Vladimir SHYTI/ Përshkrim/Mashinistët po përballen me vdekjen

564
Sigal

Fatkeqësitë i lëshojnë vend njëra-tjetrës në hekurudhën shqiptare. Rikthehet ndjesia e ankthit të tmerrshëm, tashmë në një tjetër mënyrë, një ankth lëndimi me pasoja vdekjen. Është paaftësia dhe mos kontrolli konseguent i disa personave të ngarkuar që të vrojtojnë dhe të mos lejojnë lëndë të huaja pranë linjave hekurudhore, kur e kanë të qartë limitin e largësisë nga koka e shinës, që është vetëm pesëmbëdhjetë metra nga qendra e kollosekut.

  Hekurudha vërtetë është e kredhur në hiç, por ata që punojnë janë njerëz, madje, edhe të nderuar, ndaj duhet t’u krijohen kushte si njerëz. Nuk është e vështirë të realizosh gjëra që i ke vetë në dorë, apo marrin dorasi ndonjë kacidhe dhe bëhen pre e lëndimit të mashinistave e stafit të lëvizjes së transportit udhëtar e mallrave hekurudhore. Në çdo projekt që projektohet, e para, përcaktohen kushtet e sigurimit, që në letër ekzistojnë edhe në hekurudhë, por çuditërisht ndodh e kundërta dhe me pasoja vdekjeprurëse.

  Le t’i hedhim një vëzhgim linjës hekurudhore Tiranë-Librazhd: Sapo del nga stacioni përballesh me pemë e shkurre që janë ngjitur me linjën e hekurt, duke ditur që mashinisti dhe asistenti tij ka për detyrë të vrojtojë lëvizjen e trenit, duke nxjerrë kryet jashtë nga kabina në çdo kthesë dhe në çdo zhurmë shqetësuese që përbën rrezik për trenin. Më pas radhiten mbikalesa të palejueshme, madje edhe me këmbënguljen e kryepleqve të zonave për t’i lejuar, por duke menduar se po i bëjnë mirë njerëzve, ata po i dërgojnë drejt vdekjes. Jemi të gjithë dëshmitarë të aksidenteve të shumta që kanë ndodhur në linjën Tiranë-Kashar dhe përgjatë linjave në vijimësi. Rrjeta teli elektriku si fijet e merimangës zgjaten pafund mbi trenin, që kanë sjellë dhe plagosje të mashinistëve, kur u ka ndodhur ndonjë avari e mundshme në lokomotivë, madje ka pasur edhe trenistë, që i kanë shpëtuar vdekjes, duke ngelur dhe ulok si Nasi Hanxhari e të tjerë.

Më tutje, gjatë perigonit të Vorës pemë e shkurre të shoqërojnë në çdo çast, duke penguar pamjen dhe goditja e ndonjë dege peme në qoftë se humb vëmendjen e nxjerr kryet jashtë. Plus këtyre, xhamat e dyerve dhe të dritareve të lokomotivave janë zëvendësuar me xhama të zakonshme, që janë goditur me mjete të forta nga njerëz të papërgjegjshëm dhe thyerja e tyre ka lënduar me dhjetëra mashinistë, madje, kanë arritur edhe në shpërfytyrimin e fytyrës dhe i janë larguar vdekjes si Fatmir Vrioni e të tjerë. Në fytyrën shpirtërore të secilit prej tyre, ka diçka të çuditshme, të papritur, jopërpjestimore e jo normale, ata mbështillen nën petkun madhështor dramatik, që ende vazhdojnë të luajnë në skenën dramatike hekurudhore, duke iu nënshtruar fatit.

  Në dalje të stacionit në Durrës mbizotërojnë dhjetëra tabela që kompani të ndryshme reklamojnë mallrat e tyre, të cilat janë vendosur pak centimetra nga koka e shinës, duke sjellë rrezikshmëri në lëvizje, sidomos në manovrimin e vagonave në stacion. Ka pasur bubullima fjalësh dhe nerva të tejsforcuar nga drejtuesit e trenave, por që kanë humbur në terrin e premtimeve dhe të llafelogjive. Më pas, në stacionin e mallrave përballesh me shtylla hekuri të mbetura nga sinjalistikat e mëparshme, ku disa trenistë dhe mekanikë treni janë përplasur me këto mbeturina gjatë lëvizjeve dhe kanë pësuar fraktura në trup deri edhe në thyerje kockash e brinjësh, të cilët janë të shumtë, ndaj s’po përmend emra. Ata janë të vetëdijshëm për çka po përjetojnë ose përfytyrimi i tyre miop e sipërfaqësor, varfëria e tejskajshme nga ato paga qesharake, që marrin nga puna e tyre i ka bërë të punojnë pa fjalë në sektorët e ndryshme të hekurudhës shqiptare.

  Vijojmë drejt Golemit; edhe ky perigon është i ngarkuar me tabela reklamuese shumë pranë linjës dhe mbikalesa të shumta të pambrojtura, që janë bërë vrastare për shumë njerëz, që s’e kanë idenë e trenit, por dhe nga personeli lëvizës ka të lënduar.

  Shkojmë në Elbasan, një linjë disi më e qetë, por që ndodh një tragjedi e papritur gjatë linjës për në Librazhd. Ajo natyrë e bukur, plot magji që rrethon atë linjë kishte fshehur brenda shkëlqimit të vet elementin demoniak. Një tub hekuri cilindrik kishte zënë vend si ato kërpudhat mbas shiut, afro një pëllëmbë njeriu nga lokomotiva, që shërbente si përcjellës valësh të mediave televizive.

  Mashinisti Beqir Kryeziu në dalje të dy tuneleve të fundit të Librazhdit dëgjon papritur një zhurmë shqetësuese që s’po e kuptonte nga vinte. Nxjerr kryet në dritare që të konstatonte defektin, por sakaq ndjeu një goditje të fuqishme tepër therëse në krye, humb ndjenjat, trupi mbetet i varur në dritare. Asistenti tij mbetet i shokuar, megjithatë mbledh forcat e bën menjëherë ndalimin e trenit dhe, pastaj, i jep ndihmën e parë kolegut të tij, që ishte mbuluar i tëri në gjak. Mendoi se kishte vdekur, por mblodhi veten e shuar në ato çaste, kur i dëgjoi frymëmarrjen. U krijua një atmosferë e acartë e mbytëse njëherazi, e cila qëndronte varur si mot me shtrëngatë mbi qenien e botës shpirtërore të asistentit mashinist. Të ndihmuar nga personeli dhe njerëz të rastësishëm, që Beqiri dhe Zeqiri, kolegu tij, folën fjalët më të mira, ku dhe i shpëtuan paq jetën, ai u dërgua në spitalin e Librazhdit. Aty i dëmtuari, falë punës së mirë të personelit mjekësor mori mjekimin e parë dhe u nis me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku edhe shpëtoi nga kthetrat e vdekjes.

  Ç’mund të mendohet për peizazhin shpirtëror të drejtuesve të trenit, ata janë plot vegime të fuqishme, të ndjeshëm karshi ngjarjeve, por dhe pasionantë në detyrën e tyre. Megjithëse me nerva të acaruara me tepri, me kontrastet e shpeshta nxehtë-ftohtë, sepse u ngacmojnë vazhdimisht ndjenjat dhe u prishin qetësinë, ata janë tepër të fortë, duke iu nënshtruar punës në këtë atmosferë të ngarkuar me shumë faje dhe gabime. Duke qenë gjithmonë të papajtueshëm me fatalitet, ata ecin në rrjedhjen e fatit, duke krijuar realitete pa i dashuruar ato dhe duke shpresuar tek një mrekulli në planet e së ardhmes.