Vaksina, vetëm për lopet e anëtarëve të PS

601
Sigal

 

 

Çmendet “Rilindja”, vaksinon vetëm lopët e
anëtarëve të PS

 

Përparim HALILI

 

Problemi i sëmundjes së lopëve, quajtur “Dermatoza Nodulare” nuk është mbyllur ende, pavarësisht masave të marra prej Ministrisë së
Bujqësisë, duke ndërhyrë me procesin e vaksinimit të tyre. Përditë bëhen
denoncime, ankesa, kërkesa e protesta fermerësh dhe banorësh nëpër zona të ndryshme
të Shqipërisë, sidomos në zonat e rretheve Mat, Lushnjë, Kukës, Elbasan, Fier,
Korçë, Dibër, Bulqizë, Lezhë, Mallakastër, Has, Shkodër… Banorët japin alarmin
e përhapjes masive të kësaj sëmundjeje, duke kërkuar vaksinim urgjent të lopëve
familjare dhe të atyre që kanë më tepër se 2-3 lopë e miniferma lopësh! Ministria
deklaron, se ka garantuar vaksinat për gjithë lopët e Shqipërisë (Gjedhët) dhe
ua ka shpërndarë ato shërbimeve veterinare që tashmë i kanë në vartësi bashkitë,
ku Ministria e Bujqësisë ka vetëm një përfaqësues monitorimi. Banorët dhe
fermerët, thonë, se nuk ka vaksina, mbasi nuk ua kanë çuar shërbimet veterinare.
Disa thonë, se këto vaksina bllokohen qëllimisht prej shefave të veterinarisë në
bashki e qarqe, prej shërbimeve veterinare dhe prej veterinerëve në terren, për
të krijuar kërkesë-ofertën e lartë emergjente të vaksinave, duke i shitur ato me
çmime tepër të larta. Sikur të mos mjaftonte abuzimi i shitjes së vaksinave në
tregun e zi, fermerët e Lushnjës kanë denoncuar edhe një skandal-turp tjetër që
ka nisur të bëhet me vaksinat e akorduara për lopët e sëmura me
Dermatozë Nodulare”. Çfarë po ndodh me vaksinimin e lopëve? Dje, në emisionin e mëngjesit
“Koha për t’u zgjuar” në “News-24”, të drejtuar nga publicisti dhe shkrimtari i
njohur Bashkim Hoxha, telefonoi një fermer nga një fshat i Lushnjës, duke iu
referuar denoncimit të bërë në “Telegraf”, që lopët e sëmura po shiten për
sallam me 10-15% të çmimit real në treg, për shkak se janë lënë qëllimisht pa u
vaksinuar, në zbatim të pazareve të bëra mes prodhuesve të sallamit dhe shërbimeve
veterinare nëpër bashki me lopë të prekura masivisht nga sëmundja e
Dermatozës Nodulare”. Fermeri bëri prezent një skandal që po ndodh turpshëm, jo vetëm në
Lushnjë, në zonën ku ai jeton, por edhe në zona e rrethe të tjera të Myzeqesë.
Konkretisht, fermeri lushnjar, tha: “Lopët
po na ngordhin për vaksina, mbasi vaksinat po ndahen sipas bindjeve politike që
kanë pronarët e lopëve. Vaksinimi po bëhet vetëm për lopët e atyre banorëve dhe
fermerëve që janë me partinë e “rilindjes” (PS), ndërsa lopët e atyre që janë
me opozitën nuk po vaksinohen, por po lihen të ngordhin, megjithëse kërkojmë të
vaksinohen qoftë edhe me pagesa të larta”.
Kaq tha fermeri nga Lushnja. Gazeta
“Telegraf”, nëpërmjet burimeve të saj në Lushnje, mësoi se ky skandal-turp është
fakt jo vetëm në Lushnjë. Shërbimet veterinare nëpër bashkitë; Lushnjë, Divjakë,
Fier, Rrogozhinë, Kavajë, Roskovec, Patos e në zona të tjera, po bëjnë vetëm
vaksinimin e lopëve të atyre që janë me PS dhe me qeverinë ose mbështetës të
deklaruar të “rilindjes”. Ndërsa lopët e atyre që nuk janë militantë apo anëtarë
të partisë në pushtet nuk po vaksinohen. Sipas informacionit që na ka ardhur
dje në redaksi, thotë se veterinerët e bashkive kanë marrë listat emërore të anëtarëve
të “rilindjes” nëpër fshatrat e bashkive të Lushnjës dhe sipas këtyre listave
partiake, po bëjnë edhe vaksinimin e lopëve. Lopët e atyre që janë me PS, duke
lënë jashtë vaksinimit lopët e atyre banorëve dhe fermerëve  që janë anëtarë të partive të opozitës. Disa
prej lopëve opozitare kanë mundur të vaksinohen, mbasi pronarët e tyre ose kanë
marrë teserën e “rilindjes”, ose i kanë blerë vaksinat ilegalisht tek veterinerët,
duke shpëtuar lopët nga sëmundja dhe skartimi i detyruar apo nga shitja për
sallam me 10-15% të çmimit. Nëse nuk vaksinohen, ato nuk vlejnë më. Mirëpo,
sipas arsyetimit të atyre që nuk janë anëtarë të “rilindjes”, më mirë të blejnë
një vaksinë 50-60 dollarë, se sa të groposin lopën që u kushton 1-2 milionë lekë,
ndërkohë që një votë për “rilindjen” në Lushnjë, Divjakë, Fier e zona të tjera është
blerë me 1-2 mijë lekë të reja!