Testi “pisa 2018”, shqipëria me përmirësimet më të shpejta dhe të vazhdueshme

168

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka organizuar një diskutim rreth analizës së raportit kombëtar mbi gjetjet dhe rekomandimet e Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve PISA 2018. Raporti me rezultatet do të përdoret për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit arsimor dhe për të mbështetur politikat, strategjitë dhe programet arsimore.

Në fjalën e saj Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini ka theksuar se reformat e ndërmarra ndër vite po japin rezultate mjaftueshëm shpejt.
“Kemi disa lajme të mira. Ndër vite Shqipëria njihet si një nga vendet që ka bërë përmirësimin më të shpejtë nga të gjitha vendet e tjera. Pra nuk jemi aty ku duam, por kapërcimet që po bëjmë çdo tre vjet janë të vlefshme për tu cekur. Nga viti 2015 në vitin 2018 kemi bërë përmirësimin më të shpejtë në lëndën e matematikës,” është shprehur ministrja Shahini.
Ajo ka nënvizuar edhe shqetësimin kryesore në lidhje rezultatet dhe krahasimi me vitet e mëparshme: Dallimin e madh të rezultateve mes nxënësve të shkollave urbane dhe atyre rurale.

Pavarësisht se shkollat me klasa kolektive kanë ardhur në ulje ministrja Shahini ka theksuar se:
“Në vitin 2017 kur iu bashkëngjita ekipit të MASR, ishin 33 mijë nxënës që mësonin në klasa kolektive. Kemi arritur me shumë vështirësi ta zbresim këtë numër në 23 mijë duke i kaluar pjesën kryesore në shkolla të mëdha ku mësojnë me bashkëmoshatarët, në klasa më të mëdha dhe mësues të specializuar. Por prapë kemi një numër të madh që mëson në klasa kolektive dhe përpjekja jonë që nuk do të ndalet, duhet të shoqërohet edhe me përpjekjen e të gjitha instancave të tjera, edhe të strukturave vendore edhe partnerëve zhvillimorë që ta zvogëlojmë sa më shumë numrin e nxënësve që janë të detyruar të mësojnë në klasa kolektive”.

Vlerësimi i testit “PISA” përqendrohet në lëndët bazë të leximit, matematikës dhe shkencës. Ky raport mundëson një panoramë të marrëdhënieve ndërmjet arritjeve të nxënësve dhe faktorëve kontekstual, si: mirëqenia e nxënësve, mjedisi i tyre socio-ekonomik, qëndrimet ndaj shkollës dhe të nxënit, mjedisi i të nxënit, cilësia e zhvillimit të mësimit, burimet shkollore, koha që shpenzohet për të mësuar, përfshirja e nxënësit, si dhe mbështetja e familjes dhe e komunitetit.