Marrëveshja me CEZ-in, Rama: BB na mbështet. Basha: Vjedhja e shekullit

489
Sigal

BB pro paktit me CEZ: Zgjidhje e drejtë. Jep 150 mln $ për energjinë

 TIRANË- Kryeministri Rama ka komentuar sot deklaratën e Bankës Botërore, e cila e quan të drejtë marrëveshjen e qeverisë shqiptare me CEZ. Rama ka ironizuar PD-në me statusin e tij në Facebook, duke u shprehur se, “Banka Botërore bën publike mbështetjen e plotë dhe vlerësimin për marrëveshjen me CEZ! Apo edhe BB dëshmitare e rreme si FMN? Vaj medet PD”. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kreut të PD-së, Lulzim Basha. Edhe ai ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të replikuar në distancë me kryeministrin Rama. Sipas Bashës, marrëveshja me CEZ është vjedhja e shekullit që i bëhet shqiptarëve.“Nuk ka patericë që e shpëton dyshen Rama-Meta nga transparenca për vjedhjen e shekullit! Çdo shqiptar paguan 1,1 milionë lekë nga marrëveshja e paligjshme dhe antikushtetuese me CEZ! Orën e të vërtetës nuk ka forcë mbi tokë ta ndalë”, shkruan Basha.“Marrëveshja e arritur së fundmi mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kompanisë çeke CEZ, vendos një strukturë të qartë të pronësisë në sektorin e energjisë, e cila lehtëson reformimin dhe investimet e mëtejshme. Programi i saponegociuar do të sjellë përmirësime të rëndësishme në shërbimet e energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë, shumë prej të cilëve i paguajnë faturat e tyre, ndërkohë që të tjerë nuk i paguajnë duke e konsumuar energjinë në mënyrë të paligjshme”, thuhet në deklaratën e BB-së. Marrëveshja e qeverisë me kompaninë çeke CEZ, parashikon shlyerjen e një vlere prej 95 milionë eurosh, duke e zgjidhur konfliktin me kompaninë çeke pa shkuar në arbitrazh.