“Turizmi, përgjegjësi për njësitë vendore! Këtë vit rënia e të ardhurave, 30%”

483
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, prefekti i Durrësit, Genci Alizoti

Problemet janë të shumta, të përsëritura, vit pas viti, nga operatorët e biznesit, të cilët shprehen se bilancet janë shumë negative me pritshmërinë e tyre. Por si i komentojnë titullarët e pushtetit vendor, sezonin turistik të mbyllur në Durrës? Nuk ka bashkëpunim midis institucioneve, në Durrës dhe kjo ka sjellë që në sezonin turistik problemet të jenë evidente, me infrastrukturën, raportin plazh privat publik, pastërtinë kanalizmet, promovimin e turizmit. Nuk duhet të lëmë mënjanë edhe zgjidhjen e disa problemeve, deklaron prefekti Alizoti, i pyetur nga “Telegraf”, i cili rendit elementët pozitivë dhe negativë.

Zoti Alizoti i ka bërë bilancet e sezonit turistik Prefektura e Durrësit?

Ajo që pamë është fakti se numri i pushuesve ishte më i madh se një vit më parë. Unë e kundërshtoj faktin se ka rënë numri i pushuesve në plazhin tradicional, për faktin se janë shtuar numri i plazheve, që prej Gjirit të Lalzit, plazhit Rinia në Katund të Ri, Currilave Kallmit, Porto Romanos etj.. Këtë e ka bërë të mundur përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm. Në qendër të vëmendjes kemi patur furnizimin me ujë të pijshëm, zgjidhëm problemet me ndotjen akustike, me disiplinimin e lokaleve. U disiplinua, problemi i motorëve të detit. Pozitiv është fakti që në asnjë prej plazheve nuk pati ngjarje të rënda kriminale dhe vjedhjet u luftuan me forcë.

Por probleme a keni vërejtur, sepse problemet janë të shumta, të ngritura nga operatorët ekonomikë?

Njësitë vendore nuk ecin me plane, që të nisin nga promovimi i turizmit. Bashkia nuk ka promovuar vlerat e qytetit dhe po të njëjtën problematikë kanë edhe njësitë e tjera vendore. Nuk mund të ketë turizëm nëse nuk ka tualet dhe dushe publikë. Bashkia e Durrësit, Komunat turistike, duhet të krijojnë paketën turistike financiare për t’ja çuar këshillave bashkiakë dhe komunalë për miratim para sezonit turistik. Është e pafalshme që nuk ka sinjalistikë rrugore, vijëzime rrugore, kulla vrojtimi për të shpëtuar njerëzit dhe nuk ka hapësira plazhe publikë në Durrës. E ngre me të madhe se nuk duk dallon në qershor ndarja e plazheve publikë dhe privatë. Mungoi 60% plazh privat dhe 40% plazh publik në Durrës. Këto nuk bëhen në sezonin turistik, por gjatë vitit.

Cilat janë piketat që hedh Prefektura e Durrësit, për sezonin e ardhshëm turistik?

Është vënia në funksion e depuratorit të ujërave të zeza, parësore, për të mos patur ndotje të bregdetit. Do tu kërkoj njësive vendore që tani në mbledhjen më të afërt, ndërtimin e një pakete turistike me të gjitha elementët sipas plazheve. Do të këmbëngul që në buxhetet e njësive vendore të futet paketa turistike financiare me zëra të veçantë, por njëkohësisht edhe promovimi i vlerave turistike historike arkeologjike etj.. Motoja do të jetë, “Mirësevini të dashur turistë, do të gjeni gjithmonë diçka më të mirë se një vit më parë!”.