Trembëdhjetë vjet në pritje të privatizimit të pronës, ja peripecitë e familjes Kalashi në Elbasan

155
Ka marrë përgjigje pozitive pothuaj nga të gjitha institucionet, por deri më sot, askush nuk i ka dhënë “OK” për të kaluar pronën në favor të tij
Problemi i Kthimit dhe Kompensimit të pronave në vendin tonë, ende nuk ka marrë zgjidhje plotësisht. Më të ngatërruara bëhen këto situata kur fjala është për pronat e qytetarëve të ndryshëm, në truallin e të cilave janë ndërtuar objekte të shtetit. Një rast i tillë i përket edhe familjes Kalashi nga Elbasani, mbi pronën e së cilës janë ngritur magazinat e Rezervave Shtetërore. Trashëgimtarët e kësaj familje që prej vitit 2004, kur edhe e kanë fituar të drejtën për të privatizuar pronën, vazhdojnë të enden nëpër dyert e institucioneve shtetërore. Në duar i kanë mbetur vetëm letrat dhe përgjigjet për pritje. Në vitin 2004, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Elbasan, i konsideroi të vlefshme të gjitha dokumentet e dorëzuara nga Xhevair Kalashi, trashëgimtari i vetëm i Musa Kalashit, pronarit të truallit. Ky komision i dha trashëgimtarit të drejtën për të privatizuar rreth 4 mijë metra katorë truall. Por që nga ai vit deri sot, kanë qenë institucionet shtetërore ato që nuk e kanë zbatuar vendimin. Xhevair Kalashi iu drejtua gazetës “Telegraf” për të bërë publik një shqetësim 13 vjeçar. Thotë se ndihet i lodhur nga burokracitë e agjencive ligjzbatuese. Ministritë dhe agjencitë përkatëse ia pasojnë problemin njëra-tjetrës dhe së fundmi Ministria e Ekonomisë e cila është edhe përgjegjëse për këtë pronë, shprehet se për momentin privatizimet janë pezulluar. Xhevair Kalashi tregon se magazinat e rezervave të shtetit në fshatin “Shtëmaj” në Elbasan janë të rrënuara. Ato nuk janë funksionale dhe kjo familje vazhdon ta ruaj pronën vullnetarisht që prej më shumë se 20 vitesh. Pavarësisht përpjekjeve për të kaluar pronën në fituar me ligj në emër të tij, Xhevair Kalashi, nuk ka mundur dot. Ai tregon se miratimi i privatizimit është bërë edhe nga Ministri i Ekonomisë në mars të vitit 2013. Pikërisht në këtë vit, kjo ministri ka vënë në dijeni edhe Ministrinë e Brendshme. Në materialin që ne kemi në dispozicion thuhet se Ministria e Ekonomisë mbështetur në shkresën numër 332/5 të vitit 2011 të Ministrisë së Brendshme, miraton privatizimin e objekteve të “Agjencisë Shtëmaj”, në komunën Bradashesh, të cilët janë në administrim të Drejtorisë Rajonale të Rezervave të Materiale të Shtetit. Po kështu kjo ministri ka lënë si detyrë edhe përgatitjen e dokumentacionit për t’u bërë më pas vlerësimi i pronës shtetërore për procedurë ne shitjes. Komisioni ka bërë më pas matjet e këtyre objekteve, është firmosur edhe gentplani nga Prefekti i Qarkut Elbasan. Por në këtë moment gjithçka është ndërprerë. Ndërsa u tha se procedurat janë ndërprerë, duket se shtetit ka anuluar gjithçka. Xhavair Kalashi i është drejtuar muajt e fundit edhe ish- ministres së ekonomisë Milva Ikonomi. Por ndryshe nga sa u është thënë në 13 vjet, pra që nga vitit 2004, tashmë familja Kalashi ka marrë një përgjigje tjetër. Zyra e Privatizimit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Privatizimit ka nxjerrë pretendimin se Agjencia e Rezervave të Shtetit Shtëmaj nuk përfshihet në shkresën e privatizimit. Një tjetër shkresë i është dërguar Ministrisë së Brendshme nga ana e Ministrisë së Ekonomisë. Kjo e fundit kërkon përgjigje se çfarë do të bëhet me këtë truall. Pra pas shumë vitesh, tashmë i gjithë ngërçi ka mbetur në zyrat burokratike të Ministrisë së Ekonomisë, të cilët nuk kthejnë asnjë përgjigje. Nga ana tjetër, familja Kalashi, vazhdon të jetë pronare e truallit dhe të ruaj objektet vullnetarisht, ndonëse ato nuk i shërbejnë për asnjë funksion shtetit.