Alfons Harizaj: Pas plotësimi të A2-t, libri i transparencës. 33 mijë maturantë në garë për në universitet

624
Sigal

Formulari A2 është plotësuar nga 33 mijë maturantë, që janë bërë pjesë e garës për të fituar një të drejtë studimi në institucionet e arsimit të lartë. Këtë e konfirmon për “Telegraf” Alfons Harizaj, kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Data 5 gusht ishte dhe dita e fundit e plotësimit të formularit A2 nga maturantët e qarkut të Kukësit. Por më pas MASH shtyu afatin e plotësimit të Formularit A2 në datat 6 dhe 7 gusht 2013, për të gjithë ata maturantë që nuk mundën ta plotësojnë atë në datën e caktuar për rrethin e tyre. Hapi i radhës, pas përmbylljes së plotësimit të A2, është libri i transparencës. Harizaj shpjegon se pas publikimit të librit të transparencës, vijnë korrigjimet. “Maturantët nëse gjejnë diçka të pasaktë, apo diçka që s’shkon në konceptin e tyre, emri nuk është i saktë, datëlindja është gabim, pikët nuk janë të llogaritura mirë në pretendimin e tyre. Maturanti ka të drejtë të shënojë çfarëdolloj pretendimi për të dhënat që janë shfaqur. Ne e verifikojmë dhe i themi nëse ka, apo jo të drejtë. Ndërsa fituesit dalin nga mesi i shtatorit” shprehet Harizaj. Ndërsa për sa i përket pyetjes nëse ka pasur ndonjë rast gjatë shpërndarjes së fotokopjeve të testeve, ku maturanti nuk ka gjetur dot testin e tij, kreu i AKP-së shprehet se: “Në asnjë rast nuk ka ndodhur, në asnjë maturë. Ne këtë e kemi gurin e provës. Ka pasur raste që ai nuk e gjen, sepse ka gabim sekretimi dhe ne duhet të grumbullojmë prova që cili nga këta teste është i tij. Ai e sheh dhe nuk e pranon që është testi i tij, pasi kërkon të përfitojë për të marrë ndonjë test me pikë më shumë, se të vetin e ka në xhep ai. Por dhe këto raste numërohen me gishtat e dorës”.

Libri i transparencës

Pas shtyrjes së afatit për plotësimin e A2, del libri i transparencës. Çdo shkolle i shkon libri i transparencës dhe maturanti duhet të shohë të dhënat e veta, atë që ka plotësuar në sistem, pikët e llogaritura për çdo preferencë, bllokun me të dhënat personale. Ai duhet të shohë me kujdes të dhënat që i kanë dalë, se i krahason shumë lehtë, di vetë t’i llogarisë, di vetë kush janë të dhënat e tij personale dhe i intereson në fund të fundit të kërkojë, që në rastin kur ato janë të paplota dhe të pasakta t’i plotësohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Mund të ketë një të dhënë të pasaktë për emrin, në mesatare ose në bllokun e të dhënave personale. Këto ndodhin në raste të rralla, por sidoqoftë ata duhet ta kenë në vëmendje për ta shqyrtuar me kujdes dhe për të  mbajtur shënim se çfarë është e pasaktë, për ta rregulluar më pas tek ne për fazën finale të shpalljes së fituesve, e cila mendohet të jetë nga mesi i shtatorit.

Vendim/ Miratohen kriteret që duhet të plotësojnë nxënësit dhe studentët për të përfituar nga 3550 bursa shteti

Bursa e shtetit, kriteret që duhet të plotësohen

Miratohen kriteret që duhet të plotësojnë nxënësit dhe studentët për të përfituar nga 3550 bursa shteti që janë miratuar për vitin akademik 2013-2014. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave që u mor ditën e mërkurë, veç studentëve, që kanë të drejtë të përfitojnë bursë, sepse përmbushin kriterin ekonomik, të drejtën për bursë e kanë studentët që kanë mbaruar shkollën e mesme me Medalje Ari. Ndërkohë që stimulohen edhe studentët, që vazhdojnë studimet në programin e studimit Matematikë dhe Fizikë, në vitin e dytë e lart, dhe kanë mbaruar vitin akademik paraardhës me notën mesatare mbi 8 tetë. Nxënësit dhe studentët e të gjitha kategorive nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të bursës kur, janë ndarë nga trungu familjar; familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private; vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi; si dhe shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese. Sipas vendimit të qeverisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për vitin e ri akademik 2013-2014, urdhërohet të japë 1650 bursa për nxënësit dhe 1900 bursa për studentët, për hyrjet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik.

KRITERET & KATEGORITË

Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët që ndjekin një program studimi të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Kjo përcaktohet në vendimin e qeverisë, e cila u miratua ditën e mërkurë dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Vendimi parashikon kategoritë që përfitojnë sipas kriterit ekonomik, ato që kanë statusin e jetimit, që banojnë në fshat, por nuk kanë shkollë 9- vjeçare brenda rrezes 5 km, nxënësit/studentët të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik, secili nga studentët bashkëshort me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik dhe që vendoset në konvikt publik etj. Gjithashtu bursën e përfitojnë studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit, të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Për vitin akademik 2013-2014, numri i tyre do të jetë 25 (njëzet e pesë) studentë. Kjo kategori studentësh përfiton bursë kur ata vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë publik dhe vetëm për këtë vit akademik. Përfitojnë edhe ata studentë që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta).

Përfitojnë bursë nxënësit dhe studentët, brenda kuotave dhe kritereve të përcaktuara në këtë vendim:

1. Sipas kriterit ekonomik (nxënës/studentë):

a) Nxënësit/studentët, që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre në largësinë mbi 5 km dhe plotësojnë kriterin ekonomik

b) Nxënësit, që banojnë në fshat, të cilët nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km e që vendosen në konvikt publik.

c) Nxënësit/studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.

ç) Nxënësit/studentët, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.

d) Secili nga studentët bashkëshort me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik dhe që vendoset në konvikt publik.

dh) Fëmijët, nxënës apo studentë, që kanë statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.

2. Sipas rezultateve të arritura (nxënës/studentë):

a) Nxënësit e arsimit të mesëm profesional, që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta).

b) Nxënësit, të cilët vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 (tetë).

c) Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që kanë mbaruar shkollën e mesme me Medalje Ari.

ç) Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Për vitin akademik 2013 – 2014, numri i tyre do të jetë 25 (njëzet e pesë) studentë. Kjo kategori studentësh përfiton bursë kur ata vazhdojnë studimet në institucionet publike të arsimit të lartë dhe vetëm për vitin akademik 2013 – 2014.

d) Studentët,që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta).

dh) Studentët, që vazhdojnë studimet në programin e studimit “Matematikë” dhe në programin e studimit “Fizikë”, në vitin e dytë e lart, dhe kanë mbaruar vitin akademik paraardhës me notën mesatare mbi 8 (tetë).

3. Jashtë kriterit ekonomik (nxënës/studentë):

Nxënës apo studentë, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.

4. Sipas degëve prioritare për zhvillimin e ekonomisë

(nxënës):

Nxënësit, që regjistrohen në shkollat e mesme profesionale në degët bujqësore, veterinare, pyjore, ndërtim, shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit dhe gjeologji – miniera. Prioritet në trajtimin me bursë kanë nxënësit që ndjekin shkollat profesionale dhe me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit, si Tropoja, Hasi, Puka, Kukësi, Dibra, Bulqiza, Mati, Mirdita, Malësia e Madhe, Librazhdi, Gramshi, Kolonja, Përmeti, Pogradeci, Skrapari dhe rrethi Tepelenë.

Nxënësit dhe studentët e të gjitha kategorive të sipërpërmendura nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të bursës, kur:

a) janë ndarë nga trungu familjar;

b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;

c) vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi;

ç) shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për

arsye të rezultateve jokaluese.