Thesari refuzoi vendimet për rregulloren, thirret në Prokurori Këshilli Mbikëqyrës i Bankës

482
Sigal

Prokuroria publikon detajet se si është vjedhur Banka e Shtetit

Pas shpërthimit të skandalit në Bankën e Shqipërisë, Prokuroria ka publikuar të gjitha detajet sesi ka ndodhur vjedhja e 7 milionë dollarëve, përveç atyre që konsiderohen si sekret shtetëror. Materiali i organit të akuzës sjell të gjithë skemën e vjedhjes që nga Ardian Bitrajt deri tek Drejtori i Thesarit, Dorian Çollaku. Roli i Drejtorit të Thesarit në ngjarje, dërgon në Prokurori për të dëshmuar edhe Këshillin Mbikëqyrës, vendimet e të cilit nuk janë zbatuar.

Në njoftim e Prokurorisë janë theksuar veprimet hetimore të Prokurorisë:

Verifikimin e plotë të mekanizmit të vjedhjes së thesarit në BSH.

Verifikimin e destinacionit të shumës së parave të vjedhura.

Hetim pasuror të personave të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje.

Verifikimin e përgjegjësive për administrimin/organizimin e punës, si edhe për zbatimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor që rregullon veprimtarinë e këtij institucioni.

Avokati i ish-drejtorit të Thesarit Dorian Çollaku deklaroi në gjykatë, se ka provat e pakontestueshme që provojnë pafajësinë e të arrestuarit të dhjetë për vjedhjen spektakolare në BSH. “Ne do të këmbëngulim në të gjitha shkallët e gjyqësorit mbi bazën e provave që do arrijmë të vëmë para organit të drejtësisë. Momentalisht nuk mund të japim prononcim”, tha avokati i Çollakut. Ndërsa prokuroria argumenton të kundërtën, duke publikuar gjithë dosjen hetimore, e cila akuzon jo vetëm Ardian Bitraj, por dhe zyrtarin 34- vjeçar të Bankës së Shtetit. “Nga këqyrja e arkës për veprim, rezulton se, në këtë ambient nuk gjendet kasafortë apo objekt për vendosjen e plikos së çelësave të arkës tranzit dhe stok. Mosmarrja e masave për krijimin e kushteve në zbatim të udhëzimit ngarkon me përgjegjësi direkte Drejtorin e Departamentit të Emisionit, personin nën hetim Dorian Çollaku. Referuar pamjeve filmike, procesverbalit të këqyrjes së tyre, si edhe deklarimeve të shtetasit Ardian Bitraj në cilësinë e përgjegjësit të arkës stok, deklarimeve të shtetasit Petrit Ramohitaj në cilësinë e përgjegjësit të arkës për veprim, ka rezultuar se kjo procedurë nuk është zbatuar dhe kjo ka sjellë për pasojë që shtetasi Ardian Bitraj të përfitojë nga kjo situatë dhe të përvetësojë shuma të mëdha parash. Siç është provuar nga hetimi, si në arkën stok, ashtu dhe në arkën për veprim, janë kryer vjedhje në vazhdimësi të shumave të mëdha monetare, vjedhje këto që kanë ardhur si rezultat i mosfunksionimit të organizimit të brendshëm të Departamentit të Emisonit që drejtohej nga shtetasi nën hetim Dorian Çollaku. Nga hetimet e zhvilluara deri tani, rezulton e provuar se, si në arkën për veprim, ashtu edhe në mjediset e tjera të përcaktuara në udhëzim, mungonte e gjithë infrastruktura për mirëfunksionimin e këtyre arkave me vlera monetare”. Arka Stok është një ambient mekanizimi në Bankën e Shqipërisë, ku depozitohen fondet e gatshme për t’u hedhur në qarkullim, si kartëmonedha e re. Këto para vijnë nga kompanitë prodhuese të huaja, me të cilat BSH ka lidhur kontrata për prodhimin e prerjeve të ndryshme të lekut. Në përbërje të arkës stok kanë qenë shtetasit Ardian Bitraj, përgjegjës si dhe specialistët Lavdrim Cani dhe Myzejen Belba, tashmë nën arrest.  Nga hetimi është provuar se shtetasi Ardian Bitraj ka qenë i punësuar pranë BSH-së me detyrën e përgjegjësit të arkës stok të ndodhur pranë Departamentit të Emisionit. Gjatë dy javëve të fundit Gjykata ka vendosur “arrest me burg” për 10 persona, të dyshuar si të përfshirë në vjedhjen e 7.13 milionë dollarë.