MASH: Si do të plotësohet Formulari A3, kategoritë që do përfshihen dhe tarifa

    494
    Sigal

    ZYRTARE/Personat që do të kenë më shumë përparësi për të fituar në fazën e tretë

    Përgatitja e Formularit A3 është në hapat e fundit dhe së shpejti do të jetë i gatshëm për t’u plotësuar nga ato kategori që do jenë të përfshira. Këtë informacion e bëjnë të ditur për “Telegraf”, burime pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Sipas të njëjtave burime bëhet e ditur se, janë përcaktuar kategoritë që do të jenë të përfshira në plotësimin e këtij formulari të cilat janë përkatësisht: maturantët që kanë studiuar jashtë shtetit, maturantët që kanë pasur provime për vjeshtë, maturantët që nuk arritën të shpallën fitues në fazën e Formularit A2. Më të privilegjuarit do të jenë personat që janë kthyer nga studimet jashtë ku numri i të cilëve i kalon 200 personat dhe personat që kishin provime për vjeshtë dhe që për këtë arsye nuk janë futur më parë në konkurrim. Por në këtë fazë ashtu si edhe në fazën e parë konkurrentët duhet të kenë parasysh llogaritjen e pikëve që kanë dhe pikët që duhen për x degë që ato dëshirojnë. Madje tani sipas informacioneve bëhet pak më i vështirë fitimi i një dege. Kjo për shkak se janë më pak degë në formular dhe shanset janë më të vogla për të fituar, po ashtu edhe mundësitë e përzgjedhjes janë më të vogla në këtë fazë.

    Kategoritë që do përfshihen në A3

    “Në fazën e tretë që është plotësimi i Formularit A3, do të jenë të përfshira të tërë ato maturantë që nuk mundën që të shpallen fitues në dy fazat e para për arsye të ndryshme. Më konkretisht, do të jenë të përfshirë maturantët që nuk arritën që të shpallen fitues në fazën e parë për arsye të numrit të pikëve që nuk e kishin për të fituar degën e preferuar të tyre. Pra do të jenë ato persona të cilët nuk arritën të jenë fitues për arsye se kërkonin më shumë nga sa meritonin”theksojnë burime pranë MASH. Pra dihet që tashmë sistemi është meritë-preferencë. Ata maturantë që do të plotësojnë këtë formular duhet të dinë se është mundësia e vetme për të ndjekur studimet në universitetin publik për këtë vit akademik. Ata duhet të bëjnë zgjedhje të sakta, duhet të kenë parasysh pikët e fituesit të fundit dhe pikët që ka vetë kandidati. Pra, duhet të bëjnë një përllogaritje të saktë të pikëve që kanë dhe mundësitë që u janë dhënë. Normalisht dihet që tani shanset janë më të limituara pasi dihet që janë kuota që nuk janë plotësuar. Por megjithatë duhet të bëjnë një llogaritje të saktë ajo pjesë e maturantëve që nuk patën mundësi që të shpallen fitues në fazat e para për arsye të ndryshme.

    Kush do të paguajë tarifën e formularit

    Tarifa e Formularit A3 do të jetë 2 mijë lekë të reja, ajo është e njëjtë me tarifën e që kanë paguar maturantët edhe për Formularin A2. Sipas informacioneve që janë marrë nga burime pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës tarifa e Formularit A3 prej 2 mijë lekësh nuk do të paguhet nga të gjithë kategoritë që do e plotësojnë këtë formular. Do jenë të përjashtuar nga pagesa e tarifës, personat që ishin në konkurrim në fazën e plotësimit A2 dhe që nuk arritën që të shpallen fitues për shkak të numrit të vogël të pikëve. Ndërkohë që këtë tarifë do ta paguajnë të gjithë ato persona që futen për herë të parë për të plotësuar formularin për të ndjekur studimet në universitetet publike në vend. Personat që marrin pjesë për herë të parë në këtë fazë janë: Maturantët që kanë mbaruar studimet e mesme jashtë shtetit dhe që do të kthehen, personat që kishin provime për sezonin e vjeshtës.