Zhvatje zyrtare/“Check-up“ nuk njihet, paguajmë edhe “gjobë” 1500 lekë në çdo vizitë për patentë makine

90
Vjollca KUTA
Në shëndetësinë shqiptare, përveç koncesioneve po zbatohen akoma edhe 22 urdhrat absurdë e korruptivë të ish-ministrit Ilir Beqja
Thuhet, se me largimin e ish-ministrit Ilir Beqja nga posti i ministrit të Shëndetësisë, sektori i mjekësisë është “pastruar” nga praktikat klienteliste, korruptive e shkatërruese “beqiriste” të instaluara e të zbatuara prej tij, në mbi 3 vitet që “sundoi” në këtë sektor jetik të shërbimit publik. Në fakt, modeli “Beqja”, jo vetëm nuk është “shkulur” nga mjekësia, por edhe po vazhdon të zbatohet i plotë. Konkretisht, në shëndetësinë shqiptare, përveç koncesioneve të “Check-up”-it, hemodializës, mirëmbajtje-sterilizimit të pajisjeve mjekësore, laboratorëve, rimbursimit të TVSH së ilaçeve e deri tek koncesioni i lavanderi-ushqimit në spitale, po zbatohen edhe 22 urdhrat që ka nxjerr ish-ministri Ilir Beqja në 3 vitet si ministër në krye të mjekësisë shqiptare, të cilën nga premtimi “falas” e bëri pazar të lirë, duke rritur e shtuar deri në 5-6 herë, tarifat e shërbimeve si vlerë, lloje e numër. Janë urdhra, që rëndojnë xhepat e qytetarëve, të cilët duhet të paguajnë për çdo lloj shërbimi, paçka se paguajnë sigurime shoqërore. Por edhe ata, që janë jashtë skemës së sigurimit shëndetësor për shkak të papunësisë dhe varfërisë, duhet të paguajnë, megjithëse nuk kanë asnjë të ardhur. Ndryshe, nuk pranohen në vizita, urgjenca, operacione, konsulta, rimbursim ilaçesh. Këto janë urdhra të paligjshëm, të cilët ish-ministri Beqja, i futi në veprim për zbatim në mënyrë të dhunshme, duke shpërfillur çdo VKM, ligj parlamenti dhe çdo rekomandim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sot, po publikojmë një urdhër absurd, të “modifikuar” qëllimisht, me shtim tarifash në shërbimet mjekësore shtetërore, për të gjithë qytetarët pa dallim. E kemi fjalën, për Urdhrin Nr. 117, datë 24. 03. 2016, me Nr. 1711 Prot., lëshuar nga ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, referuar Urdhrit Nr. 28, datë 26. 01. 2016, me objekt “Për Sistemin e Referimit dhe Tarifat e Shërbimit Shëndetësor Publik në Shqipëri”. Ky urdhër, që është ndryshuar vetëm 3 muaj pas daljes dhe hyrjes në fuqi, detyron çdo shtetas shqiptar, që të paguaj “gjobë” tek çdo mjek specialist për pajisjen me raport aftësie për leje drejtimi automjeti dhe çdo lloj mjeti motorik. Sipas këtij urdhri të ndryshuar e futur në zbatim qysh në datën 24 mars 2016, kjo tarifë është përcaktuar me detyrim, në vlerën 1500 lekë të reja, për çdo vizitë mjekësore, që bëhet tek ëdo mjek specialist, Natyrisht, kjo pagesë bëhet me faturë, ndryshe mjeku nuk të shikon as në fytyrë. Po kështu, sipas urdhrit të ish-ministrit Ilir Beqja, këtë tarifë tek mjekët specialistë, duhet ta paguajnë edhe shtetasit që duan të pajisen me raport mjekësor, për leje armësh. Mirëpo, rezulton, se qytetari duhet të shkoj tek disa mjekë specialistë për konfirmim të aftësisë për leje drejtimi automjetesh e armësh, pa llogaritur, pagesën fillestare, që duhet bëjë për marrjen e formularit bosh, që të pranohet tek mjekët specialistë! 
Siguracionet dhe “Check-up” nuk njihen, duhen paguar edhe këto tarifa shtesë
Sipas urdhrit “Beqja”, shqiptarët duhet të paguajnë këto tarifa shtesë për raportet mjekësore të aftësisë për leje drejtimi automjeti dhe për leje armësh! Kjo është absurde, mbasi kjo quhet “gjobë” e vendosur dhe e zhvatur në mënyrë të dhunshme për një shërbim që është i paguar. Konkretisht, personat e moshës 35-70 vjeç, janë të përfshirë në shërbimin e koncesionit të “Check-up”-it, ku bëjnë kontrollin e plotë mjekësor (analizat). Mirëpo edhe këta, duhet të ribëjnë kontrollin mjekësor për pajisje me leje drejtimi automjeti dhe përdorim armësh, duke paguar nga 1500 lekë të reja, tek çdo mjek specialist, pagesë që përcaktohet në formularin përkatës! Përse duhet të paguhet kjo “gjobë”, kur qytetari e ka bërë “Check-up”-in dhe ky kontroll mjekësor, sipas koncesionit që ka dhënë qeveria, quhet “i rregullt dhe njihet si “dokument personal zyrtar”?! Por mjekët nuk i njohin analizat e bëra nga “Check-up”, Nuk i njeh as ministria e Shëndetësisë. Nuk i njohin as auto-shkollat. Nuk i njeh as Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor e cila, pranon dosjet për pajisje me leje drejtimi automjeti! Madje analizat e “Check-up”, nuk i njeh as vetë Kryeministria, ministritë, administrata dhe shërbimet publike, të cilat para pranimit në pune, të detyrojnë të kryesh analizat mjekësore! Mos u çuditni, por analizat e “Check-up”-it, nuk i njeh as vetë Ministria e Shëndetësisë që e ka miratuar si koncesion, duke vazhduar të mbajë në fuqi e të zbatoj urdhrin absurd e zhvatës, të lëshuar nga ish-ministri Beqja. Me këtë urdhër, këto pagesa banditeske, quhen “Të ardhura dytësore për poliklinikat”. Nuk e kemi fjalën, se përse përdoren këto të ardhura, mbasi për destinacionin e përdorjes së tyre, do të flasim në vijim, por e kemi fjalën tek zhvatja e paligjshme që u bëhet qytetarëve, për një shërbim qe ata e paguajnë si siguracion mjekësor nga paga dhe si taksë publike nëpërmjet “Check-up”-it me vlerë 110 milionë euro. 
Ja çfarë thotë urdhri i ndryshuar
Në tabelën “A”, me titull “Vizita ambulatore”, të Aneksit 1 “Tarifat për shërbimet mjekësore për pacientët në kujdesin shëndetësor parësor, ambulator dhe spitalor në sektorin publik”, bashkëlidhur Urdhrit nr. 28, datë 26. 01. 2016 “Për Sistemin e Referimit dhe Tarifat e Shërbimit Shëndetësor Publik në Shqipëri”, në kolonën “B” dhe “C”, shtohen dy tarifa të reja në pikat 8 dhe 9, si vijon: 

– Vizitë te mjeku specialist në poliklinikë, me qëllim lëshimin e lejes së drejtimit për mjetet motorike, caktohet 1500 lekë (të reja).
– Vizitë te mjeku specialist në poliklinikë, me qëllim lëshimin e raporti mjekësor për veprimtaritë me armët, caktohet 1500 lekë (të reja)
Mjekët nuk pranojnë as bonusin 100 mijë lekë, për çdo ditë pune jashtë Tiranës
Mbetja e 60% të zonave të banuara të vendit pa shërbim mjekësor, ka detyruar kryeministrin e “Rilindjes”, që t’i rikthehet edhe njëherë një vendimi të miratuar prej tij afro 2 vite më parë, nëpërmjet të cilit tentoi të “joshte” financiarisht mjekët e specialiteteve të QSUT dhe të spitaleve të tjera rajonale, me bonus ditor financiar mbi vlerën e pagës mujore që ata marrin! Sipas këtij vendimi, çdo mjek specialist nga Tirana që do të pranonte të shkonte për vizita, konsulta e shërbime të tjera mjekësore deri kirurgjikale në zonat e largëta, do të paguhej me një bonus shtesë, në vlerën 100 mijë lekë të vjetra, për çdo ditë shërbimi që mjeku do të kryente në zonat rurale, apo në spitale qytetesh e zonash pa mjekë specialistë! Ndërsa për mjekët e spitaleve rajonale të 11 qarqeve të tjera, të cilët do të shkonin për konsulta në zonat rurale, do të jepeshin 50 mijë lekë të vjetra bonus për çdo ditë shërbimi në zona, mbi pagën bazë mujore. Por, prej këtij vendimi me bonos 100 mijë lekë të vjetra në ditë, nuk u josh asnjë mjek specialist i Tiranës dhe asnjë mjek i spitaleve të rajonale. 
Ja VKM nr. 685, datë 29.7.2015, që nuk pranojnë mjekët
1. Në vendimin nr. 932, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm: Pas pikës 16 shtohet pika 16.1, me këtë përmbajtje: “Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, por jo më shumë se 200 mjekë në vit”. 
2. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus në masën 100 000 lekë në muaj. 
3. Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, trajtohet sipas shkronjës “e”, të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr. 77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”. 
Shënim i “Telegraf”
Në vijim, do të publikojmë skandale të tjera nga mjekësia shqiptare, që kanë lidhje me shërbimin e mjekëve specialistë, të mjekëve të urgjencave, të shërbimit të shpejtë e korrekt prej tyre vetëm me ryshfete e preferenca personale. Do publikojmë skandale, nga vonesat në orarin e vizitave, për shpërfilljen e pacientëve pa sigurime, për vërdallisjet e qytetarëve, prej mjekëve të familjeve dhe për “mëkatet” e pagesave që futen në xhepat e shumtë të përparëseve të mjekëve e infermierëve. Do publikojmë fakte, për nisjen e qytetarëve tek farmacitë, spitalet, klinikat dhe laboratorët privatë, për mos-paraqitjen e mjekëve specialistë në punë, për shtyrjen e kohës nëpër kafene, për zhdukjen dhe gjatë gjithë ditës. Do publikojmë fakte, për policët dhe kryeinfermieret sekserë të shefave, që hartojnë lista, orare e radhë vizitash, duke qëndruar korridoreve, para dhe pas dyerve të këtyre mjekëve batakçinj e të zhytur në korrupsion, të cilët nuk kanë as humanizëm e as njerzillëk minimal.