Zbulohet mekanizmi i abuzimit të kompanisë celulare AMC

520
Sigal

Konsumatorët  shqiptarë abonent të kompanisë celulare AMC, kanë kohë që kanë rënë preh e abuzimeve nga ky ent, nëpërmjet një mekanizmi të sofistikuar dhe në dukje të parëndësishëm, por që u kushton mijëra lekë xhepave të qytetarëve. Dhe kuptohet se sa më shumë humbje të kenë qytetarët aq më të mëdha janë milionat që kjo kompani përfiton padrejtësisht nga djersa, mundi dhe gjaku i shqiptarëve të varfër. Po si funksionon ky mekanizëm? Para disa kohësh ne investiguam daljen nga kufiri shqiptar në drejtim të Malit të Zi dhe sapo kaloje me metra kufirin, shkëputej menjëherë sinjali dhe të vinte thirrja  se ju keni hyrë në zonën e huaj dhe trajtoheni me të tjera kuota, apo sikurse quhet në gjuhën e përditshme, ROMING. Dhe deri këtu nuk ka asnjë padrejtësi. Por kur futesh në kufirin shqiptarë, lidhja e telefonit me shërbimin AMC të bëhet pas disa minutash dhe që do të thotë edhe 20  edhe 30 minuta. Pra megjithëse ti ke hyrë në territorin shqiptarë vazhdon të trajtohesh njëlloj me shërbimin Roming dhe dihet se të gjithë abonuesit  komunikojnë me telefon dhe njoftojnë mbërritjen dhe nuk e dinë se je duke folur me shërbim tepër të shtrenjtë. Dhe për të qartësuar veten por edhe për të qenë korrekt me çfarë thamë më sipër ne investiguam rastin konkret i cili na zbuloi mekanizmin e abuzimit dhe vjedhjes që bënë kompania celulare AMC ndaj përdoruesve të saj. Vetëm para dy ditësh duke udhëtuar  drejt zonës  turistike të Dardhës vërejmë se në këtë zonë në orët e pasdites humbet shërbimi i AMC-së dhe në vend të tij futet shërbimi Roming. Për ata që nuk e kanë kjo është një skandal dhe shkelje e të drejtave të konsumatorit dhe klientit, të cilit i krijon amulli në punët private, zyrtare dhe bizneset e tij. Ndërsa për ata që e kanë këtë shërbim i vjedhë në mënyrë të paskrupullt, pasi ata janë të detyruar të flasin e të komunikojnë. Nëse një veprim i tillë do të ndodhte në një vend tjetër perëndimor kjo kompani do të kishte marrë ndëshkimin e merituar për këtë maskaradë dhe abuzim me qytetarët shqiptarë. Në ditët në vijim do ti kërkojmë Autoritetit të Konkurrencës, Entit rregullator të telekomunikacioneve, Avokatit të Popullit, KSHH, METES, krimit ekonomik  dhe organeve të hetimit  të fillojnë hetimet dhe ndëshkojnë këtë kompani. Ndërsa qytetarëve të abandonojnë dhe ndërpresin kontratat duke filluar nga ne të parët.