Sot hyn në fuqi ligji i "Call Center" në Itali, çdo bëhet me to në Shqipëri?

Në Itali, ditën e sotme, hyn në fuqi ligji “Për delokalizimin”. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj.

Ndërkohë Shqipëria ka nisur të ndiejë efektet. TIM, Sky, Fastweb kanë reduktuar kontratat në Shqipëri.

Ligji antidelokalizim synon të forcojë masat ndaj fenomenit të largimit në sektorin e call center, që kanë sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit në Itali, ku një pjesë e madhe e vendeve të punës është transferuar në Shqipëri për shkak të avantazhit të kostos së fuqisë punëtore dhe njohjes së gjuhës italiane.

Ligji vendos sanksione deri në 150 mijë euro për shkelje si mosdeklarimi i origjinës nga bëhet telefonata, mosruajtja e të dhënave, mosnjoftimi i delokalizimit, mosdeklarimi i numrit të punonjësve, transferimi i punonjësve etj. P.sh. mosinformimi i vendit nga bëhet thirrja shoqërohet me një sanksion administrativ prej 50,000 eurosh për çdo ditë të shkeljes së ligjit, pavarësisht nga numri i thirrjeve ‘jo të rregullta’.