Stefan Çipa: Midhja e ndëshkuar padrejtësisht nga embargoja e Brukselit

63
Këto ditë të qershorit, kur ethet elektorale janë shtuar, kreun e bashkisë së Sarandës, tanimë i lënë jashtë garës zgjedhore të 21 qershorit 2015, Stefan Çipën, e gjen mes miqve të tij duke pirë kafen e mëngjesit. Në një qetësi të plotë e me buzëqeshjen që e karakterizon, të cilën nuk ia ka zbehur mos – kandidimi, përkundrazi e shpreh edhe me angazhimin real në fushatën zgjedhore të së majtës në Sarandë. Me mendimin pozitiv se ka qenë një model i qeverisjes vendore, i vendosjes së ekuilibrave mes shtresave shoqërore, karakteristikë e bashkëjetesës harmonike të Sarandës, njeriu që 4 vjet më parë, kur u ul në karrigen e kryebashkiakut të qytetit jugor, si djalë i këtij qyteti, nisi konkretizimin e platformës elektorale duke e kthyer strategji të qeverisjes vendore. Një prej drejtimeve ishte të përtërinte vlerat identifikuese të Sarandës, të zbehura, të zhdukura apo të lëna jashtë vëmendjes në trazicionin e gjatë shqiptar. E pyesim për një nga ngjarjet më kryesore që ideoi dhe realizoi, duke e bërë Sarandën të njohur në shumë vende të ndryshme të botës, për festën lokale të midhjes. Pikërisht këtu shtrihet biseda jonë këtë mëngjes të bukur qershori me këtë kryebashkiak të punës dhe dashurisë për qytetin e tij.
“Telegraf”: Nga gjurmët që do të mbeten në historikun e qytetit dhe kujtesën e banorëve të këtushëm, është edhe Festa e Midhjes, ideuar dhe realizuar nga ju dhe që kaloi bindshëm edhe provën e edicionit të katërt. Fillimisht para se të flasim për shtysat e lindjes së kësaj ideje dhe hapat drejt realizimit, çfarë është midhja?
Lidhur me pyetjen tuaj, në përgjigjen time dua të them se unë nuk jam specialist i kësaj fushe. Jam diplomuar si ekonomist. Por nga informacioni që mora nga specialistët kur ideova Festën e Midhjes, po ju them se midhja është një organizëm ujor, jo kërbishtor dhe futet në familjen e butakëve Myfilidae. Midhja rritet në mjedise ujore liqenore dhe detare. Kripshmëria më e mirë për zhvillimin e saj është 24-28 për mijë kripë. Midhja shumëzohet dy deri tre herë në vit gjatë muajve nëntor –prill. Gjatësia e saj arrin deri në 7-8 cm dhe lëshon deri në 7-8 milionë vezë. Midhja ushqehet me anë të filtrimit të ujit dhe kryesisht me lëndën organike që ndodhet në kolanën ujore. Kjo midhje në vendin tonë është “autoktone” e brigjeve liqenore. Por në shumë vende të botës ajo është një specie invazive, rritet kryesisht në substrate të forta natyrale si: shkëmbinj apo edhe mbi substrate artificiale, si kollona apo pjesë të betonuara etj. Midhja, falë vetive të saj ushqyese, përdoret si një nga ushqimet më të pëlqyeshme e më të preferuara në tavolinat tona. Pikërisht kjo ka bërë që të rritet edhe interesi i kultivimit të saj, si dhe konsumimi i sajë në shumë vende të botës. Midhja konsumohet e freskët dhe e konservuar dhe tek ne. Është habitat i lagunës së Butrintit. Midhja është bërë më shumë se 60 vite më parë, identitet i Sarandës. Për nga vlera e pakonkurueshme ushqyese, si dhe për nga shija e pakrahasueshme, midhja është sinonim i qytetit të Sarandës.

“Telegraf”: Dhe ky sinonim dhe identitet i Sarandës, që ju cilësuat midhjen, besoj ka qenë një nga shtysat kryesore të punës suaj për t’i kushtuar asaj festën, tanimë tradicionale të përvitshme?
Përcaktuese për këtë kanë qenë ato vlera të veçanta që ka midhja e Sarandës, si ushqim i kërkuar, e pranishme në tavolinat dhe kulinarinë sarandiote. Ajo zë një shumëllojshmëri gatimi të shprehur në më shumë se 100 receta. Të gjitha këto e kanë bërë atë një “mbretëreshë” të tavolinave turistike, por edhe të tavolinave të thjeshta qytetare. Impiantet e kultivimit të midhjes, kanë qenë edhe një mundësi e madhe punësimi për sarandjotët e vjetër e të rinj. Historikisht, me midhjen, në situata të vështira ekonomike, kanë shuar urinë shumë familje, ndër vite. 
Pra, nuk kishte se si të ndoshte ndryshe, që kjo mbretëreshë të mos vihej në qendër të një feste lokale, më tipikja dhe më karakteristikja për ne. Realizimi i saj është një nga kënaqësitë që i kam dhënë vetes, por edhe qytetarëve, në katër vjet punë si kryebashkiak i Sarandës. Padyshim që është një gjetje e gjithëpranuar dhe do të mbetet një nga eventet më të mira lokale të Sarandës. Është një nga realizimet që më bën të ndihem mirë sot, por edhe në të ardhmen, kur me siguri do të thonë se “këtë e kemi nga koha e Stefan Çipës si kryebashkiak”. 
Festa e Midhjes është një pjesë e rëndësishme e investimit tim për Sarandën, bashkë edhe me shumë investime të tjera që i lashë qytetit si: zadra e notit dhe rikonstruksioni i stadiumit të lojërave me dorë, shëtitorja buzë detit me zgjatimin e saj deri në portin e trageteve, me trefishimin e normës së gjelbërimit për frymë, etj. Jam i bindur se festa e midhjes, pavarësisht nga kryebashkiaku i ri, që do të dalë nga zgjedhjeve të 21 qershorit, do të ketë vijimësi, sepse përfaqëson një festë tipike të Sarandës.
“Telegraf”: Si erdhi kjo festë në qytetin e Sarandës ose më saktë si u realizua dhe pse?
Si erdhi kjo festë? Edhe qytetarët e shihnin si boshllëk, që u mungonte një festë e veta. U muar shkas edhe nga feta e birrës në Korçë dhe nga ajo e verës në Pogradec. Me midhjen Saranda është rritur si qytet. Ka 60 vjet që kultivohet dhe konsumohet ky frut deti, kur gjetkë as nuk njihej e as nuk shijohej, sikur edhe t’ua falje. 
Për t’i shtuar këtë festë lokale qytetit, na erdhi në ndihmë thënia e njohur nga anët tona, që midhjen e kanë etiketuar ”Mbretëreshën e liqenit” të Butrintit. Ne nuk bëmë më shumë se sa i vumë asaj edhe kurorën tonë dhe e kurorëzuam edhe “mbretëreshë të Sarandës”. Tashmë ka tre vjet dhe ky është i katërti, që festa e midhjes organizohet me sloganin ”Midhja mbretëreshë e liqenit, mbretëreshë e Sarandës”

“Telegraf”: Çfarë bart në vetvete, cili është thelbi i kësaj feste?
Thelbi i kësaj feste është që produkti i midhjes të promovohet në pafundësinë e recetave të gatimit, të shijohet dhe të konsumohet në komunitet. Njëherësh kjo ka shërbyer që të promovojë aktivitetin e tij edhe biznesi vendas e ai i ftuar nga brenda e jashtë vendit, si nga ishulli i Korfuzit etj. Kur themi Midhja, ajo nuk konsumohet e vetme, por e bashkëshoqëruar. E këtu duhet të nënkuptojmë edhe promovimin e prodhimeve të verës apo të kompanive prodhuese të birrës, që janë vënë në mbështetje të festës sonë. 
Nuk mund të le pa përmendur një bashkëshoqëruese shumë natyrale të festës sonë, që është Shoqata e Prodhimit të vajit të Ullirit, me mbështetjen e USAID. Sivjet ishte edicioni i dytë që kjo shoqatë i bashkangjitet suksesshëm festës sonë, duke i dhënë jo vetëm mbështetje, por edhe një tjetër dimension kësaj feste. Po kështu, do të veçoja ndër partnerët tanë më të mirë në festën e Midhjes, kompaninë dhe institutin e vetëm të kulinarisë shqiptare ”Neranxi”, që zë vendin më të madh në panairin e Midhjes.
“Telegraf”: Çfarë të veçante pati edicioni i sivjetshëm i Festës së Midhjes?
E veçanta e sivjetshme, që do ta vendos si kryeradhë është se në të mori pjesë shumica e ambasadorëve të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Edicioni i sivjetshëm pati risi dhe cilësi si në organizim, ashtu edhe në një performancë më të mirë. Falenderoj këtu edhe shkollën e mesme të hotelerisë, si dhe institucionet e tjera në varësi të bashkisë: konviktin e shkollës së mesme profesionale, qendrën polivalente, shtëpinë e fëmijës etj. Edhe ata dalin dhe ekspozojnë gatimet e tyre me produkte deti, ku zotëron midhja, e gatuar me shumë fantazi. 
Sivjet u zhvillua edhe një mikro-konkurs me shkollarë, të cilët u vunë në garë të bukur se kush do të konsumonte më shpejt një sasi të caktuar midhjesh. Pati edhe juri për vlerësimin e më të mirëve dhe fituesit u nderuan me simbolikën e midhjes, sipas modelit të gdhendur në allçi dhe bronx, me nënshkrimin e bashkisë së Sarandës. Pati shfaqje nga cirku ”Fantastic Show”, animacione të ndryshme në fytyrat e fëmijëve, u dha koncert me këngëtarë të shquar shqiptarë dhe nga vendet fqinjë. 
Një festë e shtrirë në tri netë radhazi, me tryeza panairi në shëtitore, me degustime të midhjes dhe me pijet më të përdorshme që shoqëruan gatimet e saj. Thjeshtë Saranda i përjetoi tri ditë e tri net të kaluara në atmosferëne kësaj feste të veçantë, me një traditë katërvjeçare.
Tanimë Festa e Midhjes është kthyer edhe në një parathënie të eventit tjetër, atij të çeljes së sezonit turistik veror, ku marrin pjesë të gjithë bashkëqytetarët, vizitorë e miq të shumtë, turistë dhe të ftuar nga ana jonë. Të gjithë bëhen pjesë e kësaj kënaqësie dhe feste masive, pjesë e panairit dhe dhe shijimit të prodhimeve të veçanta të midhjes.
Dua të shrytëzoj këtë intervistë edhe për të thënë se Festa jonë e Midhjes përgatitet të dalë jashtë kufijve shtetërorë. Patëm një kërkesë nga kompania Mediaplan e Kosovës për të çuar atë në Prishtinë, por kjo do të ndodhë ndoshta vitin e ardhëm. Ajo ne përgatisim është zhvendosja e festës sonë të Midhjes në qytetin e Opatisë, me kërkesën e homologëve të bashkisë së Opatisë në Kroaci dhe të komunitetit shqiptar që jeton atje dhe që është shumë aktiv dhe i përgjëruar për lidhjet më shtetin amë. Jam besimplotë se ky projekt i përbashkët do të marrë jetë, duke e bërë edhe më të ngushtë bashkëpunimin me Bashkinë e Opatisë në Kroaci. Dhe konkretizimi i parë do të jetë çuarja edhe atje e festës sonë më karakteristike e më të veçantë.

“Telegraf”: Si është prodhimi i midhjes dhe a ka problematikë tregu i saj?
Prodhimi maksimal i Midhjes, në vite të veçanta të saj, ka arritur deri në 50 mijë kv. Sot prodhohen 15-18 mijë kv midhje guaskë e 1800-2000 kv mish. Siç e përmenda, me midhjen janë të lidhura ekonomikisht më shumë se 300 familje. Midhja ka filluar të përpunohet industrialisht para 40 vitesh. Problematikë patjetër që ka e kjo u synua dhe u shpresua edhe nga edicioni i festës së sivjetshme, ishte dhe mbetet promovimi i saj, me synim hapjen e tregut europian për midhjen shqiptare. Eksporti i saj qëndron i bllokuar qysh prej vitit 1994. Dhe këtu ka një paradoks të madh. Midhja shqiptare tërheq vëmendjen dhe interesimin e tregut të vendeve europiane, por rruga drejt tij ka mbetur e mbyllur për 21 vite. 
Nga analizat midhja e Butrintit del e pastër nga sëmundjet dhe ngarkesat mikrobike, apo nga mbetjet e tjera toksike. Ndërsa reagimi i BE-së për zhbllokimin dhe rinisjen e eksportit, nuk po duket të vijë. Vetë specialistët thonë se në Sarandë dhe rajonin e saj nuk ka ndonjë lloj industrie kimike, që të ketë derdhje në det apo liqen apo në lumenjtë tanë, që të shkaktojë ndotje të prodhimit. Ata argumentojën se ujërat tona janë të pastra. Sipas specialistëve kjo është një embargo kaq e zgjatur sa është kthyer në absurditet. Edhe vendi ynë laget nga deti Adriatik e Jon, sikurse Italia e Greqia. Thuhet se ato prodhojnë dhe eksportojnë midhje pa problem, madje nganjëherë duke mos e pasur prodhimin e midhjes kaq të shëndetshëm sa tonin, ndërkohë që ne vuajmë një lloj embargoje të heshtur. Dhe mendoni se llogaritet që po të jepet dakortësia nga BE-ja mund të jepen 40-50 mijë kv midhje drejt tregjeve europiane. Nga pamundësimi i këtij eksporti të midhjes, ekonomisë sonë i humbasin të paktën 40 mijë USD në vit, kur siç e përmenda, kapaciteti prodhues është 50 kv. Në vit dhe si shkak i embargos prodhohet vetëm 12-15 mijë kv në vit.