Fatos DACI*/ 100- vjetori i arsimit në Dibër, martirët e fjalës shqipe dhe brezat e mësuesve në dekada

1279

Shkolla e parë shqipe u hap më 14 prill 2014 në Peshkopi dhe një ditë më pas, më 15 prill 1914 ajo e Trebishtit në Gollobordë

U mbushën plot 100 vjet nga dita kur dy shkolla shqipe u hapën në Dibër, në qytetin e Peshkopisë dhe në Gollobordë. Natyrisht, rezulton se  shkolla  shqipe në Dibër janë hapur dhe para këtyre,  si në Dibër të Madhe (Shehër), Zerqan, Bllacë e Homesh. Këto shkolla hapeshin pa lejen e autoriteteve turke, ishin të ndaluara dhe jo të ditura publikisht ndaj dhe quheshin tinëzare. Hapeshin sot e mbylleshin pas pak ditësh, sepse ishin nën kontrollin e qeverisë osmane. Ndërsa, shkolla shqipe të lejuara nga autoritetet shtetërore janë ajo e qytetit të Peshkopisë, e cila u hap më 14 prill 2014 në shtëpinë e Sheh Besimit, nga mësuesi i parë i saj Haki Sharofi, dhe shkolla e Trebishtit në Gollobordë e hapur një ditë më pas, më 15 prill 1914, nga mësuesi Ramiz Qatja po nga Dibra e Madhe. Shkolla u hap në qytetin e Peshkopisë  se   Peshkopia, pas Shehrit, ishte qendra e dytë kryesore administrative, kulturore e arsimore e Dibrës, ndërsa tjetra që u hap në Gollobordë ka një domethënie akoma më të madhe. Fakti se, Golloborda është pionierja e parë e shkollës shqipe flet shumë për etnicitetin shqiptar e dibran të kësaj krahine atdhetare e patriotike me shumë vlera qytetare e kombëtare. Madje Golloborda është krahina që  ka dhënë, krejt ndryshme me të gjithë territorin e Shqipërisë, siç nuk ka ndodhur askund tjetër, edhe tre martirë të gjuhës e të arsimit shqip, siç janë Vasil Mlladen Pleushku, Haziz Lila dhe Hoxhë Moglica, të cilët vunë jetën e tyre në themelit e arsimit e të gjuhës shqipe, sepse që të tre pikërisht për faktin se ata ishin përhapësit dhe nismëtarët e shkollave e të gjuhës shqipe u vranë nga serbo-bullgarët  dhe sot atyre nuk u dihet as varri, sepse barbarët sllav ua zhdukën edhe ato. Ishin rilindësit e mëdhenj ato që shtruan qartë problemin se po ndërgjegjësimin kombëtar, nuk mund të arrihej çlirimi kombëtar. Ata thoshin qartë se lufta për liri, është hapi i parë për  të arritur te gjuha dhe arsimi shqip. Kjo fare kuptueshme, pa qenë zot shtëpie, nuk mund të bësh si do vetë, ndërsa nën pushtim do të bësh si do pushtuesi. Lufta e Dibrës për pavarësi dhe çlirim nga zgjedha turke u intensifikua më shumë që nga viti 1881 e deri në vitin 1912, veçanërisht heroike dhe  sakrifikuese ishte periudha e viteve 1905-1912, kur dibranët trima dhe atdhetarë luftuan ballë për ballë me armikun në Kosovë, Lumë e në Dibër, në Qafë –Prush, Qafë-Duhël, Morinë, Kala e Dodës, në Shkodër e Lezhë, Durrës, Vlorë, Janinë e Follorinë, në Shkup e Kumanovë, në të gjithë territoret e Maqedonisë së sotme. Këto luftëra kishin si prijës popullorë  Mustafa Litën, Cen Dacin, Sefedin Pustinën, Zija Dibrën, Ramiz Dacin, Fuat Dibrën, Shaqir Beun, Elez Isufin, Dine Hoxhën, Murat Kaloshin, Mersim Demën, Dan Camin, Selman Alinë, Cen Lekën, Xhafer dhe Baftjar Dodën, Selman Alinë, Liman Lekën, Llan Kaloshin, Ismail Kotaren, Ramadan Canin, Selim Demën, Qamil Dacin, Sadulla Strazimirin, Hasan Kacin etj..

Dibranët e  vazhduan luftën e tyre për gjuhën e arsimin shqip me kongrese, rezoluta, promemorie, memorandume  e ultimatume

Për nevojën e  arsimit shqip flasin dhe disa sentenca e postulate dibrane, apo fjalë të urta, si: “Pa shkollë, je qorr”, “Shkolla është si buka” apo “Shkolla është griha e mendjes”. Prandaj, dibranët, asnjëherë nuk i kanë reshtur luftën e  përpjekjet e tyre për shkollën e  gjuhën shqipe. Gjuha dhe arsimi shqip kanë qenë kryefjala e të gjithë kongreseve, mbledhjeve, ultimatumeve e memorandumeve dibrane. Kështu, që  në Kongresin e parë të Dibrës, të 1 Nëntorit të vitit  1878, u hartua dhe u miratua një rezolutë ku kërkohej që mësimi në të gjithë shkollat në Dibër e rrethinat e saj të mos bëhej në gjuhën turke, por në gjuhën shqipe.  Në vitin 1879, një komision i posaçëm i atdhetarëve  me qëndrim  në Stamboll, hartoi një alfabet dhe botoi abetaret e para në gjuhën shqipe. Më 1 nëntor 1889 Kongresi i Arsimit i Dibrës  i dërgoi Sulltanit  një promemorie të firmosur nga 31 vetë, ku kërkohej hapja e një shkolle shqipe në Dibër. Në verën e vitit 1885, shoqëria “Drita” e Bukureshtit dërgoi në Korçë patriotin korçar Thimi Marko  për t’i shprehur Mitropolisë Korçës dëshirën e shqiptarëve në mërgim që në shkollat greqisht të Korçës të mësohej dhe gjuha shqipe. Në javën e fundit të prillit të vitit  1912, dibranët, të mbledhur  bashkë me shqiptarë të tjerë në Shkup, i dërguan qeverisë së Xhonturqve një memorandum prej katër pikësh. Pikat e memorandumit i quajtën Kondita (kushte). Këto kondita ishin:  1. Mësimi në Shqipëri të jepet në gjuhën shqipe, 2. Shkollat të përmbahen me harxhet e qeverisë. 3. Të ndërtohen ura në tërë Shqipërinë, 4. Shqiptarët të shërbejnë në Shqipëri.  Me të tjera kushte nuk pajtohet. Ndërkohë, më 14-22 nëntor 1908, në qytetin e Manastirit me shumicë të popullsisë shqiptare, u mbajt Kongresi historik i Manastirit, i quajturit Kongresi i Alfabetit Shqip. Në këtë kongres u njësua alfabeti shqip. Nga disa variante alfabetesh që ishin vënë në përdorim nga shoqëria të ndryshme patriotike e klube kulturore u vendos me shumicë votash që alfabeti të njësohej dhe shkronjat e këtij alfabeti të ishin shkronjat që kemi sot, latine. Në këto rrethana, më 25 gusht 1909, u mbajt  në Elbasan një kongres, morën pjesë jo 4 vilajete, por 5 vilajete, edhe i Selsnikut Në Kongresin e Dibrës, të vitit 1909, Jusuf Beg Karahasani, duke folur për rëndësinë e gjuhës dhe të alfabetit shqip,  tha: “Unë s’jam i muet, as qi di me shkru e me kendu, po vetëm këtë di, se kush ka msu gjuhën amtare, ka përparu. Prandaj edhe na lyspen ta msojm gjuhën e vet e jo t’botës.”. Në fakt Kongresi i Dytë u çel më 20 mars 1910, po në Manastir. Kryetar i parë i Kongresit të Dytë u zgjodh dibrani Qazim Iljaz Dibra, i biri i Ijaz Pashë Dibrës. Më 15 maj 1912, një delegacion i fiseve shqiptare të Dibrës së Poshtme u takua me Haxhi Adil Beun, kryetar i komisionit qeveritar xhonturk dhe i dorëzoi këtij të fundit një memorandum, ku ishin formuluar kërkesat e më poshtme: 1. Kthimi armëve të konfiskuara, 2. Abrogimi taksave të reja të vëna në zbatim që nga shpallja e Kushtetutës  dhe rivendosja e Status-Kuos, 3. Amnisti për të gjithë shqiptarët e dënuar, përkatësisht të internuar që nga shpallja e Kushtetutës dhe 4.Lejimi i mësimit të gjuhës shqipe me germa latine.” Qeveria e Lushnjës e shpalli prioritet arsimin shqip, hapjen e shkollave dhe shtimin e numrit të nxënësve. Kjo qeveri, pa u mbushur akoma 2 muaj, organizoi në Lushnje një kongres arsimor nën drejtimin e ministrit të arsimit të asaj qeverie, Sotir Pecit. Ndër detyrat kryesore të këtij kongresi qe hapja e shkollave të reja dhe shtimi i numrit të nxënësve. Gjithashtu, Kongresi vendosi që pranë Ministrisë së Arsimit të ngrihej një Komision Letrar, që do të merrej me hartimin e programeve mësimore dhe me përgatitjen e teksteve, miratoi teknologjinë e njësuar të disa lëndëve të shkollës fillore, lejoi hapjen e shkollave të reja jo shqiptare, por me kushte që të zbatonin programet shqiptare, si dhe udhëzoi që për nevoja urgjente të përdorej sistemi i mësuesve shëtitës (sepse asokohe kishte shumë pak mësues) që të lëviznin në grupe fshatrash.

Në më pak se dy vjet, për mbarëvajtjen e arsimit shqip, u organizua edhe një kongres tjetër arsimor në Tiranë, i cili  i nisi punimet e tij më 10 korrik 1922, ora 10.00. Fjalën e hapjes të këtij kongresi arsimor e mbajti z. Rexhep Mitrovica, ministri i Arsimit i asaj kohe.

Kongresi i Tretë Arsimor i filloi punimet  më 12 gusht 1924 dhe i përfundoi punimet më 21 gusht 1924, në kohën kur Shqipëria qeverisej nga Fan S.Noli. Kryetar i punimeve të kongresit qe Ahmet Gashi dhe nënkryetar qe Jani Minga, ndërsa Bajram Curri qe Anëtar Nderi i Kongresit. Ideja e Kongresit ishte, që të dilej me një vendim që shkolla shqipe të ishte e njëjtë dhe e përbashkët në çdo pikë. Pra, ky ishte kongresi i unifikimit të shkollës shqipe. Për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit kombëtar shqip, në  u mbajt në Tiranë, më 25-27 nëntor 1944,  Kongresi I Antifashist i Arsimit. Shoqëritë që nxitën botimin dhe përhapjen e librave  në gjuhën shqipe ishin shoqëritë patriotike apo klubet atdhetare të Stambollit, Bukureshtit, Sofies, Selanikut etj. Libra silleshin me thasët e sheqerit, të kripës, të drithit etj nga qiraxhinjtë e karvanëve të transportit. Edhe dijetari teolog Hasan Hoxhë Moglica arriti që më 1904  të transportonte në thasë sheqeri, nga Stambolli për në Dibër. Po kështu vepronin dhe Haziz Menxhelxhiu, Vasil Mlladen Pleushku, Muharrem Trenova, Ali Zogoja, Baftjar Kuka.

Kush ishin shkollat e  para shqipe në Dibër?

Hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë, më 7 mars 1887,  ua bëri të qartë shqiptarëve se gjuha dhe shkolla  shqipe ishin kërkesa reale, se rruga drejt shkollës shqipe dhe alfabetit shqip nuk ishte më një utopi, por një gjë krejt normale; e realizueshme dhe e prekshme. Ka të dhëna se në vitin 1887, edhe në Rekë (Vërbian) të Dibrës u hap një shkollë shqipe. Për shkak të këtij sensibilizimi mbarëdibran, vetëm një vit pas çeljes së të parës shkollë shqipe në Korçë, patrioti e teologu Said Najdeni ( Sahit Islam Najdeni, i mbiquajturi Hoxhë Voka), hapi në vitin 1888 të parën shkollë shqipe në  qytetin e Dibrës së Madhe, në shtëpinë e tij. Shkolla u zbulua nga autoritetet turke dhe u mbyll shumë shpejt. Nxënësit e parë të saj ishin: Hajredin Varvarica, Azis Menzelxhiu, Shyqyri Qoku, Zenepe Qoku, Dullë Nallbati etj., etj..   Edhe pse shkolla u  mbyll, Said Najdeni nuk hoqi dorë nga nisma për shkollën shqipe. Përditë e më shumë ai mendonte për rihapjen e saj. Këtë gjë e bëri realitet më 1893. Fill mbas tij, edhe Shaqir Daci, hapi shkollën e  parë shqipe në Homesh të Grykës së Vogël. Edhe Hamdi Ohri hapi një tjetër  shkollë shqipe  në qytetin e Dibrës së Madhe.  Si rezultat i përhapjes së shkrimit dhe të shkollës shqipe, në vitin 1899, në Dibër  kishin mësuar të shkruajnë e të lexojnë në shqip më shumë se 300 persona. Tashmë vegjëlia ishte zgjuar dhe kërkonte me këmbëngulje shkollën dhe shkronjat shqipe. Kjo bëhet e ditur dhe në kronikat e kohës. Fakti që për një kohë të shkurtër në Dibër dinin shkrim e këndim mbi 300 persona të bën të mendosh së në Dibër funksiononin, të paktën, 10 shkolla shqipe dhe këto mendojmë se kanë qenë në krahinat më të mëdha e më të zhvilluara, si: Zerqan, Peshkopi, Homesh, Zerqan, Dohoshisht, Brezhdan, Trojak, Ostren, Zogjej, Bllacë etj.. 9 shendre 1910, Bulqizë “Arif Himeti shpiku shkronjat iranishte për gjuhën shqipe, ato kërrabat që i prishën dhe një mizë kur lëshon gilasën e saj dhe i ban të mos leçiten kurrë”. Nga 18 janari deri më 22 shkurt 1912 Jashar Bllaca, Zeneli hapi shkollë shqipe në Bllacë.

Më 21 prill 1912 njofton gazeta “Liri e Shqipërisë”,  se në shkollën normale turqisht në Dibër, do të hapet  një degë e gjuhës shqipe, ku do të mësojnë për tre muaj 20 vetë, të cilat pas mbarimit të shkollës do të dërgohen si mësonjës të shqipes në vise të tjera. Më 1912, patriotët e mëdhenj shqiptarë ngritën Flamurin e Pavarësisë në Vlorë dhe shpallën mëvetësinë e Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, duke krijuar Qeverinë e Përkohshme (Përtashme) të Vlorës me kryetar Ismail Qemalin, nënkryetar Dom Nikoll Kaçorrin prej Lure dhe kryetar Senati dibranin Vehbi Agolli. Qeveria e Përkohshme e Vlorës ushtroi funksionet e saj vetëm 14 muaj, deri më 31 janar 1914. Por, kjo qeveri, për kushtet dhe rrethanat e  saj, bëri përpjekje modeste fillestare  për ligjshmërinë arsimore. Gjuhën shqipe e shpalli gjuhë zyrtare të shtetit shqiptar, shkollës i dha karakter shtetëror,  bëri përpjekje për arsim fillor të detyruar etj... Arsimi shqip mori dritën jeshile vetëm më 10 mars 1912, kur valiu i Manastirit lejoi të hapej shkollë shqipe në Dibër të Madhe. Që këtu e më pas hapja e shkollave shqipe mori një farë legjimiteti. Pas kësaj periudhe, shkolla e parë shqipe që u hap në Dibër ishte ajo në qytetin e Peshkopisë, që u hap më nga Haki Sharofi, më 14 prill 1914. Po në këtë vit, më 15 prill 1914, u hap shkollë

Më 1916 u hap shkollë shqipe dhe në Trojak të Sllovës po nga Haki Sharofi. Në vitin shkollor 1915- 1916 u hap shkollë shqipe, me shumë vështirësi edhe në Dohoshisht dhe mësues i saj qe Kamber Spahiu.

Më 1916-17 u hap shkolla shqipe në Allajbegi dhe  mësues i parë i saj qe Hebip Bajram Golja. Në Homesh shkolla shqipe është rihapur në vitin 1918. Shkolla e Sohodolli është hapur në vitin 1916 dhe mësues i parë i saj qe Aqif Pasholli. Shkolla shqipe në Sopot rezulton të jetë hapur për herë të parë në vitin 1918. Në vitet shkollore 1918-1922 mësues në Sopot ka qenë Osman Moglica. Me vendimin nr.594, datë 4.7.1922 Këshilli i Ministrave  vendosi që ndërtesat e ngritura nga Turqia për shkollat e sistemit të saj të viheshin në shërbim të shkollave shqipe.

Shkolla e Luznisë figuron në dokumente që më 1923 dhe si mësues kishte Shaban Ostrenin. Shkolla e  Okshtunit del në dokumente që në vitin 1922 dhe mësues kishte Osman Muglicën. Shkolla e Sllovës, te Kepi i Gjatë (Depoja e vjetër) është hapur në vitin 1922-23 dhe mësues të parë të saj pati Abdulla Çangën. Më 1922 u hap për herë të parë shkolla shqipe në Lurë, në shtëpinë e Dali Koçekut nga Musa Kuqi (Shehu). Shkolla shqipe në Kala të Dodës u hap në vitin 1922 nën kujdesin e patriotit Hasan Prishtina. Me shkresën datë 5/XI/  1924 kërkohet hapja e një shkolle në Herbel, ku të mësonin fëmijët e Popinarës, Erebarës, Grazhdanit, Dovalanit, Trepçës, Pjeçës e Pejkës.

Prefektura e Dibrës, me shkresën nr.345, datë 19.11. 1925 kërkon që ndërtesa për zyra komune në Kastriot të vihej në dispozicion të Internat Kastriotit. Ndryshe quhej Krahinaria e Fushës. Për shkollat Sllovë, Palaman, Reç e Dardhë, Luzni, Vajkal, Bulqizë e Okshtun, të cilat qenë me sistem veror, rezultatet do të dilnin me mbarimin e vitit shkollor. Drejtori i Internat “Dibra” kërkon hapjen e një shkolle të re në Kovashicë dhe në Fushë-Alie, ku të mësonin edhe fëmijët e fshatit Laçes dhe shkolla të siguronte rreth 60 nxënës.

Ndërkohë,  funksiononin edhe shkolla me sistem gjysmë dite, si në Alljabegi dhe Klenjë. Më 1929 mësues sipas krahinave e komunave ishin:Gollobordë -Trebisht (Shkolla fëmërore) Nazmije Pasholli dhe Mulla Iljazi. Klenjë: Alia Narazani. Ostren i Vogël-Shaban Shashari, Okshtun-Osman Muglica, Bulqizë-Osman Topçiu, Zogjej-Ramiz Alliu, Gjoricë-Haxhi Skënderi, Trebisht-Aqif Pasholli, Internat “Homeshi”- Ramadan Sefedini (drejtor), Abdurrahman Ostreni, Shaqir Toma-mësues besimi; Tërbaç-Hadi Vrioni, Steblevë-Vahid Kurmaku, Lladimericë-Zyhdi Saraçi. Me shkresën 1/X/1930 nr.564, kryetari i Katundarisë -Qamil Lusha kërkon që të riçelej shkolla në Katund të Ri (Luzni) dhe në Qendër , “ sepse plotësonte numrin e nxënësve”.Me shkresën 3101, dt. 31/XII/31  të prefekturës së Dibrës drejtuar M.P.B kërkohej hapja e shkollave të reja për katundet Katund i Ri, Arapaj dhe Lishan, në komunën Sllatinë kërkohej çelja e shkollave në katundet Sllovë (edhe për fshatrat Sllatinë, Vleshë e Kallë), Venisht (edhe për fshatrat Dypjakë e Shumbat), Palaman, në komunën Maqellarë të hapej në Herbel (edhe për fshatrat Grazhdani, Dovalani) dhe në komunën Reç në katundin Dardhë dhe në komunën Zerqan të hapeshin shkolla të reja në fshatrat Tërnovë e Vajkal. Më 1931  në të gjithë Dibrën u regjistruan për të ndjekur mësimet gjithsej 1500 nxënës dhe kaluan 901 prej tyre. Klasën e parë e ndoqën 823 nxënës dhe kaluan në fund të vitit 386 prej tyre.

Gjatë 15 viteve të mbretërimit të Ahmet Zogut u çelën disa shkolla shqipe dhe 3 shkolla internate ( shkolla me konvikt). Para Çlirimit, në rrethin e Dibrës, kishte vetëm 32 shkolla fillore dhe tre konvikte ku mësonin 1200 nxënës, që merrnin mësime prej 62 mësuesve. Në këto vite 97 % e popullsisë ishte analfabete dhe vetëm 3 % dinin shkrim e këndim. Shkollat fillore, pas Çlirimit,  e filluan procesin mësimor e edukativ që në muajt tetor-nëntor 1944. Në këtë vit shkollor filluan mësimet në 18 shkolla fillore, si në : Peshkopi, Sohodoll, Sllovë, Maqellarë, Kërçisht, Kllobçisht, Homesh, Kovashicë, Gjoricë e Epër, Zerqan, Strikçan, Godvi, Ostren i Madh, Tuçep, Trebisht, Vërnicë, Klenjë e Steblevë. Në vitin shkollor 1945-‘46 u hapën edhe 30 shkolla fillore të tjera, në: Grevë, Dohoshisht, Bellovë, Brezhdan, Muhurr, Majtarë, Allajbegi, Blliçe, Arras, Shumbat,Palaman, Sllatinë, Sopot, Zogjej, Bllacë, Viçisht, Lladimericë, Ostren i Vogël, Gjinovec, Steblevë, Lejçan, Vajkal, Qafë-Murrë, Lubalesh, Okshtun, Lukan, Selishtë. Në këtë vit shkollor, funksiononin gjithsej 48 shkolla fillore. Ndërsa, në vitin shkollor 1946-47 u hapën 37 shkolla fillore të tjera të reja, në : Borovë, Çerenec, Dushaj-Bulqizë, Gjoricë e Poshtme, Gjurras, Klenjë, Fushë-Bulqizë, Mazhicë, Okshatinë, Sebisht, Shupenzë, Tërnovë, Vërnicë, Deshat, Limjan, Kërçisht i Poshtëm, Dovolan, Grazhdan, Vakuf, Pjeçë, Kandër, Luzni, Draj-Reç, Hurdhë-Muhurr, Arapaj-Lishan, Vleshë, Draj-Reç, Fushë Alie, Sinë, Kraj-Reç, Fushë-Lurë, Gjurrë-Reç, Bardhaj-Reç, Grykë-Nokë, Zall-Dardhë, Vërnicë, Valikardhë, Koçaj-Bulqizë. Në këtë vit shkollor në Dibër funksiononin gjithsej 85 shkolla fillore. Në vitin shkollor 1947-48,  në shkollat fillore të Dibrës, i ndiqnin mësimet 12044 nxënës, prej të cilëve 5473 ishin vajza.  Në vitin 1953 për arsimin fillor funksiononin 103 shkolla. Kështu, vit pas viti, rritej numri i shkollave fillore, deri sa arriti që çdo fshat të kishte shkollën e tij, ashtu si dhe shumica e këtyre shkollave funksionojnë  edhe sot. Në vitin 2003-2004, në të gjithë Qarkun e Dibrës, funksionuan 111 shkolla 8 vjeçare dhe 163 shkolla vartëse, në të cilat vijuan mësimet 31.000 nxënës, ndërsa në vitin shkollor 2009-2010, në rrethin e Dibrës kemi 125 shkolla të Ciklit të Ulët me 12276 nxënës, nga të cilët 5909 janë vajza. Në vitin shkollor 2009-2010, në të gjithë Dibrën kemi 52 shkolla 9-vjeçare.

E para shkollë Unike u hap në qytetin  Peshkopisë në vitin 1945-46.  Pastaj shkolla Unike u hapën edhe në Zerqan, Sllovë, Maqellarë etj. dhe hap pas hapi shkollat 7-8 vjeçare u shtrinë në të gjithë Dibrën.

Nga vitet ’70 deri në vitet ’90 shkolla 8-vjeçare kishte edhe dy –tri në çdo ish këshill të bashkuar. Shumë nga ish mësuesit që kanë kontribuar në Dibër  ishin nga Elbasani dhe nga Shkodra. Shkollat që kishin kryer mësuesit që kanë shërbyer përgjithësisht në Dibër, ishin nga Normalja e Elbasanit, nga gjimnazi i Shkodrës, nga kurset e shpejtuara në Shkodër e Kavajë, nga Medreseja, nga shkollat për oficer e nënoficer etj. Të gjithë mësuesit e Dibrës kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për diturimin e kulturimin e  gjeneratave të tëra. Ky kontribut as mohohet e zhbëhet. Oor, disa nga ish mësueset tanimë janë kthyer në ikona të arsimit shqip në Dibër, si: Hebib Golja, Fetah Ajdini, Mulla IIjazi, Islam Hoxha, Osman Moglica, Mustafa Shahinaj, Mehmet Çadri, Selim Alliu, Sefedin Hasani, Vahid Kormaku, Gafur Karaibrahimi, Hamid e Hamit Muça, Selman Koçi, Idriz Biba, Nexhmije e Aqif Pasholli, Ivzi Shehu, Mehdi Daci, Adem Shehu, Halim Shehu, Mahmut Ndreu, Haki Sharofi, Abdulla Çanga, Ramiz Qatja, Myslim Shehu, Mahmud  Trimi,  Kamber Osmani, Selim Qyshka, Mahmut Meçi, Sadik Laçi, Rifat Domi, Qamil Hoxha, Shaban Arra, Xhetan Elezi, Hasan Qatipi (Rrapi), Xhelil Kulejmani, Ali Xhelili (Ndreu), Hasan Rexhepi (Ndreu), Abdulla Bazhdari, Rremzi Xhemalçe, Jorgji Sinjari, Kadri  Abdihoxha, Rufat Spahiu, Adem Përhati, Aqif Përhati, Musa Kuqi (Shehu), Rexhep Guraziu, Adem Sharofi, Nebi Agolli,  Rramiz Alliu, Besim Kadriu, Hidër Manjani, Abaz Xhafa, Haxhi  Skënderi, Shaqir Tomja, Behixhide Sula, Ali Narazani, Haki Vrioni,  Shaban Ostreni, Shaban Shoshori, Esad Menzelxhiu, Iljaz Pupuleku, Qamil Skuqi, Asllan Zeneli, Jashar Bllaca, Sali Morina, Ferid Imami, Ferit Jegeni, Edip Tërshana, Esad Haxhiymeri, Kov Bibaja, Sami Gonxhe, Çile Baba, Ismail Jahja, Menduh Skikuli, Myrteza Shehdulla, Osman Topçiu, Qemal Haxhihasani, Jonuz Shehu, Ramazan Sejfedini, Sabrie Boletini, Tefik Balla,Thanas Boçova, Telat Jakupi, Nevrez Manjani, Sami Tërshana, Abdi Haxhiu, Hilmi Gole, Faton Daci, Skënder Daci, Zejnel Shemsiu, Nazmi Troci, Liman Deshati, Ejup Shehu, Shefqet Tançi, Shyrete Sharku, Medat Cami, Ali Puca, Fadil Shehu, Ismail Erebara,  Durmish Shehu, Myslim Koka, Lutfi Manjani, Mendu Dema, Shaban Uklala etj. Shkollat e  mesme të Dibrës: Shkolla pedagogjike u çel në vitin shkollor 1948-49, pas saj u hap gjimnazi “Demir Gashi” dhe më pas shkolla e mesme bujqësore “Nazmi Rushiti”.

Pastaj u hapën edhe shkollat e tjera të mesme të ditës, natës e korrespondencës, si në Bulqizë në vitin 1968, në Kuben (Vakuf) më 1970, në Maqellarë në vitin 1971, Arrënmollë-1986, Brazhdan-1990, Fushë-Alie-1984, Lurë-1977, Kastriot -1976,  Luzni-1977, Muhurr-1976, Lunarë-1977, Sllovë-1985, Zall-Dardhë-1976, Ceren -1976, Fushë-Bulqizë-1987, Klenjë-1976, Ostren i Madh-1975, Trebisht- 1975, Tuçep-1977, Shupenzë-1978, Viçisht-1986, Zerqan-1975, Okshtun i Madh-1987 dhe Zogjej më 1979. Në Dibër, nga viti 1948-1995 funksiononin  26 shkolla të mesme, në të cilat përfunduan mësimet gjatë kësaj periudhe gjithsej 55902 nxënës, nga të cilët  29691 nxënës në shkollat e mesme të qytetit të Peshkopisë, 12889 nxënës në shkollat e mesme të qytetit të  Bulqizës dhe 13322 nxënës në shkollat e tjera të mesme të Dibrës dhe të Bulqizës. Në Dibër kanë funksionuar edhe shkolla 2-3 vjeçare për mami –infermiere, për elektricist, muzikë, veterinari etj., ekonomik, pikturë  si dhe plot shkolla nate dhe korrespondencë, me e pa shkëputje nga puna. Sot, në Dibër, zhvillojnë aktivitetin e tyre mësimor 13 shkolla të mesme, të gjitha të sistemit të ditës, ku mësojnë 2536 nxënës, nga të cilat 1265 janë vajza. Para viteve ’90 ka pasur filial të Universitetit edhe në Dibër, por u mbyll në vitin 1988. Më 9 nëntor 2009, në vitin akademik 2009-2010, në qytetin  Peshkopisë hapi dyert Filiali Dibër i Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Ky filial ka 14 degë në tre fakultete dhe mbi 400 studentë e studente. Dibra e urtësisë dhe  mençurisë  i ka dhënë vendit vlera të pakundërshtueshme intelektuale e shkencore, si: 250 autorë që kanë botuar libra në prozë, poezi, në studime historike dhe libra shkollor e universitar.Dibra i dha Shqipërisë, 6 ministra të arsimit, si: Abdurrahman Dibra, Faik Shatku, Tefta Cami, Ylli Vejsiu, Myqerem Tafaj dhe tani një nuse në Dibër:Lindita Nikolla, si dhe disa rektor e dekanë fakultetesh. Dibra ka kapacitete të jashtëzakonshme intelektuale e shkencore. Jo pak, por 84 dibranë kanë fituar grada e tituj shkencorë në fusha të ndryshme të shkencave. 32 dibranë kanë fituar titullin profesor, 4 të tjerë kanë fituar titullin profesorë të assocuar dhe 48 dibranë kanë fituar gradën shkencore “Doktor i Shkencave”. Sipas degëve kemi këtë statistikë në arsim 26, në drejtësi 5, në mjekësi 16, në gjeologji 7, në ekonomi 2 dhe 26 në fusha të tjera. Dibra i ka dhënë Shqipërisë një kryetar të lidhjes më të madhe shqiptare, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,  një kryetar të Parlamentit, një president (kryetar të Presidiumit të Kuvendit Popullor), një kryeministër, dy zëvendëskryeministra, dy kryetarë të Gjykatës Kushtetuese, 6 ministra të Arsimit, 3 ministra të Jashtëm, 4 ministra të Mbrojtjes, 2 ministra të Financave,  1 ministër të Bujqësisë, 1 ministër të Punëve Botore, 1 ministër të Industrisë, 1 ministër të Punës dhe Çështjeve Sociale, 3 ministra të Brendshëm, 1 ministër të Shëndetësisë, 1 ministër të Portofol, 1 ministër Ndërtimi, 1 ministër të Transportit dhe Punëve Publike, 2 ministra në Maqedoni (gjithsej dibranët kanë mbajtur 26 portofole ministrash), 4 zëvendësministra, 5 kryetarë të Tiranës,  një zëvendëspresident të Maqedonisë, 1 Shef dhe një Zëvendësshef të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, 4 kryetarë të Komunitetit Mysliman Shqiptar, 1 kryetar të Katolicizmit në Shqipëri, 2 anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, 2 komandantë të Xhandarmërisë Shqiptare, një komandant të Gardës Mbretërore dhe 12 gjeneralë, 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese dhe 1 anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, 2 anëtarë të Byrosë Politike të ish Komitetit Qendror të Partisë së Punës, 1 sekretar të  ish Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe një drejtor të Përgjithshëm të Policisë. Gjithsej në krye të institucioneve shqiptare kanë drejtuar e kontribuuar në të dy anët e kufirit shtetëror  51 dibranë. Për këto arsye, dhe të tjera, mund të thuhet pa mëdyshje se rruga 100-vjeçare e arsimit shqip legal në Dibër është një rrugë suksesi e mbushur me arritje cilësore në të gjithë procesin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies.

 

*Anëtar i Përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqiptare të Shkencave dhe Arteve

SOM  1

“Golloborda është krahina që  ka dhënë, krejt ndryshme me të gjithë territorin e Shqipërisë, siç nuk ka ndodhur askund tjetër, edhe tre martirë të gjuhës e të arsimit shqip, siç janë Vasil Mlladen Pleushku, Haziz Lila dhe Hoxhë Moglica, të cilët vunë jetën e tyre në themelit e arsimit e të gjuhës shqipe, sepse që të tre pikërisht për faktin se ata ishin përhapësit dhe nismëtarët e shkollave e të gjuhës shqipe u vranë nga serbo-bullgarët  dhe sot atyre nuk u dihet as varri, sepse barbarët sllav ua zhdukën edhe ato”

SOM ME FOTO

 

 

CEREMONIA

 

Më datën 19 prill 2014, ora 09:00 , në sallën e  madhe të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, u mblodhën qindra dibranë e dibrane dhe të ftuar të tjerë për të kremtuar 100-vjetorin e shkollave të para shqipe legale në Peshkopi dhe në Trebisht të Gollobordës… Në përfundim të aktivitetit u dhanë titujt “Qytetar Nderi” për 6 figura të arsimit në Lurë. Këto tituj u akorduan për Ali Koçekun, Xheladin Tollen, Jashar Kacin, Hamit Ajazin, Hilmi Kolgjegjën dhe Kasem Hotin. Ndërkohë, me certifikata “Mirënjohje” u vlerësuan disa ikona të arsimit shqip, si: Vahid Kormaku, Islam Hoxha, Mustafa Shahinaj, Osman Moglica, Osman Uliu, Idriz Biba, Gafur Karaibrahimi, Selman Koçi, Hilmi Sadikaj, Vasil Mlladen Pleushku, Sefedin Hasani e Mehmet Çadri.