Varfëria në Shqipëri, të ardhurat si vendet e BE-së vetëm mbas…80 vitesh

113

Me krizën ekonomike dhe situatën e paqartë politike, shpresat që një ditë shqiptarët të kenë të ardhura sa vendet më të zhvilluara të grupit G7 (Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA) sa vijnë e po bëhen më të largëta.

Sipas grafikëve të publikuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit të Tranzicionit 2019-2020, tashmë do të na duhen 80 vite që të kapim mesataren e tyre në të ashtuquajturin proces të konvergjenvcës.

Ky proces nënkupton që vendet me të ardhura të ulëta rriten më shpejt se ato të zhvilluara, në mënyrë që të kapin këto të fundit pwr nga standardet e jetesws. Nga rreth 25-30 vjet që shpresohej më parë se do të na duhej që të kishim të ardhura dinjitoze, tashmë kjo periudhë pothuajse është trefishuar.

Por, BERZH thekson se nëse do të kishim një qeverisje më të mirë konvergjenca e të ardhurave për shqiptarët mund të ndodhte në gjysmën e kohës, pra në pak më shumë se 40 vjet.

Sot, shqiptarët kanë të ardhura më pak se 30% e mesatares së vendeve të zhvilluara (G7), e matur sipas barazë së fuqisë blerëse, tregon një tjetër grafik i BERZH, duke u renditur të fundit në rajon dhe ndër të fundit në Europë, me përjashtim të vendeve të ish Bashkimit Sovjetik, Kosovës dhe Tunizisë.

Dhe nëse do të na duhet të ngushëllohemi, nuk jemi vetëm ne. Të gjithë rajonit do t’i duhet më shumë kohë. Kosovës do t’i duhen pothuajse sa ne, Bosnjës rreth 90 vjet, ndërsa Serbisë dhe Maqedonisë rreth 100 vite. Me ritme më të shpejta pritet të ecë Mali i Zi, që tashmë do t’i nevojiten më pak se 70 vjet të arrijë mesataren e vendeve të zhvilluara.

BERZH thotë se për gjithë rajonin e saj, rritja është ngadalësuar ndjeshëm në 2008-2018, në krahasim me periudhën e para krizës së 2008. Të ardhurat në pjesën më të madhe të ekonomive ku BERZH investon mbeten shumë poshtë niveleve të vërejtura në ekonomitë e përparuara. PBB për frymë, sipas barazisë e fuqisë blerëse është akoma më pak se 60 përqind e niveleve të G7 në tre të katërtat e rajoneve të BERZH-it. Në të vërtetë, në disa vende mbetet më pak se një e dhjeta e mesatares së G7.

Për më tepër, sipas BERZH, konvergjenca e të ardhurave është ngadalësuar vitet e fundit. Në bazë të normave mesatare të rritjes të vërejtura në periudhën 2010-18, do të duhet të kalojnë gati 40 vjet për të arritur nivelet e G7 për vendet e Europës qendrore dhe shtetet baltike (CEB) dhe rreth 140 vjet në Mesdheun jugor dhe lindor (SEMED). Kjo është, mesatarisht, mëse 25 vjet më shumë sesa do të merrte me ritmet e rritjes mesatare më të larta të vërejtura në periudhën 2000-07.

Ka shumë arsye për këtë ngadalësim të konvergjencës së të ardhurave, shpjegon BERZH. Pas recesionit të parë në fazat e para të kalimit në ekonomitë e tregut të hapur në fillim të viteve 1990, shumica e vendeve në rajonet e BERZH shënuan konvergjencë të shpejtë të të ardhurave. Kjo u nxit kryesisht nga ekonomitë me produktivitet të lartë të faktorëve të kapitalit (domethënë efikasiteti me të cilin puna, kapitali fizik dhe kapitali njerëzor kombinohen për të prodhuar rezultatin përfundimtar). Këto përfitime të efikasitetit, nga ana e tyre, u nxitën nga liberalizimi i çmimeve, riorientimi i modeleve të tregtisë dhe integrimi i rajoneve të BERZH-it në zinxhirët globale të vlerës, të cilat lehtësuan futjen e aktiviteteve dhe teknologjive të reja,

Sidoqoftë, nga mesi i viteve 2000, produktiviteti në rajonet e BERZH ishte i krahasueshëm me atë që shihet në ekonomitë e tjera në zhvillim. Ndërsa rajonet e BERZH-it u hapën dhe Evropa në zhvillim, veçanërisht, u integrua fuqimisht në zinxhirët e vlerës globale, rritja u bë shumë më e varur nga kushtet ekonomike globale. Kështu, ngadalësimet në rritjen globale dhe rritja e tregtisë globale filluan të ndikojnë perspektivat e rritjes së rajoneve të BERZH-it.

Për më tepër, ndërsa vendet zhvillohen, rritja e të ardhurave për frymë ka tendencë të dobësohet. Ekonomitë në rajonet e BERZH-it gjithashtu janë përballur me probleme shtesë që lidhen me qeverisjen. Qeverisja e dobët bëhet veçanërisht problematike pasi rriten nivelet e të ardhurave, duke sugjeruar që rritja e qëndrueshme e produktivitetit në rajonet e BERZH do të kërkojë përmirësime të mëtejshme në cilësinë e institucioneve ekonomike.

Nëse vendet do të korrnin përfitimet e qeverisjes së përmirësuar, thekson BERZH konvergjenca me nivelet e të ardhurave të G7 mund të arrihet rreth 26 vjet më parë sesa pritet aktualisht në bazë të normave mesatare të rritjes për periudhën 2010-18. Me fjalë të tjera, që efekti i qeverisjes mund të rezultojë në kthimin e konvergjencës së të ardhurave afër niveleve të para krizës.