Tërmeti tragjik/ Rëndohet bilanci i dëmeve, 268 objekte do të shemben në Durrës. Tirana rekord pallatesh të dëmtuara

153

Sa më shumë verifikime kryhen në terren, aq më shumë rëndohet bilanci i tërmetit të 26 nëntorit.

Shtabi i Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore raportoi dje të dhënat e reja nga verifikimet e kryera në 5 qarqe të vendit. Deri mesditën e djeshme janë konstatuar 1183 shtëpi të shembura në qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë, Kukës dhe Dibër.

Drejtuesja e Shtabit të Emergjencave, zv. ministrja e Brendshme, Rovena Voda, në daljen e saj të radhës publike në Durrës, raportoi për 1050 banesa të shembura në qytetin bregdetar, 131 në Tiranë dhe 2 shtëpi në Dibër.

Sipas Vodës, janë dëmtuar rëndë 5514 shtëpi dhe 3569 janë dëmtuar lehtë. Sa u përket pallateve, duket se dëmtimet më të rënda i ka pësuar kryeqyteti, pasi deri tani janë shpallur të pabanueshme 20 godina të tilla.

Në total bëhet fjalë për 558 pallate, që kanë marrë dëmtime të rënda, nga të cilat: 35 në Durrës, 461 në Tiranë, 56 në Lezhë, 4 në Kukës, 1 në Dibër dhe 1 në Elbasan.

Veç këtyre, janë edhe 337 pallate që rezulton të jenë dëmtuar lehtë.

Zv.ministrja Voda deklaroi dje se deri tani janë prishur 27 objekte që ishin shkatërruar nga tërmeti dhe konsideroheshin të rrezikshme.

Prej tyre, 17 janë shembur në Durrës dhe 10 në Thumanë. Tërmeti i 26 nëntorit ka dëmtuar edhe 28 shkolla, të konstatuara deri tani, 15 kabina elektrike, 146 biznese, si dhe 2 qendra shëndetësore.

ROVENA VODA

Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, deklaroi dje se, deri në orën 17:00, në Qarkun e Durrësit janë inspektuar 4151 objekte, nga ku kanë rezultuar 1735 të pabanueshme e ndërsa 268 do shemben në ditët në vijim.

Në deklaratën për mediat nga Bashkia e Durrësit, Rovenda Voda ka bërë me dije shifrat zyrtare, ku theksohet se 338 persona kanë telefonuar në tre numrat e gjelbër, më specifikisht, 142 në Tiranë, 158 në Durrës, 29 në Lezhë dhe 1 në Elbasan. Nga këto telefonata, pjesa më e madhe e tyre, 297, kanë qenë për verifikim dëmesh në banesë. Ndërkohë, për përballimin e situatës në terren janë angazhuar mbi 800 punonjës Policie.

“Ka filluar prishja e një objekti 4-katësh në zonën e plazhit, tek ‘Ura e Dajlanit’, Durrës. Vijohet të punohet për prishjen e 1 objekti 3- katësh në Shkozet, (autostradë) Durrës”, tha Voda.

SIGURIA

Menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës u angazhuan për përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe në mbështetje të gjithë institucioneve në bashkërendim të plotë me Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile me qendër në Durrës.

Pas punës në terren të ditëve të para për misionet e kërkim-shpëtimit, strukturat e Policisë kanë siguruar rendin në parametra normalë në të gjithë qarkun dhe monitorojnë terrenin për parandalimin e çdolloj ngjarjeje me tendencë ndaj jetës, pronës dhe lirive të qytetarëve.

Aktualisht, nga punonjësit e Policisë së Durrësit janë marrë në ruajtje objektet e mëposhtme: 18 pallate të dëmtuara dhe që nuk banon njeri, 3 objekte ku janë vendosur ndihmat, 3 hotele të dëmtuara dhe të pabanuara dhe 4 qendrat e akomodimit në hotele.