XhevdetZekaj: Meglid Mihani dhe palo “profesorët”…

648
Sigal

 

Meglid Mihani dhe “profesorët” e leshit…

Pak më intereson fare polemika apo debati “Kola&Lila”, edhe përse të dy personat në fjalë janë jo pak të rëndësishëm për futbollin tonë, a pak kontribuar në futbollin shqiptar dhe jo pak i kam miq të dy, por realisht ka shumë probleme dhe të dy kanë të drejtë sipas këndvështrim tim modest.

Ajo që ma tërhoqi vëmendjen ishte një prononcim i sekretarit të Shoqatës së Futbollistëve, Meglid Mihani. Ai i drejtohej Agustin Kolës, Mjeshtrit të Merituar të Sportit, Mjeshtrit të Madh të Punës e me dhjetëra dekorime të tjera me “I nderuar profesor Kola”!

Duke e njohur mirë të madhin Agustin, e kuptoj fare mirë që nuk ia ndien nga ofendime të tilla të sheqerosura, po t’i thuash edhe “profesor”. Ai mjeshtër ka emër, është kampion, ka profesion, ka dinjitet, sepse gjithë jetën indinjohet nga falsifiteti, lajka apo lëvdime të pamerituara. Tini i ka të gjitha, famën, rezultatet, pjesëmarrjen me kombëtaren, lavdia e Tiranës, por ai është pedagog e mësues, trajner dhe mjeshtër, por jo “profesor”.

Këtë shkrim nuk e kam fare me Tinin, aq më pak me Meglidin, por me injorantët, lajkaxhinjtë dhe të paditurit, që nuk kanë as formim e as turp në keqpërdorimin e titullit akademik “profesor”! Shikoj në ekran ndonjë moderator/moderatore që ta shpif me idiotësinë dhe servilizmin, kur i thotë një gazetari “profesor”; atij që nuk ka bërë një shkrim problemor e jo më një punim shkencor! Ufff, të vjen të nxjerrësh zorrët e barkut me…. “profesorët” e leshit! Mirë ai/ajo qyqja/qyqari që drejton emisionin, por edhe matufi që fryhet si gjeli majë plehut, kur e dëgjon ta thërrasësh kështu. Fryhet e krenohet a thua është Ajnshtajni, apo Përparim Kabo, Artan Fuga, Ethem Ruka, Gudar Beqiraj, Dhori Kule, Klodeta Dibra, Edmond Dragoti, Nonda Varfi, Skënder Topi, Vilson Kuri, Anastas Angjeli etj,etj… Thjeshtë është një gazetar por kurrësesi “profesor”.

Është mirë t’ju rikujtojmë të gjithëve shumë pak nga lista e gjatë, që janë Pprofesorë Doktorë në sport e futboll: Shqyri Rreli, Miço Papadhopulli, Lluka Heqimi, Artan Shyti, Albert Karriqi, Profit Canaj, Bujar Kasmi, Agron Cuka, Lumturi Markolaj dhe shumë të tjerë. Ndjesë për ata që nuk po i rreshtoj këtu, por ka shumë e shumë të tjerë!

Thjesht, apeloj për të kuptuar se çdo të thotë të jesh profesionist i fushës tënde, qoftë ky edhe gazetar apo moderator sportiv. Edhe në këtë drejtim, secili duhet të tregojë profesionalizëm, të përditësojë njohuritë mbi të ftuarin në emision, ta dijë si ta prezantojë, jo të kopjojë atë deputeten koorporatiste a një dreq e di se çfarë. Ju ftoj ta vlerësoni seriozisht këtë gjë, sepse është gabim i formimit tuaj kulturor dhe profesionist para së gjithash! Thuaj mësues, pedagog, trajner, mjeshtër a çfarë të duash të ftuarit tënd, por jo profesor. Profesori është titull akademik, o njerëz! Madje, mund të shkruani Tirona(Tirana), Laqi(Laçi) e çfarë të doni, por mos e bëni këtë gafë. E keni parë Shakohoxhën? Ai nuk bie në kësi gabimesh,sepse nuk ka nevojë t’i bëjë qejfin asnjë “profesori” anonim, aq më pak ndonjë gazetari. Hiqni dorë nga këto idiotizma lajkatarësh e servilizma, sepse rrezatojnë padituri dhe mjerim profesional e intelektual. Na e shpifët me “profesorët” gjithfarë llojesh dhe kur nuk dinë nga lidhet gomari! Nuk iu shkon gazetarëve të prodhojnë pafund “profesorë” në studiot e tyre televizive! Ndryshe, Shqipëria do të bëhet vendi i profesorëve bufa, i hiçëve, i megalomanëve provincial televizivë sportivë.

Natyrshëm, duhet shpjeguar se si fitohet titulli “profesor”?Cili institucion e promovon dhe e miraton?Çfarë thotë ligji?Kush?Kur?Si?Çfarë?Përse? Paguheni mirë more moderatorë, përse nuk e vrisni mendjen sadopak, edhe pse e konsideroni veten gjigantë të gazetarisë sportive…

Edhe një herë, ju lutem , mos kopjoni kaubojsin dhe korporato-deputeten! Profesor (lat.professor – udhëheqës) është titull shkencor që iu jepet punonjësve të institucioneve të larta arsimore e kërkimore shkencore, të cilët kanë përvojë të pasur pune, kryejnë dhe drejtojnë me nivel të lartë punën mësimore dhe shkencore, zgjidhin nga ana teorike dhe praktike probleme të rëndësishme të ekonomisë e të shkencës; udhëheqin kualifikimin shkencor të punonjësve të tjerë; kanë botuar vepra studimore origjinale dhe me vlerë. Këto kërkesa ndryshojnë periodikisht (përfshirë numrin e botimeve, vitet në mësimdhënie, kërkimin shkencor, konferenca, udhëheqje doktoraturash, karriera etj,etj).Në Shqipëri, kushtet që duhen plotësuar nga një person, i cili dëshiron të fitojë titullin “Profesor”, përcaktohen nga Ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin (Zekaj Xh, Grillo K, Fjalori i Pedagogjisë, faqe 309, Kristal, Tiranë 2009).

Të jesh në shekullin e 21-të dhe të biesh në pozicionin e një analfabeti, të mos njohësh dhe respektosh fjalorin e gjuhës shqipe, as të kesh përgjeshmërinë minimale e profesionale, kjo e njollos dinjitetin tuaj. Ndonjëri do të thotë: Na çave kokën, gazetaret dalin me bikini poshtë zyrës së Kryeminsitrit,( Edhe përse dukej sa mend kishte, dhe mendonte ta bënte gazetarinë me shale gjoks jashtë si  tek “Zjarri” i Ismet Drishtit; këtu na mbyti korrupsioni, paaftësia, medikrioriteti, injoranca e gjithë të zezat, ndërsa ti kërkon qiqra në hell me përdorimin e titullit “profesor”.

Sot, nëpër ekrane “sfilojnë” një grup i madh gazetaresh, vajza profesioniste e të talentuara, mjaft serioze, që ecin në gjurmët e Enkeleida Zekos, Hygerta Sakos etj. Kemi një grup të madh gazetarësh dinjitozë sportivë, profesionistë të fjalës shqipe dhe formimit kulturor, që janë në radhë pas Çarçanit, Shakohoxhës, Agës, Stefës, Tashit, E.Tahirit, Nallbanit, Nurajt, Sinës, R.Bregasi, Resmjes, Grillos, Lundrës, Tafaj, Agalliut, Ymerajt, Methasanit, Skarços,Cicanit, G.Markut, Myrtajt e shumë e shumë të tjerëve(ndjesë për mundësinë e paktë për t’i përmendur të gjithë), por më shumë respekt për gazetarët e rinj të medias së shkruar: F.Shehu, A.Lleshi, A.Pepa, I.Cara, J.Selimi, O.Avdiaj, A.Metaliu, A.Cicani, Jaho, E.Saliu, G.Marku, M.Kola, E.Nika, J.Memo  e qindra të tjerë, që na informojë përditë, në çdo moment. Vajmedet, nëse i gjykoni kështu njerëzit e ftuar në emisionet tuaja, si “profesorë”!

Këta gazetarë që përmenda më sipër, por edhe të tjerë,  nuk abuzojnë as me lirinë e fjalës, as me forcën e lapsit! Këta janë të kujdesshëm e seriozë, sepse, nëse do të bëjnë “profesorë” çdolloj individi mediokër, çfarë t’i themi Vangjel Kojës e Kreshnik Tartarit, Bejkush Birçes e Shyqyri Rrelit, Neptun Bajkos dhe Astrit Hafizit, Skënder Jarecit dhe Qemal Shalsit, Anton Konës dhe Najzi Lleshit, Sul Demollarit dhe Panajot Panos, etj. Po më tej, pastaj a mund të gjenden tituj dhe epitete për Rinus Mishels apo Arrigo Sakin, Pep Guardiolën apo Mourinjon, Fergusonin apo Hejnkes, Shënin apo Zagallon, Lëvin apo Del Boske, apo, apo, apo… Jo, mor jo, nuk i bëni dot “profesorë” analfabetët, as iu jepni CV, as iu shtoni spaletat. Edhe vetë ata nuk kanë nevojë për këtë maskarallëk mediokrish, që fati u ka sjellë në derë gazetën, ekranin, mikrofonin, internetin, portalin…

Deontologjia e profesionit të gazetarit kërkon që të mos e paraqesim realitetin përmes “profesorëve” të ekranit, që bëjnë gjithollogun, por t’i përmbahemi rolit informues dhe investigues të terrenit. Meqë jemi në kohë karantine, ju kolegë të nderuar sportivë, qofshi edhe në rolin e moderatorit, merrni pak shembull nga gazetarët e terrenit, që raportojnë nga vija e zjarrit, na sjellin që aty informacion mbi Covid-19 në vendin tonë, raportojnë nga terreni spitalor dhe ai i ambulancave lidhur me kushtet e trajtimit të të prekurve etj. Vetëm puna e tyre e plotëson informacionin e mjekëve infeksionistë dhe epidemiologë, që janë të fushës, të cilët nuk po i quan kush “profesorë”, kur nuk e kanë një gradë të tillë, sepse vetë ata nuk mveshin “lëkurën” që nuk iu takon në planin akademik e shkencor.

Emisionet sportive, si misionarë të informimit real, duhet të flasin më shumë me gjuhën e njerëzve të terrenit, të fushës së stërvitjes, të mjekësisë sportive, jo vetëm përmes njoftimeve zyrtare të institucioneve përkatëse, apo “profesorëve”tuaj të gjithëditur. Me keqardhje konstatoj se në studio televizive, ku flitet për sportin, mungon ende zëri i profesorëve realë, i katedrave dhe studiuesve të futbollit, fjala vjen, të stërvitjes, të mjekësisë sportive, për të treguar se çfarë duhet të bëjnë futbollistët në këtë kohë karantine, si duhet të stërviten në kushtet e shtëpisë, sa të rrezikuar janë me rifillimin e aktivitetit pas një pauze të gjatë mbi 2-mujore etj.etj.

Profesorët e Mihanit dhe të pak gazetarëve vet duhet të mos pranojnë këtë keqpërdorim të qëllimshëm.

Dhe më mirë i amdh si Agustin Kola e Andi Lilaj, sesa profesor leshi i lapsashkrujtësve të vegjël e lajkaxhinj bajatë!

Xh.  Zekaj

  1. Bajrami