Veliaj: “Parkingu, zgjidhje për qytetarët, komod dhe i sigurtë; tarifa më e ulët në Tiranë, tre orë/50 lekë”

66
Terminal i përkohshëm për autobusët e linjave të juglindjes, shtohen edhe 100 vende parkimi
Autobusët që vijnë ngë juglindja e Tiranës mund t’i zbresin udhëtarët në terminalin e ri që Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion, në hapësirën pranë Qytetit Studenti. Gjithashtu, ky terminal do të funksionojë edhe si shesh parkimi për qytetarët dhe do të administrohet nga “Tirana Parking”. Pas përfundimit të punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se falë këtij investimi i jepet zgjidhje shqetësimit të qytetarëve për parkim dhe njëkohësisht ul edhe koston e këtij shërbimi.
“I kemi dhënë përgjigje shqetësimit të shumë qytetarëve që jetojnë në ‘Qytetin Studenti’, atyre që vizitojnë fëmijët e tyre këtu, që frekuentojnë fakultetet në këtë zonë apo që vijnë për vrap nga Liqeni, duke aplikuar tarifën më të ulët sot në Tiranë: tre orë/50 lekë. Çka do të thotë se kemi një tarifë shumë më ekonomike se sa privatët, të cilët e kishin zaptuar edhe këtë shesh apo që kishin improvizuar zaptime tek hyrja e liqenit dhe jo vetëm”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se ky projekt do të ofrojë kushte shumë më komode për qytetarët, por njëkohësisht do të rrisë edhe sigurinë, si për ata që përdorin parkimin, ashtu edhe për udhëtarët që nisen drejt juglindjes nga ky terminal. “Ambienti është shumë më i pastër dhe ka një rol të dyfishtë: Gjysma ka 100 vende parkimi për qytetarët, profesoratin, vizitorët në “Qytetin Studenti”, për vrapuesit nga liqeni, kurse gjysma tjetër është një terminal i përkohshëm për linjat e Pogradecit, Librazhdit apo Korçës. Ky është një ambient shumë më komod, ku secili autobus ka korsinë e vet, ka orarin që do të duhet të respektojë, hyn e del në mënyrë të kontrolluar nga terminali, ka siguri për pasagjerët, ndriçim, tualet. Besoj se kjo është mënyra për të ecur përpara. Të tjerat janë llafe pa bereqet”, tha Veliaj.
Duke theksuar ndryshimin që ka pësuar zona e liqenit, e cila më parë ishte e uzurpuar nga parkingje pa leje, Veliaj i bëri thirrje qytetarëve që tashmë të përdorin parkingun e ri me kapacitet prej 100 automjetesh. “Ky shesh ka qenë shumë i ndotur, ishte pamja e parë në hyrje të vendit ku jeton e ardhmja e Shqipërisë; një shesh me mbeturina, me papastërti dhe inerte, çka binte në kontrast me çfarë po përpiqemi të kultivojmë me studentët që jetojnë këtu. Por, dua të ftoj të gjithë qytetarët që të mos parkojnë më te liqeni! Le të përdorin sa më shumë këtë ambient, ta lënë makinën këtu. U bën mirë për shëndetin, por edhe ulin trafikun e panevojshëm”, tha ai.
Administratori i Njësisë Nr. 2, Elez Gjoza tha se të gjithë po e shohin se si po ndryshon Tirana dita pas dite. “Bashkia e Tiranës nuk i kufizon investimet vetëm në shkolla, kopshte, çerdhe, rrugë, ndriçim dhe pastërti, por ka vënë gishtin në plagë te një problem që është shumë i rëndësishëm për gjithë Tiranën, zgjidhjen e problemit të parkingjeve. Ka qenë një zonë shumë e ngarkuar, ku vetë “Qyteti Studenti”, vetë studentët nuk kalonin dot nga mjetet. Unë dua ta uroj Bashkinë e Tiranës për këtë investim, që është absolutisht i veçantë nga lloji dhe i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit”, tha Gjoza.
Ky shesh i ri do të ofrojë 100 vende parkimi, vende të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara, si dhe një sistem elektronik tarifimi. Gjithashtu, e gjithë kjo hapësirë do të jetë e monitoruar me kamera 24 orë, duke rritur sigurinë e qytetarëve, ndërsa tarifat do të jenë preferenciale. Kurse në terminalin e autobusëve ndërqytetas për zonën e juglindjes, provizorisht janë pozicionuar edhe autobusët e linjave rrethqytetase. Për linjat ndërqytetase janë të përcaktuar 19 stacione, ku ato kryejnë shërbimin e tyre, sipas orareve të përcaktuara në licencat përkatëse, gjë që pritet të përmirësojë shërbimin.