Zef Preçi: Rregullimi i veprimtarisë së kompanive “off shore”, si nevojë e ditës

594
Raportimet mediatike të ditëve të fundit mbi një falimentim të pilotuar të një kompanie private që vlerësohet se ka grabitur të paktën 5 milionë euro nga taksat e papaguara dhe paratë e qytetarëve të mashtruar sjellin edhe një provë se përse duhet të rishikohet me urgjencë kuadri ligjor që rregullon veprimtarinë e kompanive “off shore” në vendin tonë, ashtu siç po ndodh në vendet e BE-së. Personalisht prej të paktën 5 vitesh jam përpjekur të kontribuoj në debatin publik e profesional rreth kësaj teme. Por që të rishikohet ky kuadër ligjor dhe institucional, vendi duhet të qeveriset nga një klasë politike e përgjegjshme, demokratikisht përfaqësuese, e shkëputur nga ndikimi i oligarkisë dhe rrjetet e krimit të organizuar. Mjerisht, Shqipëria nuk ka një Parlament serioz prej nga mund të ndërmerren nismat ligjvënëse, ashtu sikurse individëve të emëruar në të ju mungon integriteti dhe përgatitja profesionale për të iniciuar nisma ligjore në këtë fushë. 

Vështirë të marrë përgjigje edhe aspekti tjetër, tejet i rëndësishëm, për një pushtet legjitim dhe shtet të së drejtës: si shpjegohet që shumica e “investitorëve” off shore janë politikanë dhe ish-politikanë që në vendet e tyre kanë probleme me ligjin (p.sh “miqtë” nga Italia, Gjeorgjia, etj) ose po ndodh që disa “biznesmenë” shqiptarë të njohur si “middle man” të elitës politike shqiptare, regjistrojnë kompani në Holandë, në ishujt e “off shore”-ve e deri edhe në Kosovë dhe prej andej, shumë herë me dokumente të dyshimta “fitojnë” tenderë nga fondet publike në shfrytëzimin e pasurive publike, koncesione okulte, partneritete publike private në shëndetësi, në pastrimin e mbetjeve urbane, etj., pra nga çdo burim pasurimi brenda natës, falë lidhjeve të shkurtra me pushtetin? Kjo është aq e vërtetë sa BERZH e konfirmoi edhe zyrtarisht dy javë më parë se 2 në 5 firma shqiptare suksesin në biznes e shohin të kushtëzuar nga lidhjet politike…

E pra, kjo ndodh në një vend ku po tkurret me shpejtësi klasa e mesme, ku 1/3 e popullsisë jeton me më pak se 5 USD në ditë për frymë, ku 300 mijë shqiptarë kanë lënë vendin për t’u shndërruar në azilantë ekonomikë në Perëndim… Sa afër dhe sa larg Evropës së ëndërruar, që mjerisht duket se po mbetet vetëm një ëndërr e brezave. E kjo vetëm për shkak të keq-qeverisjes, korrupsionit, krimit të organizuar, nënshtrimit të shtetit nga pushteti, deficitit demokratik në rritje, etj.
Sigal