Tropojë, kulla e Margegajt, qendër e heroizmit dhe traditës

3471
Sigal

TROPOJË- Komuna Margegaj shtrihet në veriperëndim të rrethit të Tropojës. Në veri kufizohet me Republikën e Malit të Zi, në jug me komunën Bujan e qytetin e Bajram Currit, në perëndim me rrethin e Shkodrës  dhe në lindje me Komunat Tropojë Fshat e Llugaj.

Ky fshat në analet e historisë sonë kombëtare njihet dhe përmendet për trimëri, mikpritje, besë e bujari. Ndonës Tropoja është një histori më vete, Margegajt janë pëllëmbë e histori. Në Margegaj, u zbraz koburja e parë e Revolucionit Demokratik të qershorit 1924. Ende sot qëndron si kështjellë e pamposhtur kulla ku u mblodhën trimat atdhetarë për fillimin e këtij revolucioni, duke dhënë shembull patriotik mbi tetëqind malësore me prijësin e tyre idhull,Bajram Currin. Ndaj janë kuptimplote vargjet e këngës popullore që ka rezistuar brezave dhe kohëve: Muaji qershor për në Malësi/ Asht shenue në histori./Pushka e parë thonë ku ka krisë,/Bash t’e gurët e Shpend Balisë!. Po kush ishte Shpend Balia? Shpend Balia ishte i biri i Bali Arifit, të fshatit Margegaj, fisi Krasniqe. Por për të portretizuar më qartë figurën e tij,duhet thënë dy fjalë për të atin, Bali Arifin. Balia i lindur në vitin 1830, rridhte nga një familje e varfër, por e ndershme, bujare dhe atdhetare. Gjithë jetën shokun më të ngushtë, e që kurrë s’iu nda, ishte grykëholla, siç i thoshte ai. Balia mori pjesë në luftë kundër ekspeditës turke të  Maxhar Pashës, 1862, kryengritjen e viteve 1864-19866, ku u dallua për trimëri, maturi dhe vendosmëri.  Ai mori pjesë pothuajse në të gjitha betejat kundër pushtuesve të kohës për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Bali Arif Bisheva ishte pjesëmarrës aktiv në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe bashkëluftëtar me Haxhi Zekë Byberin. Pikërisht në oborrin e  kullën së tij, u shkrep pushka e parë e Revolucionit Demokratik të Qershorit, e ku ka mbetur në memorien historike, se fillimi i Revolucionit plasi te “Gurët e Bali Arifit”. Ai vdiq si atdhetar dhe patriot i madh vitin e pavarësisë, më 1912,kur i biri i tij, Shpendi, tashmë ishte 47 vjeç. Shpendi erdhi në jetë në vjeshtën e vitit 1865… Duke u rritur, e duke u burrëruar, Shpendi mori tiparet, karakterin ,mençurinë, burrërinë dhe trimërinë e të atit. Një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Pejë, tek shtëpia e Haxhi Zekës, mik i të atit. Duke u njohur me luftërat heroike dhe përpjekjet për çlirim kombëtar, u frymëzua dhe u brumos më shumë me ndjenjën e atdhedashurisë. Njëherazi shtëpia e tyre kishte lidhje të veçanta me familjen e Bajram Currit… Gjatë viteve 1908-1910, Shpend Bali Bisheva mori pjesë në luftërat kundër forcave turke, grek e  serbe, kurse në ngritjen e flamurit të pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912, Shpend  Balia ishte përfaqësues i Malësisë së Gjakovës (Tropojës). Pas dështimit të revolucionit të Qershorit, përkundër të tjerëve që u arratisen jashtë vendit, Bajram Curri vendoset të tërhiqet në Malësi dhe të qëndrojë maleve të vendlindjes së tij, derisa  mbyll jetën e tij heroikisht më 29 mars 1925 te shpella e Dragobisë. Tashmë Shpend Balia kishte bërë emër edhe si bashkëluftëtari më i ngushtë i “Plakut të Maleve” Bajram Curri. Ai  përndiqet nga forcat serbe,duke premtuar edhe para për ata që zbulojnë se ku gjendet “Baba i Krasniqes”. Por pas e përndjekur, pas disa kohësh e arrestojnë dhe e mbajnë të burgosur në Krumë… Ai mbylli sytë me nder në vitin 1957, në moshën 92 vjeçare… Gjurmët e lashtësisë ruhen nga familjarët ende sot e kësaj dite,te kulla e restauruar, në Margegaj. Ende në krahun e majtë të rrugë magjistrale ,udhëtarin e përshëndesin krenarisht “Gurët e Bali Arifit”,e  pak më tutje si kështjellë heroizmi kulla e Shpend  Bali Bishevës, apo i  identifikuar tashmë në historinë tonë kombëtare edhe si Shpend Dragobia.