IAL-të. Në shoqëritë e vërteta demokratike, shteti e kryen rolin e kontrollorit përmes nxjerrjes dhe detyrimit të zbatimit të ligjeve në përputhje me Kushtetutën në fuqi. Në demokracitë e pavërteta, Shteti shndërrohet në pronar të institucioneve.

-Neni 8, “Këshilli i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”: Ky nen ligjëron ngritjen e një strukture tërësisht politike, përmes njerëzve të emëruar nga Kryeministri dhe, si i tillë, do t’u shërbejë interesave të qeverisë. Ngritja e këtij këshilli, siç është parashikuar në projektligj, është antikushtetues, pasi garanton ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Kryeministrit në pavarësinë e IAL-ve.

-Shkelje flagrante të autonomisë akademike është mënyra e ngritjes së QSHA-së, kompetencat dhe funksionimi i saj. QSHA-ja mund të jetë një qendër e grumbullimit të të dhënave të nxënësve që përfundojnë arsimin e mesëm të lartë. Kjo qendër mund të merret me matrikulimin e studentëve në të tria ciklet e studimeve, duke mos lejuar abuzime nga ana e IAL-ve. Të gjitha nenet që kanë të bëjnë me QSHA-në duhen rishikuar në frymën që të mos cenojnë autonominë akademike dhe institucionale të IAL-ve. Aplikimet për studimet në të tria ciklet e studimeve (Bachelor, Master dhe Doktoraturë) duhet të bëhen drejtpërdrejtë pranë IAL-ve. Të gjithë nxënësit apo studentët shqiptarë, të cilët dëshirojnë të kryejnë studimet Bachelor, Master dhe Doktoraturë jashtë Shqipërisë, aplikojnë drejtpërdrejtë në universitet. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se futja e studentëve nëpërmjet Maturës Shtetërore ka shkaktuar rënie të ndjeshme të cilësisë së kapaciteteve studentore. Përsa kohë Shqipëria synon aderimin në BE, ligjet duhet t’u përafrohen standardeve që kërkon BE-ja. Shtimi i strukturave ndërmjetëse veçse krijon vonesa dhe vështirëson procesin, duke lënë vend për mungesë transparence, për abuzime e korrupsion.

 2. Autonomia institucionale

Projektligji rreshton një sërë institucionesh (qendra, agjenci, institute etj) që, pa dyshim, financohen nga taksat e taksapaguesve shqiptarë, krijohen e funksionojnë jashtë IAL-ve, duke u marrë këtyre të fundit kompetenca dhe duke u imponuar rregulla të cilat cenojnë rëndë autonominë institucionale të IAL-ve. Krijimi i hallkave në vertikalizimin e pushteteve krijon veçse një zinxhir të panevojshëm burokratik me kosto të lartë financiare, çon në kolaps mbarëvajtjen e IAL-ve, duke u imponuar atyre rregulla që përcaktohen me Vendime të Qeverisë. Mënyra e organizimit të IAL-ve, kompetencat që u jepen autoriteteve dhe organeve kolegjiale lë shkas për abuzime e mbivendosje kompetencash. Ministrit i hapet rruga të shkarkojë në mënyrë të paligjshme rektorin, duke e konsideruar këtë të fundit vartës si dhe të shkarkojë autoritete të tjera drejtuese po në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, Rektori nuk duhet të jetë kryetar i Senatit akademik, pasi kjo do të lejonte akumulimin e pushteteve vetëm tek 1 individ. Po kështu, Dekani nuk duhet të jetë edhe kryetar i senatit të fakultetit. Gjithashtu, nenet që flasin për punësimin e stafeve akademike dhe të punonjësve të tjerë.

 3. Autonomia financiare

Qytetarët e vendeve anëtare të BE-së kanë të drejtën për arsimim të lartë sipas kushteve tashmë të njehsuara në këto vende. Studimet me kohë të plotë të Ciklit të parë dhe të dytë sipas strukturës së Bolonjës financohen nga shteti. Për Ciklin e tretë të Doktoraturës, individët apo IAL-të mund të bashkëfinancojnë studimet e Doktoratës duke garuar nëpërmjet skemave të ndryshme. Financimi nga buxheti i qeverisë edhe i institucioneve të tjera të Arsimit të lartë që nuk janë publike, cenon drejtpërdrejtë interesat e IAL-ve publike, duke favorizuar në mënyrë jo transparente financime për IAL që nuk janë publike.

Shkencat e Natyrës: Shteti të mos “fusë duart” te universiteti

Ky projektligj ka disa probleme krahasuar me ligjin paraardhës, pasi nuk del qartë kush është autoriteti dhe përfaqësuesi i institucionit të arsimit të lartë. Ky projektligj ka dy koka: Rektorin dhe Administratorin. Gjithashtu, në projektligj i jepen shumë kompetenca Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë, gjë që cenon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë. Ky projektligj do të krijojë shumë probleme, në rast se për çdo gjë do të autorizohej nga Ministria.

-Ky ligj na kthen në kohë, kur çdo gjë kalon në varësi të shtetit, duke cenuar autonominë e institucioneve të arsimit të lartë. Në momentin që futet shteti në kontrollin e universiteteve, nuk ka më universitete të lira.

-Ky ligj heq të drejtën e studentëve për të votuar për zgjedhjen e Rektorit dhe të Dekanit, heq të drejtën e studentëve për t’u përfaqësuar në strukturat e fakulteteve.

-Ligji vërtet i jep autonomi më të madhe njësisë bazë, departamentit, por në rangje më të larta është vetëm shteti. Shteti, mesa duket, në nismat që ka marrë do të fusë në kupolën e kontrollit si institucionet publike dhe ato private. Nuk duhet lejuar që shteti të fusë duart në autonominë e universiteteve dhe mirëfunksionimin e tyre.

-Me këtë ligj do të ndodhë që një pjesë e institucioneve private të kalojnë në publik të pavarur, pra do futen në buxhetin e shtetit, ku arka e shtetit për kërkim shkencor dhe mësimdhënie do të ndahet midis të gjithëve. Fryma e projektligjit çon në centralizim të sistemit. Në ligj futet dhe koncepti i institucionit të pavarur, duke rritur riskun e integrimit të universiteteve jopublike. Në hartimin e projektligjit duke qartë ndikimi i përfaqësuesve të institucioneve private.

Filologjiku: Pranimet e studentëve të bëhen nga universitetet

Këshilli i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë vlerëson se pranimet duhet të bëhen nga universitetet. QSHA nuk mund dhe nuk duhet të merret me çështjen e aplikimeve. Universitetet duhet ta kenë si detyrë të tyre të bëjnë publike kriteret e pranimeve dhe nxënësit apo studentët e Masterit aplikojnë për t’u pranuar në ciklet e shkollimit. Nga ana e saj, QSHA mund të ketë për funksion përpilimin e një database kombëtar me të dhënat e nxënësve që përfundojnë arsimin parauniversitar.

– Cenimi i autonomisë duket edhe në kompetencat që merr Ministri për ta konsideruar Rektorin si vartës të tij, ndërkohë që Rektori është i zgjedhur dhe institucioni i tij është autonom me Kushtetutë. Rektori sipas ligjit mund të dekretohet dhe po ashtu të shkarkohet vetëm nga Presidenti i Republikës.

– Ka një burokraci agjencish e strukturash, gati një Ministri e Arsimit të Lartë, të cilat jo vetëm nuk do t’i sjellin të ardhura universitetit, por do t’i marrin edhe të ardhurat që sot ai realizon nëpërmjet shërbimeve që ai kryen vetë. Këto struktura ndërtojnë një sistem burokratik që i zë frymën aspektit akademik dhe ku liria akademike nuk promovohet dhe nuk del e shprehur të mbrohet në këtë draft.

– Në draft thuhet se shteti merr përsipër të subvencionojë vetëm ciklin e parë. Por ky kufizim do të sjellë uljen e të ardhurave të universitetit publik si dhe në pamundësinë e familjeve shqiptare për të përballuar kostot e shkollimit. Mendojmë se shteti duhet të ushtrojë funksionin e vet mbi arsimin e lartë publik, sepse edhe Masteri është një e mirë publike dhe nuk duhet parë thjesht si një e mirë private. Gjithashtu, shteti përcakton një tavan për tarifat e universiteteve publike dhe nuk bën të njëjtën gjë për universitetet private. Mendojmë se qeveria duhet të përcaktojë një dysheme, në funksion të të ardhurave të familjeve shqiptare.