Tatimori Hysen Mane shpik marifet të ri “gjoba xhepi”: Më jep 1 milion lekë ose të kalova si “biznes të madh”

1329
Skandalet që tregojnë fytyrën e korrupsionit “blozë” të nëpunësve dhe drejtuesve të zyrave të shtetit, janë prezent përditë në jetën e shqiptarëve, deri edhe duke shpikur e futur në veprim marifete dhe praktika abuzive, të shoqëruara edhe me sjellje harbutërore! Janë mijëra raste që denoncohen përditë në media, në prokurori, në policinë kriminale, por edhe me letra e mesazhe dërguar në adresë të kryeministrit, ministrave, drejtorëve e shefave përkatës të administratës publike, por nuk ka asnjë reagim. Një rast i tillë, u denoncua dje në Gazetën “Telegraf”, prej pronarit të biznesit të vogël me aktivitet Bar-Kafe “NEXUS”, me adresë në zonën e ish-Parkut në Tiranë. Pronari i këtij biznesi, zoti Robert Muke, në takimin me gazetarin e “Telegraf”, bëri prezent këtë shqetësim: Tri ditë pas një kontrolli të bërë në biznesin e zotit Robert Muke nga 3 inspektorë, zyra e tatimeve njofton zotin Muke të paraqitet në zyrën e zotit Hysen Mane. Në respekt të ligjit, pronari i subjektit “NEXUS” ka shkuar së bashku me ekonomistin e tij Hiqmet Muçollari. Sa është paraqitur në zyrën e tatimorit Hysen Mane, ai i ka kërkuar pronarit të ”NEXUS” që bisedën ta zhvillonin jashtë e larg zyrës, në anë të rrugës dhe kështu u veprua. Sipas pronarit Muke, ashtu si me “dashamirësi”, zyrtari tatimor Hysen Mane i ka kërkuar 1 milionë lekë të vjetra ryshfet, ndryshe Bar-kafen do t’ia klasifikonte nga biznes i vogël, në biznes të madh. Pronari i lokalit nuk ka pranuar megjithë sekserët dhe presionet që e këshillonin t’ia jepte gjobën. I gjendur përballë kundërshtimit disaditor të pronarit “shef” Hyseni që duket se është “usta dhe aga i vjetër” në tatime që nga koha e mikut të tij Bode, ia kaloi Bar-Kafen në “Biznes të madh”. Në respektim të së drejtës për informim dhe kontakt paraprak me personat që janë objekt i letrave të ardhura në redaksi, kontaktoi dje paradite me zyrtarin tatimor Hysen Mane, për saktësim, me qëllim edhe për të evituar ndonjë dashakeqësi që realisht ndodh në disa nga letrat që vijnë. Por tatimori i denoncuar Hysen Mane, gjithë kapadaillëk, iu përgjigja kështu gazetës: “Mos u merrni me gjëra të tilla, ik na lerë të qetë, nuk di asgjë”! Ne sot po publikojmë letrën e plotë të zotit Robert Muke, duke qenë të hapur për reagime nga i denjuari, pa asnjë censurë. Ndërkohë, po vijojmë investigimin e plotë të rastit në fjalë e të rasteve të tjerë të “CV” të Hysenit e të “ushtrisë” abuzive të “hysenëve” të tatimeve në Tiranë rrethe. Sot, gazeta “Telegraf” po publikon të plotë denoncimin e bërë prej pronarit të biznesit “NEXUS”, zotit Robert Muke:
Sigal

Denoncim

Drejtuar gazetës “Telegraf”, Tiranë


Unë Robert Muke, pronar ligjor i lokalit Bar-Kafe “NEXUS” në Tiranë, në zonën e ish-Parkut, kërkoj prej gazetës suaj realiste në trajtimin e problemeve, të publikoni një rast korrupsioni që ka ndodhur me mua prej një inspektori tatimor të degës së Tiranës. Një muaj e gjysmë më parë, në lokalin tim janë paraqitur 3 inspektorë të tatimeve për kontroll. Kam proces-verbalin që biznesi dhe aktiviteti im ka rezultuar plotësisht në rregull si nga licenca edhe nga detyrimet financiare të shlyera ndaj shtetit. Tre ditë pas kontrollit, inspektorët e tatimeve më kanë thirrur në zyrën e tatimeve të Degës së Tiranës. Kam shkuar i shoqëruar me ekonomistin e firmës time, zotin Hiqmet Muçollari, fakt i cila vërtetohet edhe nga pamjet e kamerave të drejtorisë së tatimeve-dega Tiranë. Pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë bazë ligjore tatimore, inspektori i zyrës tatimore Hysen Mane, pasi më priti në zyrë, më tha të bënim një takim e bisedë “shoqërore” jashtë zyrës së tij në rrugë ku edhe jemi takuar e kemi biseduar. Në atë takim rruge, Hyseni më ka kërkuar t’i jap 1 milionë lekë të vjetra ryshfet, sepse sipas tij “kështu janë këto punë”, ndryshe do të më kalonte me statusin “Biznes i madh”. Unë nuk kam pranuar, mbasi sipas ligjit tatimor dhe licencës jam biznes i vogël. Pasi nuk pranova, inspektori i zyrës tatimore Tiranë zoti Hysen Mane, më ka bërë presion se do të më kalonte Bar-Kafen në biznes të madh. Përsëri nuk kam pranuar të nënshtrohem përballë presionit të tij, por ai ka dhënë urdhër për kalimin e biznesit tim “si biznes o madh”. I kam deklaruar se nuk të jap asnjë qindarkë. Por persona të tjerë që mesa duket i përdorur si sekserë inspektori Hysen Mane, më kanë “këshilluar” të paguaj ryshfetin 1 milion lekë të vjetra tek shef Hyseni dhe sipas tyre, do të anulohej Brenda sekondës vendimi si biznes i madh, duke më kaluar përsëri si biznes i vogël. Nuk pranova dhe i deklarova inspektor Hysen Manes dhe sekserëve të tij, se do të bëja denoncim në prokurori. Vendimi për kalimin e lokalit tim si biznes I madh u zbatua dhe vazhdon. Duke mos mundur të përballoj detyrimet si biznes i madh, mbylla biznesin “Bar kafe” dhe pas disa ditësh e dhashë me qira me 40 mijë lekë të reja në muaj e kështu vazhdoj me qira! Me këtë rast, dua të publikoni edhe presionin fizik që më është bërë prej disa individëve të panjohur, për të mos bërë denoncim në prokurori për inspektorin e tatimeve Hysen Mane, ndryshe sipas tyre do të “shkatërrohesha”, mbasi Hyseni Mane ka miq të fortë në krye të PS.
Mbetem me besim, se rasti im do të publikohet në gazetën “Telegraf”

Me respekt
Robert Muke
Tiranë, më 6 korrik 2016