Ylli Ndroqi: Krijimi i klimës pozitive për biznesin, faktor për thithjen e investimeve të huaja

476
Sigal

Presidenti i Shoqatës së Konsujve të Nderit: Do të jemi një urë lidhëse mes biznesit të huaj dhe potencialeve që ofron Shqipëria

Shoqata e Konsujve të Nderit i ka dhënë udhë tryezave konkrete për të përmbushur një prej sfidave themelore, thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Nxitja e investimeve në sektorë me potencial të lartë ekonomiko-tregtar, si energjia, transporti, sektori bankar, ishin lajmotivi i takimit. Mbështetja dhe zhvillimi i diplomacisë ekonomike, thirrur nga kjo shoqatë, me praninë e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, të ministrit të Transportit, ambasadorë, njerëz të biznesit.

Presidenti i Shoqatës së Konsujve të Nderit, Ylli Ndroqi, duke shprehur gatishmërinë dhe angazhimin si Shoqatë, për të ndikuar pozitivisht në prurjen e investimeve të huaja, kërkoi nga dy ministrat, hapa konkretë: “Ne, si Shoqatë e Konsujve të Nderit, angazhohemi të jemi ndërmjetës aktiv, për të përcaktuar çdo zhvillim pozitiv në botën e biznesit, për të ndikuar në prurjen e investimeve të huaja.

Pa ndihmën tuaj, të të gjithë aktorëve të pranishëm sot në këtë tryezë, do të jetë e vështirë që dëshira jonë të bëhet realitet. Ju ftoj të na sugjeroni hapa konkretë për mënyrën se si duhet t’i bindim partnerët e huaj të hyjnë në fusha me potencial të lartë ekonomiko-tregtar, siç është energjia, transporti, sektori bankar e shumë të tjera”, u shpreh zoti Ndroqi.

Ndroqi përçoi apelin që motive të ngushta politike të mos zbehin shpresën për investime serioze në Shqipëri. “Më lejoni t’ju bëj një thirrje të sinqertë dhe të frymëzuar nga dëshira për ta parë Shqipërinë gjithnjë e më shumë një vend tërheqës për investime të huaja. Le të kontribuojmë të gjithë së bashku për një klimë sa më miqësore në mbarëvajtjen e bizneseve, pa lejuar që motive të ngushta politike të na zbehin shpresën se ky vend meriton praninë e emrave të rëndësishëm të investimeve me famë botërore të vijnë dhe të hapin vende pune për shqiptarët. Shqipëria është më e rëndësishme se çdo parti politike, se çdo karrierë personale. Ndaj, le të vendosim interesat kombëtare në plan të parë”.

Ndërsa kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, i kërkoi qeverisë që të hartojë një paketë të qartë mbi sektorët ku mund të investohet nga të huajt në Shqipëri. “Është një obligim i çdo qeverie që të ketë një platformë të qartë për t`ju ofruar investitorëve të huaj dhe vendas. Ne jemi të lumtur që sipërmarrësit e huaj kënaqen me investimet e tyre, është shumë e rëndësishme që ministrat të kuptojnë se kur kënaqet një investitor” tha Jaka. I pranishëm në tryezë, edhe ambasadori i Kuvajtit në Shqipëri, Najeeb Al Bader, renditi propozimet konkrete për diplomacinë ekonomike në Shqipëri. “Aktivizimi që ka për qëllim zhvillimin e negociatave dypalëshe dhe shumëpalëshe të marrëveshjeve tregtare dhe të investimeve, krijimi i një sektori të veçantë të diplomacisë ekonomike në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe krijimi i një grupi ekonomik në Ministrinë e Ekonomisë, grup këshillimues akademik, për të mbështetur modelin e ri ekonomik të Shqipërisë dhe një nismë e realizuar mirë, siç është gjithashtu krijimi i departamentit ekonomik në Ministrinë e Punëve të jashtme të Kuvajtit, me qëllim aktivizimin e bashkëpunimit ekonomik me vende të ndryshme që deri më tani, ka rezultuar mjaft i frytshëm”, cilësoi Najeeb Al Bader. Kjo ishte vetëm tryeza e parë, e një sërë të tillësh, që Shoqata e Konsujve do të organizojë për të qenë një urë e fortë lidhëse mes biznesit të huaj dhe potencialeve që ofron Shqipëria për investime.