“Veting”-u të nisë nga “Ujori” i Sejdinëve të Elbasanit

575
Arjan ZADRIMA
Duhet pezulluar nga detyra sipas ligjit, kryebashkiaku Qazim Sejdini, që ka pronësi familjare firmën doganore, e cila certifikoi kalimin në Itali, të maunes me 8 ton drogë
Në numrat në vijim, do të zbardhim të plotë gjithë piramidën e pasurimit dhe bizneseve të “sejdinëve” të Elbasanit, që nga dita e parë kur “Lalë Qazimi” nisi biznesin me një çantë me “tollumbace” dhe, sidomos aktivitetin që prej ditës kur ai hipi në të parën karrige pushteti në qarkun e Elbasanit, pasi dorëzoi regjistrin dhe çizmet si mësues fshati… 
Ndërkohë që “krye-rilindësi” Edi Rama u tërhoq nga kapadaillëku i tij përballë çadrës dhe i dorëzoi opozitës një pjesë kryesore të pushtetit, për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe luftës kundër rrjetit të trafikut të drogës, për t’i bllokuar mundësitë e përdorimit të miliardave të saj në blerje votash, nuk po pezullon nga detyra “krye-rilindësin” e Elbasanit, bashkëshortin e aksioneres së firmës doganore “Ujori” q,ë sipas raportimeve të policisë shqiptare, u kap me letra faktike doganore, si firma që kishte zhdoganuar një maune të ngarkuar me 8 ton drogë. Nuk e dimë se si, me cilët dhe me çfarë “mjetesh” po lufton “eksperti” i menaxhimit të dosjeve të tilla, kryebashkiaku “Lal Qazimi” për ta mbyllur edhe këtë zullum tjetër të “Ujori”-t të bashkëshortes së tij (janë shumë në 13 vitet e fundit), por letrat që ka policia dhe prokuroria, thonë se maunia e kapur me drogë ishte dyllosur me vulë e firmë të vendosur nga firma “Ujori”, pronë e Xhuljeta Sejdinit. Firma “Ujori” e kishte certifikuar maunen, sikur ajo kryente transport mallrash të lejuara ligjërisht për transit ndërkombëtar, por që rezultoi se në vend të bishtave të lopatave, kishte 8 ton drogë brenda. Është një fakt zyrtar pa asnjë korrigjim o Qazim, që nuk e shpif gazeta “Telegraf”, por e thonë letrat e firmës “Ujori” dhe dosja e ndalimit të maunes prej policisë Italiane. E thotë edhe njoftimi i policisë shqiptare, që maunia ka hyrë nga Pika e Kufirit (doganore) Qafë-Thanë, duke kaluar përmes bulevardit të Elbasanit, të ndriçuar nga tenderët e “ndershëm” të bashkëshortit të aksioneres së firmës “Ujori”, kryebashkiakut “Lal Qazimi”, siç e quajti kryeministri edhe në mitingun elektoral të dy ditëve më parë! Droga që u transportua me maunen e autorizuar, si proces doganor me letrat e firmës “Ujori”, çoi në pranga 8 doganierë dhe 11 policë shqiptarë, mes tyre edhe Maliqin e “Ujori”-t, të besuarin e aksionares së kësaj firme, i cili i ka rrëfyer “ca fjalë” në organet e hetimit, që “Lal Qazimi” po lufton t’i pastrojë “me dridhje” (pa zhurmë), duke mos lënë “gurë pa lëvizur”, deri tek shefat dhe miqtë e tij në Tiranë! Pyetja që kemi bërë dhe po ë bëjmë përsëri është kjo: Përse kryeministri që ulërin për “Veting” e drejtësi, nuk po pezullon kryebashkiakun e Elbasanit, deri sa të “kullohen” ujërat e “Ujorit” të bashkëshortes së tij? E ka detyrim ligjor! Nëse kryeministri e ka real, refrenin për luftën kundër shtetarëve e familjarëve të tyre, të lidhur me krimin dhe trafiqet, duhet ta nisë “Veting”-un nga trafiku i “malit” me drogë që certifikoi “Ujori” i Sejdinëve të Elbasanit, për kalim transit në Itali, madje edhe duke ndryshuar pikën e kalimit doganor kufitar, nga veriu në Durrës! Këtë e thonë letrat zyrtare dhe faksimilja e kërkesës doganore, që ka bërë Maliqi në emër të firmës “Ujori” të “sejdinëve” të Elbasanit. Prej një muaji, dokumentet e firmës “Ujori” janë vënë nën kontroll prej organeve të hetimit, për të zbardhur procedurën dhe letrat faktike që kanë “certifikuar” kalimin e automjetit ku u kap sasia e drogës! Burime nga organet e hetimit dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nga PIK doganor (kufi) Qafë-Thanë dhe nga Autoriteti Portual-Doganor Durrës, konfirmojnë se Agjencia Doganore që ka kryer procedurat e transitimit nëpër Shqipëri, të maunes që u fut nga Maqedonia dhe që është bllokuar me 8 ton drogë në Itali, ka si aksionere zonjën Xhuljeta Sejdini, bashkëshorten e kryebashkiakut të Elbasanit. Nuk e dimë, nëse ia kanë treguar këtë fakt apo jo “Lal Qazimit që edhe në këtë moshë, vazhdon e “ndihmon në hije” aktivitetin e “Ujorit” dhe të bizneseve e pasurive të tjera familjare. Por po i kujtojmë, atë që është shkruar “e zeza mbi të bardhë” në letrat e organeve të hetimit: Firma “Ujori”, nëpërmjet përfaqësuesit të saj në Pikën Kufitare Qafë-Thanë, Maliq Kadilli, ka HARTUAR, FIRMOSUR E VULOSUR dokumentet për hyrjen dhe kalimin transit nëpër Shqipëri (edhe në Elbasan për të përshëndetur “Lal Qazimin”), të kamionit që drejtohej nga i arrestuari në Itali, Zoran Stanojoski, i cili më parë kishte leje kalimi transit nga pika kufitare Hani i Hotit, por që ndryshoi drejtimin me kërkesën e firmës “Ujori”. Kjo ndodhi pasditen e datës 5 shkurt 2017, kur “Ujori” i sejdinëve i lodhur nga dështimi për të kaluar maunen në Pikën Kufitare e Doganore në Hani i Hotit, paraqiti kërkesë të “posaçme urgjente”, për ndryshimin e “portës” doganore, duke kërkuar daljen e kamionit nga Porti i Durrësit! Pse? Maliqi i firmës “Ujori”, ka shpjeguar në kërkesën e bërë dhe në shpjegimet e dhëna në organet e hetimit, se motivi ishte ky: Kalimi nga Pika Kufitare-Doganore Hani i Hotit, gjoja “ishte shkruar gabimisht në formularin e deklarimit të kalimit transit të maunes”. Kërkesa për ndryshim kalimi kufiri e dogane është pranuar dhe letrat, janë plotësuar përsëri nga e para po nga firma “Ujori” e sejdinëve, duke e nisur drejt Durrësit e nëpërmjet Doganës Portuale të Durrësit. “Çuditërisht” në Portin e Durrësit, automjeti ka kaluar si “i pastër”, duke përfunduar në Ancona (Itali), ku edhe u kap me 8 ton drogë të transportuar me letrat doganore të “Ujorit”! Tashmë, kjo firmë është nën hetim dhe drejtësia po bën detyrën e saj. Ky është fakti, zoti kryeministër, që është publikuar nga të gjithë mediat vendase dhe nga institucionet hetimore e policore, të cilin po publikojmë sot. Nesër, do të bëjmë të ditur, të tjera fakte lidhur me këtë rast e me të tjera raste, që kanë lidhje me zullumet e firmës “Ujori”, por që “dora” e “Lal Qazimit” ka mundur t’i bllokojë. Po përse hesht kryeministri, përballë këtij skandali të rëndë? Përse nuk ulërin kundër drejtësisë edhe për rastin e 8 tonëve drogë, që u kap në Itali duke kaluar transit me letrat e firmës “Ujori” të bashkëshortes së kryebashkiakut Qazim Sejdini?! 
SHËNIM
Në numrat në vijim, do të zbardhim të plotë gjithë piramidën e pasurimit dhe bizneseve të “sejdinëve” të Elbasanit që nga dita e parë kur “Lalë Qazimi” nisi biznesin me një çantë me “tollumbace” dhe, sidomos aktivitetin, që prej ditës kur ai hipi në të parën karrige pushteti në qarkun e Elbasanit, pasi dorëzoi regjistrin dhe çizmet si mësues fshati… 
(Vijon)
Sigal