Dr. Ndriçim Mehmeti/ Shpjeguesi (udhëzuesi) pa shpjegim

630
Sigal

Të gjithë punonjësit, e veçanërisht ata të arsimit, e dinë fare mirë se cili është qëllimi i daljes së një shpjeguesi (udhëzuesi). Çdo udhëzues, del si nevojë e shpjegimit (besoj se MAS duhet të gjente fjalë më përshtatshme në gjuhën shqipe, për të zëvendësuar fjalën udhëzues)  të një procedure, e cila, gjen vështirësi të zbatimit në praktikë ose qëllon të jetë e paqartë për ata që e zbatojnë, apo e pamundur të zbatohet në kushtet reale. Pra, një udhëzues del si një nevojë e ngutshme, për të mos krijuar rrethana të pakëndshme, për një masë të madhe të publikut siç është në rastin që po flasim mënyra e vlerësimit të nxënësve të shkollave 9-vjeçare. Në këtë rast ka dy mundësi: Ose dalja e një udhëzuesi që shpjegon qartësisht hapat për ta përshtatur një akt nënligjor (urdhër, udhëzim, rregullore etj., të dalë më parë për këtë qëllim), ose rrëzimi krejtësisht i këtij akti nënligjor dhe hartimi i një të riu, që të jetë më i zbatueshëm. Shpjeguesi (udhëzuesi) nr. 2499, datë 8 prill 2014, i dalë me firmën e Sekretarit të Përgjithshëm, tenton, t’i shpjegojë apo për të qenë më realist, t’i mësojë mësuesve sesi nxirret nota e nxënësve nga klasa IV-IX. Pra ky udhëzues, siç e përmenda më lart, krijon përshtypjen se në fund të shkollës u pa nevoja për ta hartuar sa më shpejt, pasi rrezikonin që nxënësit të mos vlerësoheshin.  Po a jemi në kushte të tilla? Në fakt, ne nuk jemi në kushtet kur kërkohet një udhëzues vlerësimi në shkollën 9-vjeçare, aq më tepër që udhëzuesi i dalë në datën 8 prill 2014, i referohet pikë për pikë Dispozitave Normative të Arsimit Parauniveristar. Pra, ja që nuk na mungon një dispozitë ligjore, e cila parashikon të gjitha hapat e marra për vlerësimin në arsimin bazë. Mirëpo ky ndryshim i bërë menjëherë ka në vetvete disa dilema të mëdha: Pse rreth dy muaj përpara përfundimit të shkollës ndodh një gjë e tillë? Cila është baza ligjore që lejon zëvendësimin e udhëzimit të fillimit të vitit të ri shkollor 2013-2014 si dhe udhëzimin e mëparshëm të vlerësimit? A mundet të bëhej amendim i këtyre udhëzimeve. Çfarë nuk ka shkuar deri tani në vlerësimin e nxënësve, që duhet patjetër të ndryshohet në këtë muaj? A ka një analizë të tillë? Si shumë pyetje të tjera edhe këto nuk kanë për të marrë përgjigje. Por le të cekim, në detaje problematikat e këtij udhëzuesi.

Paligjshmëria e shpjeguesit (udhëzuesit)

Në një amulli të plotë, udhëzuesi, na jep prova pas provash sesi llogaritet nota, duke përfunduar tek nota mesatare vjetore e ponderuar. E gjitha kjo justifikohet se Neni 48 i Ligjit 69/2012 datë 21.06.2012, i jep të drejtën Ministrit që të përcaktojë “Rregullat e notës mesatare për një vit shkollor me anë të një udhëzimi”. Pra, është fare e qartë që ligji kërkon, një Udhëzim. Në bazë të Nenit 102, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “Ministri, brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, drejton nën  përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetencë. Ministri, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhra dhe udhëzime”.  Pra, të drejtën për daljen e një Udhëzimi, e ka vetëm Ministri. Atëherë, përse Ministri i Arsimit dhe Sportit nuk ka ushtruar kompetencat e veta kushtetuese, për të nxjerrë një udhëzim? A ia njeh ligji dhe Kushtetuta Ministrit, të drejtën për të transferuar kompetencat e tij gjetiu? Natyrisht, që jo. Prandaj është krejt e pavend që një udhëzues i dalë nga Drejtoria e Arsimit Parauniversitar, të zëvendësojë një udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe Sportit, për një çështje kaq delikate siç është vlerësimi. Në vijim të këtij arsyetimi, është për të ardhur keq, që Neni 48 i Ligjit është deformuar në Udhëzuesin e nxjerrë për vlerësimin e nxënësve në shkollat 9-vjeçare. Në asnjë pikë të tij, nuk flitet për mesatare të ponderuar. Për të qenë korrekt po e sjellim të plotë, pikën 2 të nenin 48, të këtij ligji: “Nxënësit e klasave të para, të dyta dhe të treta vlerësohen me fjalë dhe shprehje. Nxënësit e klasave të tjera vlerësohen me nota, numra të plotë nga 4 deri në 10, ku nota më e ulët kaluese është pesa. Nxënësit e arsimit të mesëm të lartë vlerësohen, edhe me kredite dhe me shprehje në vlerësimin përfundimtar”.  Referimi që i është bërë për të justifikuar ndryshimet në vlerësimin e nxënësve, krijon akoma më shumë konfuzion sesa i jep shpjegim mësuesit, për këtë proces. Ndërkohë që edhe pika e fundit e Nenit 48, e cila është marrë si shembull, për të justifikuar ndryshimin në vlerësim, është dhënë në udhëzues në mënyrë jo të plotë. Kjo pikë në ligj është kështu: “Rregullat e kalimit ose të përsëritjes së klasës dhe të njehsimit të notës vjetore lëndore, të notës së tij mesatare për një vit shkollor, si dhe të krediteve përcaktohen me udhëzim të ministrit”. Pra Ligji në mënyrë të prerë shprehet, se vlerësimi rregullohet vetëm me udhëzimin e Ministrit dhe jo shpjegimin e Dispozitave Normative për këtë qëllim. Përpos kësaj udhëzuesi nuk i jep shpjegim edhe problemeve të rëndësishme si: Si do të bëhet vlerësimi në shkollën 9-vjeçare me kohë të pjesshme? Për këtë, është ende në fuqi një Udhëzim i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, nr. 29, datë 02.08.2013 “Për procedurat e ndjekjes së arsimit bazë me kohë të pjesshme”, Kreu III, pika 1, i cili, përcakton se: “Vlerësimi ditor e vjetor i nxënësve, kalimi i klasës dhe sesioni i vjeshtës në shkollën me kohë të pjesshme, është si në shkollën me kohë të plotë”. Brenda kësaj logjike: A do të vlerësohen në këtë mënyrë nxënësit e “Shansit të dytë” dhe ata të ngujuar? Problemi tjetër është: Cila do të jetë vlera e Provimeve të Lirimit në mesataren e ponderuar të nxënësit të klasës së IX-të? Ne e dimë fare mirë se Provimet e Lirimit, kanë ngarkesën e më shumë se një viti shkollor. A janë përshtatur regjistrat e shkollës, për të pasqyruar mesataren e ponderuar?

Çfarë do të ndodhë me vlerësimet që u janë dorëzuar nxënësve dhe prindërve në fund të semestrit të parë?

Në fund të semestrit të parë, nxënësve dhe prindërve u janë dorëzuar rezultatet semestrale. Mbi bazën e tyre, ata kanë bërë analizën e arritjeve të tyre, për të parë ku kanë çaluar, çfarë do të përmirësojnë dhe si mund ta arrijnë këtë. Po kështu, muaji shkurt dhe mars, i ka dhënë kohë për të provuar nëse mund të arrijnë rezultate më të mira. Mirëpo, me këtë udhëzues, gjithçka kthehet mbrapa. Eventualisht jo pak nxënës do të penalizohen, jo për faj të tyre, në rezultatet e fundit të vitit. Prindërit do të mbeten edhe më të habitur dhe me siguri do të mendojnë se këtu kemi të bëjmë me një problem. Ku do ta kërkojnë zgjidhjen? Natyrisht tek dy grupimet më të pafajshme në këtë mes: Mësuesit dhe nxënësit. Prindërit do të duan të dinë, është mësuesi apo fëmija e tyre që i ka gënjyer? Si mund të ndryshojnë kaq shumë rezultatet e semestrit të parë me atë të dytë? Ç’do të thotë për ta mesatare e ponderuar? Përpara tensionit të këtyre prindërve, mësuesi do të përpiqet të gjejë justifikim, për këtë vlerësim, në shpjegime të tilla si: Tani na erdhi nga Ministria; Na mirëkuptoni se ne duhet ta zbatojmë këtë udhëzues; S’ka gjë se shkollë 9-vjeçare është dhe s’u hyn shumë në punë mesatarja etj, etj.

Pse u bë ky ndryshim në vlerësim?

Po përse ky ndryshim në fund të vitit? Për transparencë? Për nxjerrjen e rezultateve sa më reale? Apo që të luftojë fiktivitetin në arsimin 9-vjeçar? Në kaq pak ditë që ka mbetur për shkollën, asgjë nuk mund të arrihet. Tani që MAS vendosi të “vejë pikat mbi i” duke filluar nga shkolla 9-vjeçare, me këtë udhëzues, që për të thënë të drejtën, askush nuk e di bazën ligjore të tij, nuk bëri gjë tjetër, vetëm sa prishi rregullat në mes të lojës. Vite më parë, nuk mungonin zërat deri në ulërima, vetëm pse ndryshonte një pikë e Maturës Shtetërore, në muajin dhjetor ose janar. Dhe argumenti ishte i njëjti: Pse nuk u lajmëruan nxënësit që në fillim të shkollës. Tani që, ndryshimi i vlerësimit për shkollat 9-vjeçare, u bë në muajin prill, kjo quhet se është më se normale. Edhe nëse do të arrijë të funksionojë ky lloj vlerësimi me këto të meta që ka, a e kemi marrë në konsideratë lëndimin e shpirtit të nxënësve? A është menduar se ata, nuk do të kenë ndonjë motiv të madh për të mësuar në vitet e tjera, pasi rezultati i tyre, mund të ndryshoj krejt papritur në fund të vitit. Kjo duket se nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Në fund të fundit në Shqipëri jemi dhe çudia më e madhe nuk zgjat më shumë se tre ditë. A mund të ngushëllohemi me këtë?

Për t’i dhënë njëfarë shpjegimi këtyre masave paradoksale, si gjithnjë na vjen në ndihmë Konica: “Njerëzit që shumëzojnë rregullore të panevojshme e qesharake, rregullore dhe ngjeshin nyja mbi nyja, janë nxënësit e osmanlinjve, të cilët kanë qenë më të mëdhenjtë kartënxirës të botës. Kur merr në sy turmën qesharake, të padobishme,dhe të kushtueshme të robotëve që i pinë gjakun Shqipërisë dhe i thajnë burimet e jetës, njeriu pyet vetveten, vallë nuk do të ishte më mirë sikur pjesën më të madhe të punës në zyrat e Guvernës sonë ta mbaronin një sistem makinash të vërteta? Po ata që rregullojnë zyrat e Shqipërisë, s’janë të zotët të marrin mësime nga historia.”