Afrim Krasniqi: Sfida për zgjidhje mbetet sfida kryesore e politikës

598
Sigal

*politolog

Rama  premton të bëhet njeriu i misionit politik qytetar, përvoja politike e tij na ka mësuar të besojmë të jetë kryeministri i radhës.

Përpara Edi Ramës, si Kryeministri i ri shtrohet pyetja: nëse do jetë Kryeministri i radhës, apo dikush, që ka një mision politik qytetar?Afrim Krasniqi, politologu i njohur, në intervistën për “Telegraf”, kësaj pyetjeje i përgjigjet, se Rama, premton të bëhet njeriu i misionit politik qytetar, por përvoja e tij na ka mësuar të besojmë të jetë Kryeministri i radhës. Ndërsa duke iu referuar konfliktit PS-President, zot Krasniqi pohon se, ishte një konflikt i panevojshëm, i pabazë dhe pa ndonjë dobi publike, sepse në thelb është “mungesa e kulturës institucionale dhe mungesa e transparencës publike”.

Zoti Krasniqi, duke marrë shkas nga konflikti i ri PS- Nishani, mund të nxjerrim konkluzionin se as maxhoranca e re nuk e ndryshoi, si deri tani, sjelljen maxhorancë-President?

– Është një konflikt i panevojshëm, pa bazë dhe pa ndonjë dobi publike. Pala fituese e përjetoi me delir rezultatin zgjedhor dhe siç ndodh në shoqëri tranzicioni, lëshoi edhe ndonjë mesazh etiketues apo denigrues ndaj kreut të shtetit. Unë jam partizan i respektit ndaj kreut të shtetit, të mendohemi mirë kur e zgjedhim, por, pasi e zgjedhim, ta respektojmë atë, cilido qoftë ai. Mund të ketë kritika për aktet e tij, madje, edhe unë kam bërë publike kritikat e mia, por jo denigrim apo fyerje. Ndaj veprimi i maxhorancës së re ishte i gabuar. Lajm i mirë është fakti se nuk ishte akt institucional, por individësh, ndaj nuk kishte vend për ndonjë shqetësim të madh. Nga ana tjetër, Presidenti nuk e uroi palën fituese të zgjedhjeve dhe as nuk e ftoi në takim kreun e ri të maxhorancës, por ky i fundit i kërkoi takim Presidentit, zhvillim i ndryshëm nga gjitha praktikat e mëparshme në raportet president-parti politike. Edhe reagimi i Presidentit ishte emocional, i panevojshëm dhe i nxituar. Përgjigjja ndaj ndonjë akuze publike, me etiketime në bllok të një alternative politike, për më tepër të palës fituese, ishte e gabuar. Vendimi i dytë i presidentit për t’iu drejtuar organeve të drejtësisë megjithëse i sforcuar, ishte më i arsyeshëm, sesa denoncimi publik në deklaratën e parë.

Ku është zanafilla e këtij konflikti?

– Në thelb është mungesa e kulturës institucionale dhe mungesa e transparencës publike. Nëse palët do dëshmonin etikë në komunikim dhe respekt institucional, nuk kishte dhe nuk ka vend për replika populiste e militante. Nëse disa prej akteve presidenciale do të ishin shoqëruar në kohë me sqarim dhe transparencë publike, shumë prej akuzave adresuar atij do të ishin evituar. Ka gjithashtu një paragjykim të dyanshëm dhe vijon tradita negative e lidhjes se institucioneve me emrat dhe raportet personale, gjë që është tipar i shoqërive para-demokratike, si shoqëria shqiptare.

Cilat janë pasojat e vërteta për politikën tonë, të konfliktit Maxhorancë-President?

– Është krijuar tashmë një hendek, që ishte i evitueshëm. Nuk besoj se maxhoranca do të ketë më arsye të trokasë në zyrën e Presidentit për të kërkuar negocime politike, në rast mosmarrëveshjes me palën tjetër dhe as që Presidenti të ketë më autoritetin e duhur për të luajtur rol të paanshëm dhe aktiv në ecurinë e zhvillimeve politike në vend. Lidhur me debatin mbi mandatin presidencial, kjo është një çështje e mbyllur. Zgjidhja e vetme është bashkëpunimi dhe dy palët janë të detyruara të bashkëpunojnë, ndonëse jo me dëshirën e tyre. Teknikisht debati zhvleftësoi mesazhin presidencial, që, sipas traditës, do të duhej të përcillej në parlament në seancën e tij të parë me 9 shtator. Mesazhi presidencial në parlament do të ishte një investim për jetën institucionale, për konfirmimin e normalitetit në rotacionet politike dhe për të siguruar qytetarët e partnerët se shteti nuk ndjehet i cenuar nga pushteti i radhës. Me rrethanat e reja, ka shumë mundësi të mos ketë mesazh presidencial në parlament, por që Presidenti të përdorë ndonjë media për intervistë, apo formë tjetër të mesazhit, – si një detyrim formal, pa ndikim real në parlament dhe jetën politike në vend.

Cili është vlerësimi juaj për përbërjen e qeverisë së re?

– Një revolucion brezash në PS, një ekip i përzgjedhur nga një individ, një bashkim midis ekipit që premtoi rilindjen dhe atij që ishte pjesë e anti-rilindjes, nëse i referohemi retorikës së PS-së, pra, qeverisë që humbi zgjedhjet, dhe kështu, një produkt suksesi, i të cilës nuk varet nga emrat, por nga vullneti politik për reforma dhe mirëqeverisje. Ka emra pozitivë, siç ka emra kritikë. Ka emra që i bëjnë nder vendit, siç ka emra që në një shtet serioz nuk do ishin lejuar të punonin as nëpunës të thjeshtë lokalë. Shanset e saj janë të mëdha, mbështetja është e madhe, pritshmëritë janë të mëdha. Gjithçka do varet nga aftësia e ekipit për të hartuar, besuar dhe zbatuar një projekt politik reformator.

Zgjedhja e Kryeministrit Rama, për Shkëlzen Maliqin, si këshilltar të rajonit, është një zgjedhje e duhur në kohën e duhur?

– Nuk përbën lajm as zgjedhja, as emri dhe as funksioni.

– Në konferencën që organizoi Rama “Shqipëria për një gjeneratë tjetër”, ditën e parë, edhe pse u trajtua një nga problemet më të rëndësishme, mungesa e LSI-së, qoftë e ministrave, qoftë edhe e politikanëve, a mund të nxjerrë një konkluzion, që bashkëqeverisja PS-LSI, do të ketë vështirësi bashkëpunimi?

– Nuk shoh ndonjë interes apo shtysë për mosmarrëveshje PS-LSI, të paktën deri pas zgjedhjeve të ardhshme lokale. Dy palët kanë interesa të përbashkëta, kanë nevojë për njeri tjetrin dhe kanë një program politik thuajse identik sa vetëm për shkaqe emrash kemi të bëjmë me dy parti, por në identitet, program dhe përbërje faktikisht është një parti. Nisma për konferencën mendoj se është pozitive, është tregues se maxhoranca e re nuk kaloi ditët e plazhit duke bërë lista emërimesh në punë, por u mor me gjera konkrete, siç ishte kjo konferencë. Pjesëmarrja e një numri specialistësh të huaj ishte gjithashtu pozitiv. Ishte e habitshme etiketimi në bllok i saj dhe pjesëmarrësve nga pala që humbi zgjedhjet, sepse një opozitë serioze duhet të mendojë përpara se të flasë dhe duhet të dëshmojë sjellje serioze, sidomos në tema e vende ku përfaqëson zëra të njohur institucionalë dhe organizata të njohura ndërkombëtare. Mund të ketë debat për rekomandimet që u dhanë, por jo me mbajtjen e konferencës dhe as temën e saj.

Mendoni se konflikti Bashki e Përmetit- Kisha Ortodokse, ishte i provokuar me prapavijë politike?

– Ishte një incident i evitueshëm dhe me përgjegjësi të dyanshme. Praktikat ligjore meritojnë trajtim ligjor, ashtu siç edhe çështjet fetare meritojnë trajtim serioz institucional. Të dyja këto elementë u cenuan dhe pasojat prodhuan një incident të panevojshëm. As dhuna në emër të disa segmenteve të shtetit dhe as dhuna në emër të fesë nuk janë zgjidhje dhe as elementë të një shoqërie demokratike që pretendon të jetë pjesë e familjes së madhe evropiane. Gjithashtu, edhe reagimi politik i qeverisë në ikje dhe asaj të zgjedhur, ndaj kësaj ngjarje, ishte tradicional: populist, emocional dhe aspak institucional.

Mund të ketë pasoja në vendimmarrjen e Greqisë, për Shqipërinë në dhënien e statusit kandidat?

– Nuk ka lidhje midis incidentit në Përmetin shqiptar dhe një qeverie të një vendi tjetër. Greqia vijon të gabojë dhe të trajtojë çështje të veçanta të një komuniteti si çështje të saj shtetërore. Kjo është e gabuar, është provokuese, është anti-europiane dhe joproduktive në raportet midis dy vendeve. Problemet e kishës dhe fesë janë çështje shqiptare, ndaj është e papranueshme, provokuese dhe fyese ndërhyrja e një shteti tjetër në to. Integrimi ynë në BE lidhet me standardet tona të brendshme, me kritere politike dhe ekonomike dhe nuk mund të jetë asnjëherë vullnet emocional i një shteti, cilido qoftë ai.

Rama, Kryeministër i radhës, apo njeriu që ka mision politik qytetar?

Duke u nisur nga kjo ndërkohë 2-mujore, nga zgjedhjet, kur edhe maxhoranca e re ka hedhur hapat e parë të projektit të saj, a mund të besojmë se rotacioni i pushteteve do të ndodhë edhe në një mendësi të re të politikëbërjes?

– Dëshirohet, kërkohet, ka pritshmëri, por në thelb nuk pres të ketë ndonjë stil të ndryshëm të administrimit politik të pushtetit nga praktikat e mëparshme. Deklarimet se do pastrohet administrate nga të paaftët, të korruptuarit, etj janë qesharake, sepse çdo akt, së pari, duhet të jetë ligjor dhe, së dyti, duhet të jetë moral. Nivelin e aftësisë e përcakton ligji, kurse të gjithë e dimë se politikanët më të akuzuar për akte korruptive janë aktiv në politikë, madje edhe në maxhorancën e re, dhe ata nuk kanë asnjë armë morale të kërkojnë koka turku, për diçka për të cilën njihen vetë publikisht. Gjithsesi, kryeministri i ri ka të gjithë mandatin për të vepruar ndryshe, për t’i përmbajtur militantët, për të kufizuar ndjeshëm personalizimin dhe përdorimin abuziv të pushtetit. Sa do ia arrijë? Varet sesa ai vetë do ketë vullnet politik, nëse do jetë kryeministri i radhës, apo dikush, që ka një mision politik qytetar. Ai premton të dytën, përvoja politike e tij dhe e pjesës tjetër politike na ka mësuar të besojmë të parën. Të presim. Qeveria e re meriton të paktën 6 muaj pritje dhe mbështetje për të parë rezultatet e para substanciale të saj.

Procesi i marrjes së statusit kandidat, nëse ia arrijmë në dhjetor, mendoni se do të shërbejë si një pikënisje për një frymë të re të marrëdhënieve maxhorancë-opozitë, duke shmangur konfliktualitetitn?

– Besoj se përgjigja e Brukselit do jetë pozitive, impakti në jetën politike do jetë gjithashtu pozitive, por jo në raportet maxhorancë – opozitë. Kur diferencat midis palëve janë të vogla, ka vend për marrëveshje, kur distanca është e thellë, si aktualisht, secila palë do jetë e prirur për shikim paralel të zhvillimeve politike, për sulme të dyanshme, hapje dosjesh korruptive dhe kështu mbajtjen gjallë të konfliktualitetit politik. Vetë fakti se kryeministri në ikje dhe kryeministri i zgjedhur nuk u takuan as formalisht, pas zgjedhjeve, për të biseduar për formalitetet e rotacionit të pushtetit, një praktikë kjo e njohur perëndimore, është tregues i largësisë së madhe midis tyre dhe mentaliteteve që përfaqësojnë, sidomos nga pala që humbi zgjedhjet. Ajo kishte rast të dëshmonte dinjitet gjatë rotacionit, gjë që nuk e bëri, përkundrazi, shpesh dëshmoi sjellje arrogante dhe aspak dinjitoze.

 – Faleminderit!