Zgjedhjet, 6.699 efektivë policie për garantimin e sigurisë

58
Policia e Shtetit ka marrë të gjithë masat për garantimin e rendit publik dhe krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët gjatë ditës së sotme në funksion të mbarëvajtjes së proçesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore. Duke vlerësuar rëndësinë që kanë për vendin tonë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, Policia e Shtetit është angazhuar totalisht, duke marrë dhe zbatuar masa konkrete për ruajtjen e rendit publik në të gjithë territorin e vendit, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të drejtat e subjekteve elektorale pjesëmarrëse në këto zgjedhje. Në funksion të këtyre masave vlen të theksojmë se janë trajnuar 6.699 punonjës policie në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Tiranë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Gjatë kësaj periudhe janë marrë masat për garantimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e 2.396 aktiviteteve elektorale të subjekteve politike pjesëmarrëse në këtë proces zgjedhor. “Theksojmë faktin se gjatë zhvillimit të këtyre takimeve elektorale nuk është shënuar asnjë incident i rëndë apo ngjarje kriminale, por gjatë kësaj periudhe që përfshin fushtatën elektorale janë evidentuar dhe referuar në prokurori 21 raste që kanë të bëjnë kryesisht me grisje posterash, vjedhje apo dëmtime të zyrave elektorale” deklaroi numri 2 i policisë së shtetit.
Gjithashtu, nga Policia e Shtetit janë marrë masat për përmbushjen me sukses të detyrave për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve zgjedhore, konkretisht të 90 KZAZ, dhe 5.299 Qendrave të Votimit, ku do të angazhohen 5960 punonjës policie. Masa të veçanta janë marrë për parandalimin e veprimtarisë kriminale dhe garantimin e rendit publik, si dhe për sigurimin e objekteve shtetërore dhe objekteve të tjera të rëndësishme. Në të gjithë qarqet dhe qytetet ku janë vendosur KZAZ, do të sigurohen me punonjës policie çdo ditë, prej orës 20:00 deri në orën 08:00. Prej orës 18:00 të datës 20 Qershor nga Policia e Shtetit janë marrë në ruajtje të gjitha Qendrat e Votimit deri në orën 07:00 të ditës së sotme, kohë në të cilën është parashikuar që të fillojë procesi i votimit.
Ndërsa Vendet e Numërimit të Votave në të gjithë qarqet do të merren në ruajtje nga Policia e Shtetit duke filluar nga ora 18:00 e ditës së sotme deri në përfundim të procesit të numërimit të votave. Në përmbushje të kërkesave të Kodit Zgjedhor, janë marrë masa për të garantuar shoqërimin e kutive të votimit nga të gjithë Qendrat e Votimit për në Vendet e Numërimit të Votave. Masa konkrete janë marrë edhe për të siguruar që të gjithë punonjësit e policisë të angazhuar me detyra gjatë këtij procesit zgjedhor të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.