Prof.Dr. Bajram Hysa/ Arsimi dhe Shqipëria, në rreth vicioz

1835
Sigal

 

Arsimi dhe Shqipëria, në rreth vicioz

Prof. Dr. Bajram Hysa

Buxheti i vogël dhe nevoja për të ulur borxhin e lartë publik e ka vendosur Shqipërinë në një rreth vicioz, atë të pamundësisë për të mbështetur sektorët prioritarë të ekonomisë, arsimin dhe shëndetësinë. Qeveria shqiptare në rishikimin e buxhetit 2019 ka shkurtuar fondet për arsimin e lartë me 196 milionë lekë ose rreth 1,6 milionë euro, teksa fondi është 2.5 mln euro më i ulet se, i vitit 2018. Në buxhetin fillestar të vitit 2019 për Ministrinë e Arsimit ishin miratuar 7.4 miliardë lekë, ndërsa me rishikimin e buxhetit që tashmë është botuar në fletoren zyrtare financimet për arsimin e lartë janë 7.2 miliardë lekë ose rreth 200 milionë lekë më pak në fillim vit . Fondet e dedikuara për universitetin këtë vit janë programuar edhe në një nivel më të ulet se një vit më parë. Në aktin e dytë normativ të buxhetit 2018, fondet për arsimin e lartë ishin 7.5 miliardë lekë ose 300 milionë lekë (2.5 mln euro) më të larta se rishikimi i fundit i buxhetit 2019. Në 8 vitet e fundit, buxheti i arsimit të lartë është luhatur në 10 miliardë lekë në vit, ku rreth 7 miliardë financohen nga buxheti i shtetit dh pjesa tjetër më shumë se 3 miliardë lekë nga tarifat që paguajnë studentet për studimet e larta. Parashikimet afatmesme të financave publike sugjerojnë se financimet për arsimin dhe shëndetësinë do të mbeten të ulëta edhe për vitet në vijim.

Vitin e ardhshëm qeveria pritet të shpenzojë 465 milionë euro ose 3.3 për qind të prodhimit kombëtar për arsimin, me një rritje prej 0.1 për qind krahasuar me vitin aktual. Ndërsa për shëndetësinë buxheti publik mbetet i njëjtë me këtë vit, saktësisht 2.9 për qind e prodhimit kombëtar. Kjo mbështetje është e pamjaftueshme. Edhe vendet e varfra kanë rënë dakord që brenda vitit 2020 shpenzimet për arsimin të shkojnë në 5 për qind të prodhimit kombëtar.

***

Por ky nuk është problemi i vetëm. Këtu ndikojnë shpenzimet e pakontrolluara publike, barra në rritje e borxheve, amullia dhe rënia ekonomike, rritja demografike e shpejtë, acarimi i pabarazive ekonomike e sociale. Po përballemi çdo ditë me një krizë ekonomike që dita ditës bëhet më e rëndë. Kjo bën që të mos i kushtohet vëmendje shkencës dhe arsimit, ca më pak zhvillimit të burimeve njerëzore. Pra, e ritheksojmë, jemi në një rreth vicioz, nga njëra anë mungojnë burimet për të caktuar fonde për arsimin dhe shkencën, nga ana tjetër nuk mund të ekzistojë rritja ekonomike dhe zhvillimi i mundshëm pa mbështetjen e shkencës dhe teknologjisë për t’iu përshtatur kërkesave reale kombëtare.

Gjithashtu duhet të jetë e qartë për të gjithë se financimet e ulëta në arsim dhe shëndetësi frenojnë jo vetëm rritjen ekonomike, por edhe zhvillimin social të vendit.

***

Me qëllim që të ekzistojë një politikë e vërtetë kombëtare e zhvillimit arsimor e shkencor, duhen kërkuar zgjidhje origjinale dhe jo të ngurta, duhet të ndryshojnë skemat e të menduarit qeverisës dhe jo fokusimi te PPP-të. Duhet të rishqyrtohen strategjitë, të ripërcaktohen konceptet, të përshtatet larmia e metodave, proceduarave e normave, me një fjalë të rishikohet gjithë politika e derisotme . Mendoj se edhe stafet akademike universitare nuk duhet të heshtin, por të ndikojnë në mbushjen e boshllëkut midis asaj që dimë dhe asaj që mund të bëjmë. Është e domosdoshme që mes stafeve akademike dhe pushtetit të farkëtohen marrëdhënie të reja, që proceset e konsultimit dhe vendimmarrjes të futen në perspektivë moderne evropiane. Marrëdhëniet midis përfaqësuesve universitarë dhe shtetit, për sa i përket ecurisë së përgjithshme, duhen konsideruar si marrëdhënie midis shkencës dhe shoqërisë. Universitetet duhet të luajnë një rol shoqëror me peshë dhe jo të kryejnë një aktivitet të mbyllur rutinor e burokratik, por të organizojnë debate për probleme të mëdha kombëtare të së tashmes apo të ardhmes.

***

Në katër vitet e fundit, për çdo vit akademik, në auditorët e universiteteve shqiptare po ulen më pak studentë. Shumë degë universitetesh u mbyllën, mijëra të rinj dergjen në injorancë dhe padije

Të varfrit, fëmijët e popullsisë së zonave të varfra apo të thella, askush nuk duhet t’i nënshtrohet diskriminimit për të përfituar shkollimin në universitetet tona publike.

E vetmja gjë që duhet të ndajmë në mënyrë të barabartë mes nesh është e ardhmja. Arsimi dhe shëndetësia nuk kanë të bëjnë me bindjet politike, por me projektin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë shqiptarët. Shkollimi është një e drejtë themelore për të gjithë, është baza e përparimit shoqëror, ekonomik e kulturor. Është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e individit dhe shoqërisë. Ne kemi një trashëgimi të pasur universitare dhe arsimore në tërësi, ndërkohë që sistemi i sotëm arsimor është i mbarsur me shumë mangësi. Në këto rrethana ka rëndësi që të ndryshojë ligji i ri i arsimit të lartë, i bërë me urgjencë dhe pa u konsultuar me grupet e interesit, me qëllim që të përmirësohet edukimi në universitete dhe të garantohet autonomia universitare. Kjo është një sfidë që nuk duhet lënë mënjanë, me gjithë rëndësinë dhe kompleksitetin që ka, pasi është investimi më i madh për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

 

***

A e kuptojnë pushtetarët luftën e përditshme që bëjnë qytetarët shqiptarë për të mbijetuar? Apo për vete jetojnë mes bollëkut dhe rehatisë? A e dinë ata ç’është varfëria? Të jesh i varfër nuk do të thotë të të mungojnë vetëm mjetet që duhen për t’u ushqyer, veshur dhe për t’u strehuar, por të të mungojë minimumi i edukimit e shkollimit, përkujdesjet shëndetësore, të jesh i papunë, të mos kesh plane për të ardhmen, të mos kesh mundësi të marrësh pjesë në jetën e përditshme, të mos kesh mundësi të zgjedhësh. Kjo është arsyeja kryesore pse qindra të rinj vërshojnë drejt emigracionit me shpresë për të gjetur horizonte dhe perspektiva të reja dhe ndërkohe vendi po boshatiset. Dhe ankohen pastaj pse nuk na i hapin negociatat! Kjo hemorragji duhet ndalur për të ruajtur potencialin e popullit shqiptar, aq i rëndësishëm për zhvillimin, konkurrencën dhe demokracinë.

Universiteti duhet të jetë i hapur për një numër të madh njerëzish, pasi ai shërben si një qendër e përhershme e formimit intelektual, duke iu përshtatur pa pushim nevojave të sotme dhe të ardhme të shoqërisë. Vetëm kështu Shqipëria mund të mbetet një tokë e banueshme.

***

Gjendemi në një shekull të ri që premton mundësi të reja. Universitetet duhet të shfrytëzojnë autoritetin moral për të shpallur dhe pohuar të vërtetat me objektivitet me realizëm përballë atyre që marrin vendime qeveritare.