Si i shpëtoi arrestimit dhëndri i Zenel Shehut

2522
Halil RAMA
Lutfi Hanku – profili i mësuesit dhe shkrimtarit disident që sfidoi diktaturën
• Pushteti i frikës sundonte në Peshkopi, pasi diktatura ekzekutoi drejtorin e parë të Shkollës Unike, Edip Tërshana – burrin e diturisë që formoi të parën Parti Demokratike në Shqipëri

• Si i shpëtoi arrestimit pas Fletë-Rrufesë ndaj policëve që nuk vrisnin qentë rrugaçë?!
Kalvari i shkrimtarit disident. Mbështetja që i dha ish-ministri i arsimit Bedri Spahiu

• Njolla në biografi, që e shoqëroi gjatë gjithë kohës së diktaturës si dhëndër i “armikut të Popullit”, Zenel Shehu
Lutfi Hanku – një nga korifenjtë e vërtetë të kulturës dhe arsimit kombëtar në Dibër, ndjehet tejet i nderuar si “Qytetar Nderi” i dy bashkive të Dibrës dhe Bulqizës, titull ky i dhënë nga këshillat bashkiakë respektivë. Ai lindi në Zerqan të Dibrës, më 4.4.1930 nga një familje e mesme, patriotike, me besim bektashian. U rrit jetim. Mësimet e para i mbaroi në vendlindje. U aktivizua si pionier në Luftën kundër pushtuesit italo-gjerman. Mbas çlirimit të atdheut vazhdoi studimet në Normale të Elbasanit dhe Uniken në Peshkopi. Më 1956-1960 mbaroi Universitetin Shtetëror të Tiranës, fakultetin Histori-Filologji. Nga viti 1960-1992 – mësues i gjuhës shqipe në shkollat e mesme të qytetit të Peshkopisë. Ka drejtuar rrethet letrare të shkollave, bibliotekat dhe aktivitetet shkencore, kulturore, artistike. Nga një rrëfim brilant del qartazi potenciali i tij intelektual, disidenca dhe krijimtaria tejet produktive e cilësore letrare e autorit të më shumë se 30 librave (monografi, romane dhe ese), që e fut atë me dinjitet në analet e historisë së letërsisë shqipe.

Koha kur vuanim urinë e “komunizmit të luftës”
Në memorien e Prof. Lutfi Hankut ruhet e freskët vjeshta e vitit 1945, kur në Peshkopi u ndez drita e diturisë. U çel Shkolla Unike në shtëpinë e Rushdi Shehut. Skllavëria e analfabetizmit u trondit. Në vitin e dytë shkollor erdhën nga Normalja e Elbasanit tre nxënës:Zejnel Sula, Lutfi Hanku, Adem Sollaku dhe nga Shkolla Teknike e Tiranës, Mois Cami. Kontigjenti i ardhur në Unike qe rezultat i kërkesës këmbëngulëse të intelektualit demokrat, Edip Tërshana, për të hapur pas dy vitesh Shkollën Pedagogjike. Shkolla me konvikt kaloi në Dobrovë në shtëpinë e Abdulla Mehmetit. Uniken e vazhduan dibranët: Avni Agolli, Adem Sollaku, Emin Jashari, Halit Doçi, Ismail Hoxha, Ilir Ramizi, Ismail Erebara, Jashar Kaci, Lutfi Hanku, Mois Cami, Mefat Shehu, Nehat Tërshana, Rushdi Ndreu, Selaudin Trepça, Fehmi Ndreu, Vera Nura, Zejnel Sula, Zyber Ndreu. Drejtonte shkollën Edip Tërshana që jepte lëndët shkencore, ndërsa lëndët humanitare i jepte mësuesi Hysni Alimerko nga Vlora. Në dritë-hijet e asaj kohe L. Hanku veçon vërtetësinë, sakrificat e mbijetesës për të fituar dije që të varrosej errësira e padijes me atë mentalitet, dëshirë e botë të asaj moshe. Ulej konviktori i mërdhifur nga të ftohtit pranë fenerit ose dritës së mekur të qiririt, duke nxjerrë sytë mbi dispencat e shkruara me ciklostin. Pa zjarr. Këmbët akull dhe të enjtura, të lagura në opinga të grisura.“Në kohën e lirë ne vraponim tek ndërtesat, që po ngriheshin për zyra në bulevardin e qytetit. Prisnim të kapim ndonjë thes bosh çimentoje. I bënim fletore për shënime dhe për detyra mësimore. Ky refren me zor kapërcehej edhe pse shkollarët në netët e ditët e uritura mbanin shpirtin me 250 gram bukë misri në 24 orë. Ne vuanim urinë e “komunizmit të luftës”, -kujton Prof. Lutfiu, i cili në botën e nxënësit ka mbledhur copëza të jetës si më tipike të asaj kohe. Edip Tërshana dhe Hysni Alimerko kanë mbetur të zgjuar si personalitete me plagë dhembjeje në vetësinë e Lutfiut e të disa shokëve të tij. Diktatura nuk e la drejtorin Tërshana të ndezë i pari dritën e ëndrrës më të bukur të patriotizmit: – Hapjen e Shkollës së Mesme Pedagogjike! Akoma krismat e “sharësit” që derdhi plumba mbi jetën e mësuesit demokrat, zhurmojnë në lëngatën e asaj nate të trishtuar të qytetit të Peshkopisë e të Lutfiut…E vranë burrin e diturisë që formoi të parën Parti Demokratike në Shqipëri!

Kur qyteti ndrydhej nën kërcënimin e terrorit të kuq
Ambienti i sajuar për shkollën Pedagogjike ishte një shtëpi me oborr të ngushtë me dhoma studimi e fjetje si kotec. Mesnanat mbyteshin në terror. Sharrësit korrnin jetë njerëzish. Ndërsa mëngjeset e ngrira zgjonin Peshkopinë me këngët e konviktorëve, nën presionin e zërit të çjerrë të sekretarit të Partisë,Nuri Prrenjasit, një refren i detyruar. Por tek ura e qytetit mekeshin zërat e trembur të rreshtit. Në mes të sheshit të pazarit vazhdonte trekëmbëshi i vdekjeve me litar për kundërshtarët e komunizmit. Kënga shuhej nën mërmërima zërash. Qyteti ndrydhej nën kërcënimin e terrorit të kuq. Edhe mes klithmës së terrorit, unikasit u bënë promotorë të zhvillimit arsimor e kulturor të qytetit. Ata derdhnin vullnetet rinore përmes kulturës, artit e sportit si: Ismail Hoxha, Zejnel Sula, Vera Nura, Ismail Erëbara, Moisi Cami, Lutfi Hanku, Nuri Abdiu, Shemsi Manjani, Skënder Sharku. Nehat Tërshana, Mefat Shehu etj. Lutfiu i përmend me nostalgji prindërit e shokëve të shkollës, si: Nëna e Selaudin Trepçës, Netën e Vera Nurës, nënën e Halit Doçit që vinte mes dimrit nga Lura, nënën e Skënder Sharkut dhe të Selaudin Trepçës, etj.

Kalvari i shkrimtarit disident. Mbështetja që i dha ish-ministri i arsimit Bedri Spahiu
Viti i dytë solli mësues indiferentë, të ftohtë me drejtorin, autoritarë e fashistë në karakter, si Pandi Cicin. Lutfiu nuk u bindej urdhrave të mbrapshta të filozofisë të tij të spiunit. Ai nuk harron profesor Sinjarin me “profecitë” e tij. Por nuk harron as “lugatin” N. Prrenjasin, sekretarin e partisë në shkollë. Ai mblodhi rreth vetes nxënës, “aristokratë” me rolin e hetuesve që raportonin çdo “mëkat” të shokëve. Pedagogjikasi Hanku nuk i përballoi trysnitë amorale të shpifjeve të “shokëve” të tij. Një ditë atë e larguan nga shkolla. Por më vonë ishte Ministri i Arsimit, Bedri Spahiu, që i dha të drejtën e vazhdimit të pedagogjikes në Shkodër. Ngrohtësia shoqërore, takti pedagogjik, veçanërisht i drejtorit Shaban Arra, e mësueses së gjuhës shqipe e letërsisë, Arsinoi Bino, korrektesa dhe respektimi i nxënësit si individ i lirë e me personalitet, ndërgjegjësimi i vetëgjyqësimit, nxitën premisat e dhuntive të përgjumura e melankolike të nxënësit dibran Lutfi Hankut, ashtu si dhe të kukësianit Havzi Nela, shokut të ngushtë.Më 1952 mbaroi pedagogjiken dhe u emërua mësues në Fushë Bulqizë dhe në 7-vjeçare nate drejtor i shkollës së qytetit Bulqizë. Pas një muaji transferohet në shkollën 7-vjeçare të Kastriotit. Në Konferencën Kombëtare të Arsimit u cilësua “Mësues i dalluar”.Më 28 Nëntor 1953 krijoi familje me të bijën e “armikut të popullit”, Z. Shehu. Pas një viti shkon në 7-vjeçaren e Zerqanit dhe më 1954 Inspektor i Arsimit. Më 1960 Lutfi Hanku mbaroi Universitetin Shtetëror të Tiranës, duke plotësuar kështu ambiciet arsimore, dëshirat e pasionet e të riut për dije dhe me përkujdesjen e heshtur të pakursyer të Rrahman Hankut të paharruar – ish-Ministër i Ndërtimit.
Pedagogjikja që u shndërrua në “Universitet të Dibrës”
Porta e hapur e dashurisë së parë, – shkolla pedagogjike e priti dhe nxënësin e fillimit të saj më 1948, tani mësues. Aty gjeti Zenelin, Moisin, Ismailin dhe Shemsiun, të cilët mbaruan studimet e larta më parë.

– Mirë se erdhe Lutfi Hanku! – uroi Ismaili.
– Ikëm prej këtu nxënës dhe u kthyem mësues,-tha Zeneli, drejtor. Këta mësues, e të tjerë pas tyre pasuruan me vlera shkencore dhe rritën emrin e pedagogjikes, sa e quajtën “Universiteti i Dibrës”. Mësuesi e shkrimtari brilant nuk ndan nga vetja shokun e universitetit, Osmanin merakli në përgatitje, Shemsiun, Munirin, Oruçin, Tahirin, Semiun etj. Kujton gjallërinë e Ismailit që hynte në Këshillin Pedagogjik me xhaketën e bërë bardhë me pluhur shkumësi, lëvizjet nga pasioni para tabelës së zezë që e mbushte me ekuacione, mes qetësisë e vëmendjes së nxënësve. Fol, shkruaj dhe fshij, i futur në magjinë e numrave me plus minuse deri sa t’ua regjistronte në mëndje nxënësve. Ndodhte kur në fanatizmin e ligjit të numrave “ikte” harmonia shkencore, atëherë nervoziteti “hante” mësuesin Ismail, por ai nuk “dorëzohej”, derisa t’u pjesëtonte shpirtin human e t’ua ndante secilit mësues të ardhshëm. Atëherë nxënësit e ndjenin se rriteshin dhe dilnin nga klasa të fituar e të kalitur me vullnet si mësues. Në albumin e kujtesës së mësuesit Hanku gjelbëron emri i Nevrezit. Atë nuk mund ta fshehë mjegulla e harresës, as ta tresë mermeri i bardhë. Ajo rrezaton në jetësinë shkollore të nxënësve dhe kolegëve. Mësuesi që dikur u përjashtua nga “Pedagogjikja” pse “nxinte” punën e Partisë nxori profesorët, ministrat e artistët ardhshëm. I ndërgjegjësuar për misionin fisnik të mësuesit, Lutfiu, veç njohurive të programuara shkencore, mundohej që nxënësit të dilnin sa më të kompletuar e të pjekur, dhe me kulturë artistike. Dramat e vëna në skenë me nxënësit aktorë nga mësuesi regjisor, si “Përmbysja”, “Cuca e Maleve”, “Përmbytja e Madhe”, “Duke gdhirë viti ’45”, “Shtëpia në bulevard”, disa numra estrade dhe ansamblet në shkollën pedagogjike e bujqësore e rritën emrin dhe vlerat në konkurrimet me shkollat e mesme të Republikës si në Elbasan, Shkodër, Rrëshën, Berat, Bulqizë e Peshkopi dhe pothuajse në gjithë zonat e Dibrës gjatë pushimeve të verës, duke sjellë çmime kombëtare, medalje e dëshmi të sukseseve artistike. Profesor Luti i mban në mendje pedagogjikasit, bujqësorët e gjimnazistët, ish-nxënësit e tij: Kudusi Lama, Myqerem Tafaj, Fehmi Abdiu, Nexhmi Dumani, Qani Përtafi, Shaban Sinani, Agim Basha, Zymbyle Zeneli, Arian Kadiu, Lumturie Rexha, Enver Hysa, Lirie Rexha, Natasha Shehu, Përparim Sinani, Fiqiri Novaku, Alie Zhulali, Sali Onuzi, Alleta Martini, Kamber Farruku, Faik Xhani, Reshat Kola, Gëzim Shatku, Vangjel Petri, Latif Okshtuni, Fiqiri Duriçi, Hysen Uka, Baftjar Gazidede, Ramazan Ilnica, Bujar Pata, Bujar Shehu, Agim Shehu, Musa Riçku, Lavdrim Shehu, Syrja Stafa, Kujtim Leka, Shpresa Agolli, Defrim Methasani, Hasije Deva, Nexhmije Cani e shumë të tjerë.

Si shpëtoi mësuesi nga një “incident politik”
Kujton mësuesi edhe një datë: mëngjesin e gushtit 1967. Ai hipi shkallëve të ngushta të Degës së Punëve të Brendshme, i shoqëruar nga polici. E kishte thirrur kryetari, Zija Kambo për një “incident politik”.
Një “Tacibao” (Fletë – rrufe) fajësonte policinë pse nuk vriste qentë rrugaçë që prishnin qetësinë e qytetit. Ajo mbante firmën e mësuesit L. Hanku.
– “Ti ke fyer policinë e popullit! Policia nuk vret qen, por armiq e diversantë”,-bërtiti me ton të ashpër kryetari, sa hyri mësuesi në zyrën e tij.
– “Nuk e paskam ditur që policia nuk vraka qen”,u përgjigj mësuesi me indiferencë.”
– “Ti ke nxjerrë mllefin për pushkatimin e vjehrrit tënd.”
– “Mos më paragjykoni shoku kryetar.”
Si u qetësua pakëz, duke zhbiruar fytyrën e mësuesit, vazhdoi:
– “Ti vjen nga një familje shumë e mirë. Por e ke mbyllur rrugën e avenirit. A kishe pak femra që të krijoje familje?!”
Mësuesi u kthjellua dhe e kuptoi hallin e tij.
– “Faleminderit shoku kryetar! Me atë grua më lidhi fati. Ajo sot lindi vajzë…”.
Heshtja e kryetarit ishte e lexueshme. Por prapë e ngacmoi mësuesin:
– “Përse nuk të mbajti Universiteti?!”
– “Paragjykimi….Biografia…Telefoni…”
…Mësuesi u kthye nga materniteti. Ndjeu të qarën e vajzës së sapolindur. Një jetë tjetër i gëzoi shpirtin për herë të parë, më 20 Gusht 1967, Kozeta, pas 15-vitesh martesë me Hazbie Shehun!

Në laboratorin krijues, një arsenal veprash dinjitoze të Lutfi Hankut
Tingëllon përgjithësuese për mësuesin vlerësimi i gjeneralit Kudusi Lama në librin e shkrimtarit H. Katana, “Gjenerali i luftës”: “Lutfi Hanku, si një psikolog i mirë kuptoi se kishte të bënte me një djalë të mprehtë, me zgjuarsi të theksuar natyrale që ngacmoi këtë dhunti, duke e inkurajuar të lexonte libra, veçanërisht artistikë. Futja në botën e librave i shtoi dëshirën dhe për të shkruar”. Ky mësues mbeti i paharruar dhe “idhulli im”, -shprehet në libër gjeneral Kudusi Lama. Mësuesi e ndjeu si shpirtëzohet dashuria në vetësinë e tij për nxënësit që materializohen si emisarë të dritës. Me shpirt të ndezur krijuesi fitoi besimin e hyrjes me vullnet e guxim në botën e vështirë të letrave. Ndonëse me vonesë, ai derdhi në letra frytet e mendimit me artin e fjalës së shkruar. Mësuesi i gjuhës shqipe dhe letërsisë botoi mbi 100 shkrime, me të cilat ndjeu shijet e para të kënaqësisë së heshtur krijuese, nga skicat, tregimet, reportazhet, monografitë historiko-letrare. Këto i botoi në shtypin qendror e lokal të kohës së monizmit e të pluralizmit demokratik dhe në pesë vëllime me autorë të njohur. Njëherësh Televizioni Publik Shqiptar shfaqi tre telefilma me skenarë të shkrimtarit, si dhe krijime poetike të këngëzuara nga kompozitorë dibranë. Redaktime të shumta e parathënie botimesh dhe kritika letrare mbajnë firmën e tij. Në 3 Almanakë “Dibra” ruhen pjesë të krijimtarisë së shkrimtarit. Si studiues e hulumtues ka referuar materiale historike, letrare e artistike dhe gjuhësore. Në konkurset e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Dibrës ka fituar 5 herë çmime të para. Viti 1974 kënaqi më tej ambicien krijuese të mësuesit. Botoi librin e parë “Nëpër gjurmët e Heroit”. Pas një viti ribotoi: “Nazmi Rushiti”. Kritiku Xhezair Abazi në gazetën “Drita” nënvizonte se “Nëpër gjurmët e Heroit” zbulohet një roman i vërtetë, ku ndriçohet thelbësorja dhe shprehësja…”.Mbas disa vitesh dorëzoi veprën “Plaga e dhembjes” në shtëpinë botuese. Drejtori nuk e pranoi: “Kemi botuar mjaft nga Veriu! Nuk kemi letër”, iu përgjigj. Shkrimtari e kuptoi barrierën klasore. “Njolla në biografi” si dhëndër i “armikut të popullit, Zenel Shehu, e shoqëroi gjatë gjithë kohës së diktaturës mësuesin dhe shkrimtarin disident. Vetëm në vitin 2000 botoi librin “Kaçaku”, kushtuar Heroit të Popullit Gjokë Doçi. Shkrimtari Resul Bedo shkruan: “Kaçaku” i Lutfi Hankut është një dhuratë që prozatori i dha lexuesit për heroizmin dibran. E lexova me kënaqësi të veçantë dhe shpesh u shpreha: “Bukur! Sa bukur! Të lumtë Lutfi Hanku!”. Me triumfin e demokracisë, pas ’90-s, ka drejtuar për disa kohë gazetën lokale “Dibra”. Shumë gazeta kanë firmën e tij me artikuj letrarë, analizë veprash etj. Në “Dibra” shkrimtari Agim Hila vlerëson “Kaçakun”: Në imazhin e Heroit shkrimtari L. Hanku ka ditur të ndriçojë vijat qenësore të jetës me artin origjinal të mjeshtërisë së tij. Libri, i mbështetur në fakte dhe abstragime artistike të thith në imazhet, sa bindesh se po lexon një roman”. Në vitin 2003 pa dritën e botimit “Drita e shpirtit”, me tematikë historike dhe mistike. Në analizën e tij të botuar, analisti dhe shkrimtari Mevlud Buci nënvizon: “…vepra përbën një thesar të çmuar që rrezaton dritën e artë. Gjetjet metaforike, forca krijuese, gjuha e pasur e shpesh poetike, përdorimi mjeshtëror i fakteve, kronikat, përshkrimi i heronjve, legjendat dhe episodet e bëjnë të këndshme prozën e shkrimtarit. Atij i flet puna, dituria, brezat që mësoi dhe edukoi për jetën. Si relike gjurmëlënëse mbetet ajo më e çmuara: Fjala e artë e Lutfi Hankut!”. Në dhjetor 2006 vitrinat e librarive u zbukuruan me romanin “Erdhi Çaushi”. Përmbajtja grish lexuesin për humanizëm në emër të dashurisë, mirësisë e urtësisë. Emërtimi i veprës me metaforën “Erdhi Çaushi” sintetizon idenë e shëtitjes së heroit në univers dhe kthimin e tij me ardhjen e demokracisë, duke ndezur nga një qiri për të ndriçuar errësirën që la egërsia e natës komuniste. Para disa kohësh shkrimtari Hanku botoi dhe veprën historiko-letrare “Marsi i vrarë”, me ngjarje interesante, ku personazhi kryesor evoluon në kohë dhe hapësirë. Në fund forcat e errëta e vrasin. Për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë botoi romanin “Loti rebel” që është pritur shumë mirë nga kritika. Ky krijues, edhe pse i moshuar prodhon emocione të freskëta, me origjinalitet të këndshëm e të besueshëm që gjelbërojnë humanizëm, me mesazhe befasuese, të ndjeshme e me sens dashurie njerëzore. Si të tillë, “intelektual fisnik trim, idealist, kurajoz, objektiv, me prirje të theksuara për të vërtetën dhe idealen” e portretizon shkrimtarin L. Hanku edhe filozofi Xhelil Gjoni në veprën e tij “Personalitete të jetës sime”. Është pikërisht edhe ky arsenal veprash krijuese dinjitoze në laboratorin krijues të Lutfi Hankut, në themel të vendimeve të këshillave bashkiake respektive, duke i dhënë atij titullin “Qytetar Nderi” i bashkive Peshkopi e Bulqizë dhe ish-komunës, Fushë Bulqizë.




Sigal