Alqi Kadenasi*/ Konkurrimet në administratë, s’mund të jenë vetëm çështje procedurash

577
Sigal

Arsimi shqiptar mes konkurrimeve për t’u punësuar dhe testeve për studentë aspirantët

Një çështje e ditës mbetet e tillë për sa kohë nuk shihen ndryshime që ta zhvendosin atë çështje nga problemet e përparësisë. I tillë ka qenë dhe vijon të mbetet problemi i administratës. Zhurma e madhe që bëhet tek ne për Ligjin e Nëpunësit Civil, duket se ka zbehur dhe zhvendosur vëmendjen e merituar ndaj efektivitetit të administratës, ndaj aftësive të saj, duke e fokusuar vëmendjen në faktin se si po zbatohet ligji e procedura e konkurrimit.

Diskutimi lidhur me reformën territoriale dhe administrative, doemos do të rigjallërojë çështjen e administratës, efektivitetit të saj. Tek e fundit, një nga shkaqet e rëndësishme të domosdoshmërisë së asaj reforme, mbetet efektiviteti i administratës publike. Ka mendime që për çdo punonjës administrate, rëndësi parësore për efektivitetin e tij ka rritja e sasisë së kompetencave, kur është vërtetuar që jo rritja e tyre, por forca e punonjësit për zbatimin e kompetencave është themelore. Dhe forca e punonjësit, forca e administratës, është aftësia e saj për të programuar punën. Programimi në punë është një proces i vështirë në zbatim. Të programosh, do të thotë të parashikosh. Një administrator është i fuqishëm, kur në punën e tij ai ka disa programe. Një punonjës, të cilit i mungon programimi është i pavlefshëm, i padobishëm e jo efektiv. Programimi duhet të jetë strategjik dhe të bëjë parashikime të përgjithshme. Minimalisht, një zyrë publike dhe jo vetëm, do të duhej të parashikonte qëllimet e saj të një viti. Funksioni i parë i administratës publike është programimi. Zgjedhja e personit apo personave të duhur në administratë është një sfidë që jo gjithmonë rezulton e suksesshme. Po vendose në timonin e anijes një kuzhinier, atëherë anija nuk shkon atje për ku ishte nisur, por më së shumti do të ketë një menu. Në këtë rast, kuzhinieri do të kënaqte ekuipazhin e anijes, por jo pasagjerët. Pasagjerët dhe udhëtimi, ishin në fakt, objektivi themelor. E ai mbeti i parealizuar. Ka një ide, sipas së cilës, që të përsoset administrimi, do të duhej të privatizohej gjithçka. Kjo është e diskutueshme e jo vetëm tek ne, por edhe në perëndim. Administrata publike dhe ajo private kanë shumë ndryshime. Ato s’duhen ngatërruar. Karakteristika e administratës publike është se ajo nuk ka padron si administrata private. Kryetari i bashkisë nuk është padroni i bashkisë, i administratës së saj, ai me kohë ndryshohet, zëvendësohet. Në botën private kemi pronarin. Ai është i fuqishëm dhe do të jetë gjithmonë pronar i strukturës administrative. Një administratë efektive do të duhet të sqarojë objektivin e saj. Po të tregojmë objektivin, atëherë të tjerët, kur na kuptojnë, do të na ndihmojnë. Programimi i qartë i objektivit, tërheq njerëzit dhe ndikon që edhe ata të kontribuojnë në realizim. E në këtë rast, është e rëndësishme që t’i mësojmë njerëzit të shkëmbejnë komplimente. Jemi mësuar të shkëmbejmë vetëm akuza ndaj njëri-tjetrit. Në veprimtarinë e përditshme, jo rrallë, dëgjojmë punonjës që përsërisin refrenin: kam punë shumë urgjente. Këta punonjës janë thjesht kundërshtarë të programimit. Çdo punë në administratë, çdo detyrë ka dy aspekte të saj. Ajo vlerësohet, së pari, për nga urgjenca me të cilën duhet të realizohet detyra dhe, së dyti, për nga rëndësia që ka kjo detyrë. Përvoja e administratave publike në shumë vende si Angli, Skoci apo Suedi na mëson se në të gjitha rastet, kur në plan të parë të realizimit të detyrës vendoset urgjenca, administrata angazhon punonjës të vjetër, njohës të mirë të praktikës. Në raste të tilla nuk hyjnë në procese njerëzit e rinj, ata me ide, pasi urgjenca kërkon njerëz të zbatimit. Urgjencat kanë një model tipik hierarkik apo ndryshe modelin e urdhrit. Ekspertët e fushës, këtë e quajnë komunikim me një vijë, komunikim zbatimi. Kur punohet me modelin hierarkik, atëherë kompetencat brenda administratës përqendrohen tek duart e shefit. Të tjerët marrin vetëm detyra, urdhra.

Nga ana tjetër, kur ne punojmë me modelin e rëndësisë, atëherë ne detyrohemi të punojmë mbi bazën e funksionit. Përvojat e vendeve me administrata publike efektive janë shumë të pasura. Ajo që bie në sy lehtë është fakti, që ka në të gjitha rastet, një kombinim gati perfekt, të punonjësve me përvojë të gjatë dhe atyre me përvojë të vogël, të punonjësve me stazh dhe atyre të rinj. Reforma e pritshme territoriale, pritet të krijojë hapësira për një administratë shumë më të kualifikuar publike. Gjithashtu, vetë funksionimi i ligjit për shërbimin civil, nxjerr në pah domosdoshmërinë e ndërtimit dhe funksionimit të një administrate plotësisht efektive.

Por, pa pasur asnjë paragjykim, duket se, sot për sot, theksi i përzgjedhjes së kandidatëve përmes konkurseve, është i përqendruar mbi gjithçka tek respektimi rigoroz i kritereve, i procedurave të rekrutimit të punonjësve. Pa anashkaluar respektimin dhe përsosjen e procedurave, përkundrazi, duket se kujdesi për përzgjedhjen e administratës publike nuk fokuson pikërisht elementin e rëndësishëm të ndërthurjes së brezave të specialistëve. Ndoshta frika nga korrupsioni, ndoshta dëshira e futjes së “frymës së re”, ndoshta edhe dëshira e mirë për rekrutime punonjësish me moshë të re, duket se çojnë në ekuilibra të rinj, por të provuar gjetkë, që nuk sjellin efektivitet në administratë. Fakti që, me kryerjen e konkursit, është aplikanti, ai që përcakton institucionin se ku do të punojë, duket se ka vlera shumë pozitive. Por, gjykojmë se, në thelb, s’është tamam kështu. Në përzgjedhjen finale, do të duhej domosdoshmërisht të mbahej në konsideratë struktura aktuale e administratës, ku do të bëhej pranimi i ri. Në çdo rast, efektiviteti i administratës është pa asnjë dyshim, edhe derivat i raporteve mes punonjësve me eksperiencë e atyre pa përvojë profesionale, por me formimin e duhur kulturor e arsimor. Nuk është e vështirë të kuptohet se në konkurrimet për punësim në administratë, punonjësit me përvojë dhe eksperiencë do të ishin si rregull, më të avantazhuar se konkurrentët e rinj. Kjo situatë do t’i mbyllte dyert e administrimit të punëve të gjithë kontigjentit të ri, plot ide e të formuar profesionalisht. Por, në raste të tjera, mund të ishte krejt e kundërta. Ndërsa detyra e komisionit përzgjedhës për konkurrim, mbetet renditja profesionale e pikëzuar e kandidatëve, me ligjin aktual, institucioni pritës, sektorët e burimeve njerëzore të tyre, mbeten tërësisht jashtë loje. Kur në një administratë dominon elementi me përvojë të gjatë, atëherë prurja e re përmes konkurrimit, do të duhej të sillte një element me moshë të re. Ndryshe do duhej të vepronte organizmi përzgjedhës, kur nevoja për specialist vjen nga një institucion ku në administratë, dominon mosha e re. I përzgjedhuri, do të duhej të vinte nga radhët e kandidaturave fituese, por që të kishte përvojë, eksperiencë profesionale, stazh të gjatë pune. Konkurset, s’duhet t’i ngjajnë përzgjedhjeve robotike. Ekipet përzgjedhëse të kandidaturave, drejtuesit e institucioneve, e kanë hapësirën ligjore të realizojnë ekuilibrat e duhur profesionalë në stafet e punonjësve. Sa më mirë të përfitojmë nga përvoja e të tjerëve, aq më shpejt do ecim në rrugën e tyre.

*Specialist i Kuadrit Arsimor

*Ish-drejtor DAR Durrës

Rregulla të reja për Maturën Shtetërore 2015

Ministrja e Arsimit ka firmosur rregullat që duhet të ndiqen gjatë zhvillimit të Maturës Shtetërore 2015 për të gjithë ata kandidatë që aspirojnë për të vazhduar më pas studimet universitare dhe jo vetëm maturantët 2014-2015. Të drejtën për të dhënë provimet e Maturës Shtetërore, e kanë të gjithë ata kandidatë, të cilët kanë përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme dhe që do të plotësojnë formularin A1 ose A1Z. Ky formular do të bëhet publik dhe do të shpërndahet për ta brenda datës 25 shkurt. Bazuar në rregullore, çdo maturant që fiton provimet e detyruara dhe me zgjedhje, pajiset me Diplomë, ndërsa ata që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014 dhe nuk janë pajisur me Diplomë, nuk do të japin gjuhën e huaj si provim të detyruar. Pasi kanë fituar provimet e Maturës, ata marrin Diplomë dhe Certifikatë të Maturës Shtetërore, modeli i vitit 2011. Provimet e Maturës zhvillohen vetëm me shkrim dhe kandidati nuk quhet kalues nëse ka marrë më pak se 20 për qind të pikëve të testit. Ndrysa zgjedhja e testit do të bëhet në mënyrë dixhitale.

Aplikimi on-line për A1/A1Z

Formulari A1/A1Z do të shpërndahet për kandidatë brenda datës 25 shkurt, bashkë me udhëzuesin për plotësimin e tyre dhe koeficientet e shkollave e lëndët me zgjedhje. gjithashtu deri në javën e fundit të shkurtit, do të bëhen publike dhe programet e studimit, të cilat ofrohen nga Institucioni Publik i Arsimit të Lartë (IPAL) për vitin akademik 2015-‘16. Brenda kësaj date kandidatët do të njihen dhe me tabelën e indekseve të degëve si dhe drejtimet për çdo shkollë të mesme. Maturantët bëjnë aplikimin online fillimisht në Portalin Qeveritar e-albania në periudhën 1-15 mars 2015 dhe më pas në Portalin Matura Shtetërore 2015 në periudhën 10-31 mars, sipas një plani kalendar të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Plotësimi i formularit A1 ose A1Z do të bëhet në shkollat ku kandidatët kanë kryer ose janë duke kryer aktualisht shkollën e mesme. Në rast se shkolla është mbyllur, vendi ku do të plotësohet formulari A1Z do të përcaktohet nga Komisioni i Maturës Shtetërore, në të cilin kandidatët duhet të paraqesin kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve, kopjen e noterizuar të dëftesës së Pjekurisë, vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, me fotografi si dhe certifikatën e Maturës me notat e shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës.

Kandidatët e maturës 2006-2014

Kandidatët e Maturës Shtetërore 2006-2014, aplikojnë për në universitet, bazuar në rezultatet e viteve të mëparshme të Maturës Shtetërore, nëse pas verifikimit nga AKP-ja rezulton se: a) Nuk janë shpallur fitues, b) Janë shpallur fitues dhe nuk janë regjistruar; c) Janë shpallur fitues dhe janë çregjistruar, vërtetuar nga dekanatet përkatëse me shkresë zyrtare në AKP. Fleta origjinale e çregjistrimit dorëzohet pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve para aplikimit me formularin A1Z, që të bëhet i mundur çregjistrimi në sistemin e Maturës dhe heqja e numrit të matrikullimit. Fotokopja e fletës së çregjistrimit dorëzohet në shkollën ku do të bëjë aplikimin online me formularin A1Z. Aplikantët që do të plotësojnë formularin A1Z duhet të plotësojnë një deklaratë personale ku të shprehen se nuk janë të regjistruar në asnjë program studimi në universitetet publike apo private. Kjo deklaratë dorëzohet në shkollën ku aplikojnë.