Skënder Tufa: Helm në gotën e rakisë për kandidatin e pavarur

126

Flet kreu i ish të burgosurve politikë: Mua dhe Kastriot Islamin na ndjekin me policë, por Islami është tradhtar, ndërsa unë kundërshtar i sistemit

Skënder Tufa është helmuar, pasi ka mbrojtur kauzën e ish të përndjekurve… Këtë gjë e ka deklaruar vetë ai, gjatë intervistës së sotme në gazetën “Telegraf”. Sipas, Tufës, kjo ka ndodhur gjatë ditës së hënë, në një nga lokalet pranë Komisariatit nr.1, ku ai ishte duke komunikuar me mediat, për demonstrimin me zinxhirë të ish të burgosurve, pranë Parlamentit. Gjatë kësaj interviste, ai tregoi se si në momentet, kur ai dilte tek dera e lokalit, për të komunikuar me gazetarët, dikush i ka hedhur helm në gotën e rakisë. Por helmi, nuk ka qenë vdekjeprurës. Ai ishte për të neutralizuar aktivitetin e përditshëm politiko-social të Skënder Tufës, i cili aktualisht po udhëheq iniciativat e ish të përndjekurve, nëpërmjet demonstrimeve dhe  protestave. Përveç kësaj, Tufa tregon se, gjatë këtyre ditëve është ndjekur rregullisht nga 2 agjentë të policisë shtetërore, të cilët nuk e lënë asnjë minutë të qetë. “Madje, sot, kanë qenë tre agjentë që më ndiqnin këmba – këmbës për të më përgjuar dhe penguar në punën time fisnike”, nënvizon Tufa.

 Zoti Tufa si jeni sot?

Sot kam qenë pak më mirë, nga ana shëndetësore, pasi kam kaluar disa ditë në një gjendje shumë të rëndë. Kjo gjendje ka filluar pas protestës me zinxhirë që zhvilluam ne, ish të përndjekurit politikë. Pikërisht, atë ditë, strukturat e fshehta të shtetit diktatorial më kanë helmuar.

Në ç’mënyrë kanë arritur t’ju helmojnë?

Kjo ndodhi atë ditë, kur unë u mora me organizimin e protestës me zinxhirë. Pasi i lidha nëpërmjet zinxhirëve,unë u largova pak, sepse vetëm unë i kisha çelësat dhe askush tjetër nuk mund t’i hapte bravat e drynave të këtyre zinxhirëve. Por policia dhe forcat speciale ishin pajisur me gërshërë dhe arritën t’i prisnin zinxhirët. Sepse policia tani përveç kamxhikëve dhe armëve është e pajisur edhe me gërshërë.

Ku shkuat ju, gjatë asaj kohe?

Unë ndodhesha te një lokal përballë Rajonit të policisë numër 1, të Tiranës. Aty u ulëm dhe unë piva një gotë raki, sa për të pasur diçka përpara. Sepse dihet që unë nuk e preferoj fare pijen.

Çfarë ndodhi konkretisht në atë moment?

Kur unë dola disa minuta për të komunikuar me gazetarët  e gazetave dhe me gazetarët televizivë, aty ndodhi një poshtërsi shumë e madhe. Një nga ato gjëra që nuk janë bërë as nga policia fashiste dhe as nga ajo naziste. Por kjo tregoi se, shteti shqiptar është i pamëshirshëm ndaj ish të burgosurve politikë.

Po si ndodhi helmimi?

Pra, kur dola jashtë, dikush më hodhi në gotën e pijes, diçka, që më neutralizoi aktivitetin dhe më dëmtoi rëndë, nga ana shëndetësore. Sepse menjëherë sapo piva një gllënjkë, pata një tronditje të rëndë, me ethe, temperaturë dhe të vjella. Dhe nga ora 15:00 deri në 03:00 të natës nuk më kanë pushuar të vjellat, ulje-ngritjet e tensionit dhe luhatjet e temperaturës.

Çfarë ndodhi më tej?

Në orën 03:00 të mëngjesit, miku im Perikli Shqevi më solli urgjencën në shtëpi dhe mjekët më bënë një gjilpërë, pas së cilës u normalizova disi. Por përsëri deri në ditën e sotme kam vazhduar të kem dhimbje stomaku e shqetësime të tjera, të cilat më kanë paralizuar disi aktivitetin efektiv të këtyre ditëve.

Ju mendoni se ky helm që ju kanë hedhur, nuk ka qenë vdekjeprurës?

Jo, unë mendoj se ato struktura të fshehta që më helmuan nuk kishin si qëllim që të më merrnin jetën. Se po të donin, ata kanë mënyrat e tyre për ta bërë këtë. Por ata siç e thashë edhe më lart kishin si qëllim që të më neutralizonin aftësinë për organizimin e punëve dhe për të më detyruar të qëndroja disa ditë i shtrirë. Por çështja është disi më e thellë se sa kaq sa duket.

Përse është më e thellë?

Sepse unë këto ditë kam dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kërkesën për të kandiduar si kandidat i pavarur. Dhe për këtë ka disa ditë që kam plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar. Prandaj, nga ky shtet mund të pritet gjithçka. Sepse ky është shteti i pamëshirshëm ndaj ish të burgosurve politikë. Ky shtet e ka mendjen vetëm se si të mashtrojë ish të burgosurit gjersa të fitojë kohën e nevojshme, ose gjersa t’i mbarojë fare afati i qeverisjes.

A është e vërtetë se ju u ndjekin nga prapa, agjentët e fshehtë të policisë?

Po është shumë e vërtetë dhe unë këtë e kam deklaruar prej kohësh. Që nga dita kur ne ish të përndjekurit politikë kemi filluar luftën e ndershme për fitoren e të drejtave tona legjitime, unë vazhdimisht jam ndjekur dhe përgjuar nga këta agjentë të policisë së fshehtë. Gjithmonë jam shoqëruar prej dy policëve apo agjentëve civilë, të cilët nuk më kanë lënë asnjë minutë pa më shoqëruar në distancë, por ndonjëherë edhe fare afër meje. Madje, gjatë ditës së djeshme kanë qenë tre agjentë të tillë civilë. Unë i them atyre të mos lodhen kot për të zbuluar qëllimet e mia, sepse unë në jetën time kam pasur dhe kam vetëm një qëllim: Të punoj për të drejtat e bashkëvuajtësve të mi, të cilët nuk do t’i tradhtoj asnjëherë. Kauza ime nuk është vetëm dëmshpërblimi, por edhe vlerësimi i sakrificave të ish të përndjekurve politikë, si edhe integrimi me dinjitet i tyre, në shoqërinë shqiptare. Madje, nesër dhe pasnesër unë do të dal para publikut, nëpërmjet mediave duke i ftuar të gjithë në tubimin masiv për 40- vjetorin e protestës së ish të burgosurve të Spaçit. Lajtmotivi i këtij tubimi do të jetë: 40 vjet pishtar, 40 vjet pa varr”. Sepse kanë kaluar 40 vjet dhe disave, prej të vrarëve në burg ende nuk u është gjendur varri.

Pas këtij helmimi, a ju duket ndopak vetja si rasti i helmimit të Petro Nini Luarasit?

Këtë krahasim gjatë këtyre ditëve ndaj meje e kanë bërë shumë njerëz. Por unë e quaj se kam bërë vetëm detyrën.

Çfarë mendoni për faktin se sot në Tiranë, ju dhe Kastriot Islami shoqëroheni me policë, por në mënyra të ndryshme?

Kastriot Islami është tradhtar i partisë së vet dhe atë e ruajnë prej njerëzve që e kanë votuar. Dhe të cilët i tradhtoi. Po të më krahasojnë mua me atë, atëherë është më mirë të mbytem në Lanë. Atë e ndjekin për ta ruajtur prej të tjerëve, ndërsa mua më ruajnë për të më neutralizuar aktivitetin patriotik në emër të ish të burgosurve politikë.

Çfarë mund të themi në përfundim të kësaj bisede?

Së shpejti, gjatë këtyre ditëve do të kërkoj ndihmën e Ambasadës Gjermane dhe Amerikane për mbështetje. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve kam pasur përkrahjen e mijëra njerëzve për kandidimin tim, si i pavarur.

Ndërkaq, kryesia e KQZ-së ka shpërndarë këtë njoftim për mediat, ku thuhet se, “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e premte, më datë 19.04.2013 ora 13:00 zhvillon mbledhje me këtë rend dite: Projekt-vendim: “Për regjistrimin e Komitetit Nismëtar, i cili do të organizojë punën për paraqitjen e zotit Skënder Tufa si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në Zonën Zgjedhore Tiranë, për zgjedhjet për Kuvendin të datës 23.06.2013”.