Trafik makinash nga Shqipëria në Serbi, i merrnin me qira, arrestohet fieraku dhe kroati

131

Merrnin automjete me qira dhe më pas i deklaronin të vjedhura, duke i trafikuar më pas në Serbi.

Policia e Tiranës ka zbardhur skenën e përdorur nga 4 persona, dy prej të cilëve janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Policia e Tiranës bën me dije se ka arrestuar 30 vjeçarin Denis Dukiç banues në Zagreb të Kroacisë dhe 22 vjeçarin nga Fieri, Safet Rizvani. Personat e shpallur në kërkim janë me iniciale F.B dhe M.K, 30-vjeç.

“Shtetasit e lartë përmendur dyshohen se ushtronin aktivitetin e kundraligjshëm të trafikimit të mjeteve motorrike, nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas merrnin mjete me qira në kompani të ndryshme, me qëllim trafikimin e tyre jashtë Republikës së Shqipërisë, në drejtim të shtetit serb, ku më pas i deklaronin të vjedhura”, sqaron policia.

Sipas policisë së Tiranës, Safet Rizvani në bashkëpinim me shtetasin Denis Dukiç, dyshohet se më datë 11.12.2016, kanë tentuar të trafikojnë një automjet të tipit “Skoda Superb”, mjet i cili është marrë me qira nga shtetasi Denis Dukiç tek një kompani për dhënien e mjeteve me qira.

Gjithashtu shtetasi Safet Rizvani në bashkëpunim me shtetasin M. K., më datë 26.11.2016, dyshohet të kenë trafikuar drejt shtetit Serb, mjetin tip “Skoda Oktavia”, të marrë me qira tek një kompani për dhënien e mjeteve me qira, mjet të cilin e kanë denoncuar të vjedhur më datë 30.11.2016, në Kumanovë të Maqedonisë.

Kjo veprimtari është organizuar nga shtetasi F. B.

Materialet i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorrike”.