Shpenzimet e fushatës çojnë euron në nivele rekord të ulëta në tregun shqiptar

476
Teksa euro në bursat ndërkombëtare ka arritur nivelet me të larta të këmbimit nga fillimi i vitit, në Shqipëri arrin rekord të ri të ulët të 9 viteve…
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha e përbashkët këmbehet sot me 134.12 lekë, duke shënuar një nivel të ri të ulët prej gati nëntë vitesh, raporton Monitor.
Ndërsa në tregun vendas, euro është zhvlerësuar ndjeshëm, në tregjet ndërkombëtare euro ka kapur nivelet më të larta të këmbimit në raport me dollarin amerikan nga shtatori i vitit të shkuar, ku sot 1EUR këmbehej me 1.13 USD.
Leku është forcuar dhe përkundrejt dollarit amerikan, duke u këmbyer sot me 119.47 lekë.
Sipas ekspertëve të tregut një ndër arsyet që po zhvlerësohet euro lidhet me faktin që shpenzimet e fushatës elektorale këtë vit kanë qenë në një pjesë të konsiderueshme në valutë, ndryshe nga vitet e mëparshme, kur ato ishin përgjithësisht në lekë. Ekspertët e agjencive valutore pohojnë se edhe posterat, apo shpenzime të tjera paguhen përgjithësisht në valutë, duke rritur ofertën në euro.
Arsye tjetër e mbi ofertës së valutës në treg, sipas ekspertëve të tregut, kanë qenë dhe investimet e kryera nga projekti TAP, si pagat, punimet në rrugët dytësore, apo shpenzimet për transportin e tubave dhe ruajtjen fizike të tyre.
Pritshmëritë, euro mund të zbresë edhe në 132 lekë
Ekspertët e tregut pohojnë që euro të vijojë të qëndrojë e dobët të paktën deri në përfundim të zgjedhjeve, për shkak të shpenzimeve në euro.
Por, edhe pas zgjedhjeve, oferta në euro pritet të jetë sërish e lartë. Kjo pasi dita e zgjedhjeve këtë vit ka përkuar me ditën e fundit të ramazanit për besimtarët myslimanë, dhe pas përfundimit të ramazanit rritet fluksi i turistëve nga Kosova, ndaj pritet që euro të arrijë përsëri nivele të ulëta në javën e fundit të qershorit dhe javën e parë të korrikut.
Në përgjithësi tregu vendas i këmbimit ndikohet nga flukset hyrëse dhe dalëse të valutës, prandaj do të reflektohen në treg prurjet valutore nga turistët.
Sipas ekspertëve parashikohet se trendi normal i euros do të jetë midis 132 lekëve (niveli më i ulët) dhe 136 lekë (niveli më i lartë). Nëse gjatë verës këmbimi i euros me lekun mund të zbresë nën 132 lekë, ka pak gjasa që euro të shkojë në nivelin e 137 lekëve.
Sigal