Studentët duhet të inkurajohen për të denoncuar korrupsionin në sistemin e lartë arsimor

614
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka vlerësuar dhe vlerëson pozitivisht nismat e marra dhe legjislacionin e miratuar që po zbatohet me qëllim për të garantuar pastërtinë, fuqizimin dhe pavarësinë e organeve të sistemit të drejtësisë. Por korrupsioni nuk është i veçuar. Ai është mjaft i përhapur. Raste jo të pakta korrupsioni janë vërtetuar në sektorin e shëndetësisë dhe ato të administratës publike. Faktet e këtyre kohëve të fundit tregojnë se edhe në sektorin e arsimit të lartë, madje edhe të arsimit në përgjithësi rastet e korrupsionit nuk kanë munguar. Reforma në arsimin e lartë siç dihet ishte e domosdoshme por KShH mendon, se rezultatet e saj u shoqëruan qoftë edhe në mënyrë të kamufluar me elemente të vetëkënaqësisë, të dobësimit të kontrollit dhe të llogaridhënies në drejtime nga më të ndryshmet apo edhe të dobësimit të strukturave ligjore të përfaqësimit të grupeve studentore. Në forumet e organizuara nga KShH këto muajt e fundit, me studentë të Universiteteve Publike në Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, institutin e Shkencave në Tiranë etj., ka pasur diskutime të shumta por mjaft shqetësuese për fenomenin e korrupsionit, sidomos në drejtim të sigurimit të notave fiktive. Gjatë diskutimeve rezultoi se ky fenomen nuk ishte sporadik por i praktikuar dhe i përhapur prej kohësh. Studentët gjithashtu ngritën pretendime edhe për forma të tjera korruptive, përkatësisht në futjen në provim të studentëve që kanë plotësuar numrin maksimal të mungesave për tu regjistruar në provim, si edhe raste abuzimesh nga sekretaria mësimore dhe stafi administrativ për të ndryshuar nota, apo për të marrë vërtetime e dokumente nga Fakulteti. Studentët ndanë gjithashtu, raste të sjelljeve jo etike të profesorëve si shitja me detyrim e teksteve mësimore dhe materialeve të përgatitura nga profesorët, profesorë “fantazma” të cilët nuk vinin në mësim gjatë pjesës më të madhe të vitit akademik. Diskutime të tilla tregojnë angazhim të vetë studentëve për t’i luftuar dhe parandaluar këto fenomene. Megjithëkëtë në fjalën e tyre binte në sy edhe njëfarë rezervimi, intimidimi ose ndrojtjeje për konkretizimin e gjërave. Ky fakt për mendimin e KShH-së e bën të nevojshme inkurajimin e mëtejshëm në radhë të parë të vetë studentëve, për të kaluar nga kritikat e përgjithshme në denoncimet konkrete dhe të bazuara sepse kjo do t’i shërbente në mënyre efektive parandalimit të veprave të tilla dhe do të rriste kërkesën e llogarisë dhe llogaridhënien. Në këtë drejtim, vlen për tu inkurajuar denoncimi i korrupsionit nga studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, si një model pozitiv i reagimit të të rinjve ndaj këtij fenomeni. KShH mendon se është detyra e organeve kompetente të vërtetojnë fajësinë e pedagogëve ose sekserëve të proceduar. Në këtë vështrim sugjerojmë hetim të shpejtë të gjithanshëm dhe objektiv që do të mundësonte zbulimin e kushteve dhe rrethanave të kryerjes së veprave të tilla. Megjithatë, KShH inkurajon modele të tilla pozitive të reagueshmërisë studentore edhe në Universitete të tjera të vendit, ku vetë studentët kanë shqetësime ose të dhëna për raste korruptive. Pedagogu siç dihet duhet të jetë pasqyrë e korrektesës dhe integritetit individual për edukimin me përgjegjësi të brezit të ri që përgatitet. I korruptuari nuk duhet të ketë vend në institucionet arsimore. Nota e mirë duhet të jetë rezultat i përpjekjeve ndërsa diploma duhet të jetë fryt i sakrificave të vet studentit dhe jo i ryshfetit që i jepet pedagogut që ia kërkon atë ose i kërkohet atij. Në përfundim KShH e sheh të nevojshme t’ju sugjerojë institucioneve kompetente arsimore që ta vlerësojnë seriozisht këtë problem dhe në linjën e tyre, si dhe në bashkëpunim me të tjerë ta adresojnë maksimalisht këtë problem dhe të marrin masa përkatëse për parandalimin e tij.
Sigal