S’ka kuponë për kartat e identiteti, qytetarët elbasanas shkojnë i blejnë në Librazhd

483
Sigal

Prej dy ditësh në postën e qytetit të Elbasanit nuk gjenden kuponë për karta identiteti. Olsi Kryeziu, i cili ishte në radhë thotë për gazetën “Telegraf” se, ka dy ditë që shkon për të blerë kuponin për kartën e identitetit, por nuk ka gjetur pasi i punonjëset e postës i thonë se kanë mbaruar. “Unë nuk e kuptoj se si mbarojnë që në orën 08:00 të mëngjesit dhe nuk e di se çfarë do të bëj pasi më duhet me patjetër  që ta blejë dhe të aplikoj sa më shpejt për kartën e identitetit pasi rrezikoj dokumentet”, tha Kryeziu. Kurse një tjetër qytetar tha për gazetën se, “kam dy ditë që vi rresht dhe nuk kam gjetur kupon, prandaj u detyrova që të iki në qytetin e Librazhdit për të blerë kuponin pasi me duhej me patjetër që të aplikoja për kartën e identiteti. Unë nuk e quaj të drejtë këtë gjë, që nga Elbasani të shkoj në Librazhd për të blerë një kupon pasi kushton dhe rruga dhe për këtë nuk mban njeri përgjegjësi”, -tha ai. Kemi pyetur këtu te sporteli thonë qytetarët në radhë, por na përgjigjen shkurt fare se, “mbaruan kuponë për sot, hajdeni nesër dhe po të njëjtën gjë thonë dhe të nesërmen”. Kurse personat përgjegjës shprehen për gazetën se, “është e vërtetë që nuk ka pasur kuponë, por kjo për arsye se ka shumë kërkesa nga qytetarët  për kuponët e kartave të identitetit pasi kanë ardhur emigrantë me rastin e festës së Ditës së Verës dhe kuponë vinë shumë më pak se ç’janë kërkesat e qytetarëve, por ne kemi bërë kërkesë që të na rritet numri i kuponëve dhe besojmë se brenda javës kjo situatë do të zgjidhet dhe qytetarët do të marrin shërbimin e duhur dhe nuk do të jenë të detyruar të udhëtojnë deri në Librazhd apo Peqin për t’u pajisur me kupon”.