Thyhen shpresat e banorëve, Qeveria pezullon punimet e aksit Elbasan-Berat

515

SHQETËSIM/ Qëllimi ishte zhvillimi i zonave periferike. Fermerët: “Ndërtimi i saj ishte një ëndërr për ne”

Edhe pse qeveria premtoi se do të ndërtonte autostradën që do të lidhte Kuçovën- Urën-Vajgurore-Beratin dhe më pas krahinën e jugut, ku sipas gjasave ndërtimi i saj do të nxirrte nga zona “xhep” jo vetëm Qarkun e Beratit për dhe zonën e jugut, duke përfshirë krahinat e Dumresë dhe Dragotit në rrethin e Elbasanit. Ky ka qenë dhe një nga premtimet më entuziaste të vetë Kryeministrit Berisha sa herë shkonte në Berat.

Zhvillimi

Ndërtimi i kësaj autostrade do të ndikonte më shumë në zhvillimin e zonave periferike të Beratit, Elbasanit dhe të Lushnjës, ku fermerët do të tregtonin prodhimet e tyre nëpër tregjet javorë që mbahen në Berat, Kuçovë dhe në zonat e Tepelenës dhe të Përmetit. Përfundimi i kësaj autostrade, e cila tashmë ka mbetur në gjysmë në kufi me rrethin e Elbasanit dhe Kuçovës ka mëse tre vjet që punimet nuk vazhdojnë. Banorët e zonave shprehen se për ta ishte një ëndërr ndërtimi i saj, “për ne si fermerë, por dhe si popull do të ndikonte në mirëqenien tonë ekonomike”, thonë ata. Të gjitha zonat rurale do të kalonin nëpër këtë autostradë për në rrethe të tjera. Madje dhe fermerët do ta kishin me të lehtë tregtimin e mallrave të tyre si ato bujqësore dhe blegtorale, pasi këto zona njihen si prodhuese të tyre.

Zvarritjet

Drejtuesit e pushtetit lokale dhe ato vendorë janë shprehur për “Telegraf”, se investimet në infrastrukturë në Qarkun e Beratit e më gjerë duhet të jetë prioriteti i Qeverisë. Mirëpo ky prioritet nuk po shihet me korrektësi nga qeveria, por çdo gjë ka mbetur në kuadrin e premtimeve dhe asgjë më shumë. Drejtuesit e pushtetit lokalë, biznesmen dhe intelektualët kritikojnë zvarritjet për ndërtimet e rrugëve në këtë qark, i cili ndodhet në pikë të hallit me një infrastrukturë të rënduar dhe me një papunësi të madhe, ku varfëria ka arritur kulmin.

Turizmi

Specialistët e turizmit, ndërtimin e infrastrukturës e lidhin dhe me ardhjen e një numri të madh turistësh, të cilët kanë dëshirë që të vizitojnë qytetin e bukur të Beratit, por kur iu kujtohet rruga që ata do të udhëtojnë nga Fieri në Berat apo nga Lushnja në Berat dhe nga Berati në Skrapar, frenohen duke u shprehur se qyteti është i bukur, kanionet janë perlë dhe zona ka pamje mahnitëse, por është rruga ajo, që të tremb dhe nuk të lejon që të shkosh dhe të vizitosh këto perla që i ka krijuar natyra.

THIRRJE PËR VËMENDJE

Intelektualët e pushtetarët, biznesmenët, fermerët, studentët iu bëjnë thirrje deputetëve të Qarkut të Beratit pa dallim ngjyrash që të ngrenë zërin e tyre në Parlament dhe t’u kërkojnë llogari ministrave dhe qeveritarëve që të hedhin sytë nga Beratit, për të investuar në këtë qark. Deputetët të bashkohen për interesat e banorëve, pasi ata ju kanë dhënë votën dhe ajo votë sot, duhet t’u shpërblehet këtyre votuese, të cilët sytë i kanë nga deputetët. Kanë kaluar rreth 4 vjet dhe premtimet e dhëna si nga Kryeministri dhe kandidatët për deputet që sot janë në parlament, nuk janë mbajtur për ndërtimin e infrastrukturës në Qarkun e Beratit dhe në veçanti autostradën Elbasan-Kuçovë – Berat-Tepelenë, e cila do të nxirrte nga zona “xhep” këto zona.