Shqipëria “harrohet” nga fqinjët – Turizmi me rritje modeste për muajin maj

495
Sigal

Muaji maj ka sjellë një ngadalësim të turizmit hyrës të shtetasve të huaj në Shqipëri. Instat raporton se Shqipërinë e vizituan rreth 400 mijë shtetas të huaj. Ky numër është më i ulët krahasuar me prillin dhe në rritje të lehtë me rreth 2% krahasuar me një vit më parë.

Gjatë majit, Shqipëria ka pësuar një rënie të ndjeshme të vizitorëve, sidomos nga shtetasit e vendeve fqinje. Numri i vizitorëve nga Kosova ra me afro 19%, nga Mali i Zi me 10% dhe nga Maqedonia me 8%. Për 5 muajt e parë të vitit, numri i përgjithshëm i vizitorëve të huaj arriti në rreth 1.5 milionë, 5.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Edhe në shifrat e deritanishme vjetore ecurinë më të dobët e shfaqin vizitorët nga vendet fqinje, ndërsa në rënia krahasuar me vitin e kaluar është numri i turistëve nga Polonia dhe Anglia.

Ndërkohë, turistët nga vendet e Europës Perëndimore dhe vendet e tjera ngelen në rritje me ritme dyshifrore krahasuar me një vit më parë. Operatorët turistikë shprehen gjithnjë e më të shqetësuar për pasojat e tensioneve politike, që sipas tyre, kanë sjellë jo pak anulime të prenotimeve. Frenimi i muajit maj mund të jetë një sinjal se efektet e krizës te turizmi janë bërë më të prekshme dhe mungesa e një zgjidhjeje në horizont i bën më të zymta pritshmëritë për sezonin veror.

Nga ana tjetër, turizmi dalës i shqiptarëve jashtë vendit vazhdoi të rritet edhe për majin, me rreth 477 mijë vizita jashtë Shqipërisë. Për pesë muajt e parë të vitit, shqiptarët regjistruan 2.2 milionë dalje jashtë vendit, në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë.