Skandali me 1.4 miliardë lekët për qendrën e Durrësit

534
Sigal

Një tjetër skandal me afera të dyshimta është regjistruar në Bashkinë e Durrësit. Bëhet fjalë për 1.4 miliardë lekë, të cilat janë tenderuar për vetëm 7 minuta, dhe që po shkatërron nga themelet qendrën e Durrësit, duke hequr veç të tjerave pas 95 vitesh edhe shatërvanin e ndërtuar qysh në vitin 1929. Burime bashkiake i thanë “Telegraf” se, “tenderi i punimeve në qendër shumë shpejt do të shkojë në Prokurori, pasi janë shkelur të gjitha procedurat ligjore dhe urbanistike, janë shkelje flagrante të cilat kanë favorizuar klientët e krerëve të Bashkisë, por njëherësh ai tender është fituar pa ulje asnjë qindarkë, gjë e cila përbën sërish shkelje ligjore”. Por këto punime të cilat nuk dihet sepse nisën me urgjencë, po shkatërrojnë qendrën e Durrësit, po heqin dhe tjetërsojnë identitetin e qytetit, po largojnë nga qendra edhe shatërvanin 85 vjeçar. Asnjë projekt, asnjë miratim në KRRTRSH, asnjë “OK” me shumicë nga këshilltarët, anëtarët e KRRT Bashkisë dhe veçanërisht asnjë miratim mbarëqytetar nuk është marrë nga Dako, për punimet e nisura. Prej 3-4 ditësh, qytetarët e Durrësit janë ngritur në protesta masive dhe kanë pushtuar qendrën e qytetit, duke mos lejuar vazhdimin e punimeve nga firmat fituese të tenderit 1.4 miliardë lekësh, duke paralajmëruar Dakon dhe bashkëpunëtorët e tij, të ndalin shkatërrimin e qytetit. Gjithë Durrësi është ngritur kundër Dakos, gjithë qytetarët janë ngritur kundër grupimit të shkatërrimit, kundër betoniereve, të cilat po shpërfytyrojnë qytetin, vlerat dhe historinë e tij. Vetëm 4 vjet më parë, projekt-zhvillimi afatgjatë i Durrësit u bë objekt i debateve qytetare, por edhe grupeve të interesit, shoqatave dhe intelektualëve, të cilat kundërshtuan prerazi heqjen e shatërvanit, betonizimin e qendrës, dhe kërkuan kthimin në identitet të rrugës tregtare. Por Bashkia dhe klientët e saj, duket se kanë vazhduar rrugëtimin e tyre drejt realizimit të planeve ogurzeza, të helenizimit të Durrësit. Pas rrugës dytësore të portit, rrugës së plazhit, rrugës së Currilave, rrugës tregtare, duket se qendra e qytetit, do të jetë skandali radhës, i cili do të jetë objekt i punës së organeve hetimore. Qytetarët e Durrësit, duke injoruar zërat e servilëve dhe sekserëve të Dakos, duke hedhur poshtë çdo tentative të kameleonëve pranë Dakos, të cilët kanë vegjetuar në çdo lloj qeverisje vitet e fundit, janë të vendosur ti thonë “JO” shkatërrimit të vlerave që dëshmojnë historinë 3 mijë vjeçare. Qysh nga dita e premte, qytetarët e Durrësit janë derdhur në shesh dhe nuk zmbrapsen deri në anulimin e planit ogurzi të Bashkisë, dhe tenderit 1.4 miliardë lekësh, i cili nuk është bërë publik por është mbajtur i fshehur për të realizuar synimet e klaneve antishqiptare, që po shkatërrojnë nëntokën dhe mbitokën e qytetit.

 Të gjithë qytetarët kundër Dakos

Gjushi vazhdon ta shkatërrojë pak e nga pak! Nëse nuk dalim të protestojmë s’ do mbetet gjë nga shatërvani përveçse sheshit të shëmtuar të betonit që po ndërton Gjushi!!!
Shatërvani u ndërtua nga arkitektët durrsakë me paratë e parisë së qytetit në 1928, i rezistoi pushtimit fashist, atij nazist, bombardimeve të aleateve, regjimit komunist, tranzicionit dhe kaosit urban, por nuk i rezistoi dot Rilindjes të Sanço Gjushit dhe Ram Kishotit! Qytetarë të Durrësit në emër të paraardhësve tuaj dhe memories historike të qytetit mos e lejoni Pançon t’u shkelë me këmbë ju dhe memorien historike të qytetit!

Altin Goxhaj