‘Pse s’i tregoni popullit të vërtetën’, mjeku Petrit Vargu i dërgon 15 pyetje Ramës

1013
Sigal

Mjeku Petrit Vargu i dërgon një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, ku e pyet për 15 çështje që sipas tij, janë thelbësore në luftën kundër koronavirusit. Nga sasia e tamponëve, tek respiratorët dhe paratë e hedhura për këtë luftë, mjeku kërkon përgjigje.

Letra e plotë e mjekut:

I nderuar z.kryeministër! Quhem Petrit Vargu. Nëse nuk gaboj, më njeh. Më lejo t’ju pyes, që në këtë hall të madh që i ka rënë gjithë botës, përse nuk i tregoni popullit të vërtetën. Ose të paktën atë që mendohet si e vërtetë.

1) Sa tamponë ka shteti që unë i paguaj taksa gjithë jetën?

2) Sa ka paguar qeveria ime?

3) Sa respiratorë punojnë dhe sa janë disponibël për popullin?

4) Sa shtretër jane në dispozicion nga spitalet shtetërore?

5) Pse nuk punohet me projeksione në Shqipëri?

6) Si do të bësh me shtresën e popullsisë që kinezët e quajnë A, B, C, D?

7) Si ka mundësi që virusi është përhapur vetëm në 7 rrethe?

8) Pse nuk bën depistime në rrethet që sipas jush janë të paprekura?

9) Çfarë thotë profesorati që keni afruar për këtë problem?

10) Duke qene se kjo rrugë është afatgjatë, a duhet të punohet me projeksione për rajone të veçanta, për ekonominë, shëndetësinë, arsimin, kulturën?

11) Këngët dhe dëfrimi që na ofroni na bën që të kemi moralin lart ose ulët, por nuk na e zgjidhin problemin që kemi.

12) Në këto ore duam reaksion nga shkenca dhe qeveria dhe jo histori gjobash apo histori të tjera politike me integrime apo jo.

13) Sa mendoni ju dhe task-forca qe do të zgjasë kjo luftë?

14) Sa është shuma e lekëve që është llogaritur për këtë luftë?

15) E vetmja mënyrë në situata të tilla është që të bëhet një qeveri me bazë të gjerë me njerëz të dijshëm.

Boll me rilindjen! Boll me falsitete! Mos e tallni këtë popull!