Tregtarët: Do të futemi në grevë urie me fëmijët tanë, nëse kryetari shet merkaton!

586
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi do t’ja shesë merkaton një bashkëfshatarit të tij për të hapur supermaket

Plot 50 tregtarët e merkatos kanë kërcënuar me grevë urie nëse kryetari i Bashkisë së Beratit nuk anulon vendimin për shitjen e kësaj godine një firme në Tiranës. Tregtarët janë shprehur se do të futen në grevë urie së bashku me fëmijët e tyre, pasi iu është bërë një mashtrim nga Kryetari Bashkisë, Fadil Nasufi. “Kryetari ka marrë votat tona dhe tashmë na mashtron. Ne i bëjmë thirrje këshilltarëve të bashkisë që të mos e votojnë propozimin e kryebashkiakut për të shitur merkaton”, thonë tregtarët e revoltuar. Ata kanë takuar dhe kryetarin e këshilltarëve të djathtë, avokatin Arenc Beratin dhe i kanë kërkuar të mos e votojnë propozimin e kryetarit të bashkisë për shitjen e merkatos. Tregtari Ymer Idrizi, u shpreh për gazetën “Telegraf” se, ata nuk do të lejojnë kryetarin e bashkisë që të shesë merkaton. “Ai na ka mashtruar duke na thënë se do t’u japim juve përsëri, por ju duhet të investoni për restaurimin e godinës. Dhe ç’është e vërteta ne jemi gati të investojmë. Bashkia të bëjë preventivin dhe ne jemi gati të investojmë për restaurimin e merkatos, por kryetari i bashkisë duke na mashtruar ne do që t’ja shesë një bashkëfshatarit të tij që është pronar i një firme në Tiranë. Ne do të futemi në greve urie së bashku me familjarët tanë deri sa të na jepet e drejta jonë. Me çfarë t’i ushqejmë familjet ne? Këtu nuk ka shumë mundësi për tu punësuar. Është bërë e vështirë, asnjë nuk t’i hap dyert”, është shprehur Idrizi i shqetësuar.

Punësimi

Berati dihet që është një zonë “xhep” dhe nuk ka asnjë mënyrë punësimi. Tregtarët shprehen se ky veprimi i kryetarit të bashkisë është absurd. “Ai nuk ja jep qytetarëve të qytetit tij, por preferon ta shesë tek të tjerët, pa asnjë kontribut të dhënë për këtë qytet”, thanë ata. Tregtarët janë shprehur se me urdhrin e kryetarit të bashkisë nuk u paraqitën këshilltarët socialistë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Këtë veprim kryetari e bërë për t’ju shpëtuar debateve që do të bëheshin nga këshilltarët e djathtë dhe përfaqësueseve të tregtarëve të merkatos dhe të sindikalistëve të parkut të transportit të udhëtarëve.  Tregtarët i bëjnë thirrje kryetarit të bashkisë që të mos luaj me jetën dhe bukën e fëmijëve të tyre, por të kthej kërkesën për shitjen e merkatos. “Ne nuk do të lejojmë as këndë që të luaj me bukën tonë. Ne nuk do të lejojmë as këndë që të marrë këtë merkato, e cila na takon neve, pasi kemi një jetë të tërë që punojmë në ambientet e saj”, tha Idrizi. Është për tu theksuar se protestën e tregtarëve e kanë mbështetur dhe qytetarë të shumtë, të cilët kanë kërkuar nga bashkia që të mos e shesë merkaton, por t’ua jap tregtarëve që janë dhe qytetarë të këtij qyteti.