Shëtitore apo plazh privat përgjatë bregdetit të Vlorës?

414

ZYRA MJEDISORE: PO PUNOHET PA LEJE MJEDISORE

 

Punimet për shëtitoren e Vlorës në bregdet, kanë nisur me sherre dhe keqkuptime. Ndërsa Zyra Mjedisore i ka pezulluar punimet, puna vazhdon me ritme të shpejta gjatë natës. Ndërkohë qytetarët pyesin: Çfarë po bëhet në afërsi të “Bolonjës” në Skelë, shëtitore apo plazhi privat “Aulona”? Aludimet janë të shumta, pasi, sikurse duhet vepruar në çdo rast kur bëhet një ndërtim, bashkia nuk ka vendosur një tabelë, për të njohur komunitetin me projektin, firmën ndërtuese, financimet dhe vlerën etj.. Kjo situatë ka çuar në përplasjen e Zyrës Mjedisore, ku drejtori i saj Geron Gunbardhi, “e lan veten”, duke deklaruar për “Telegraf”, se punimet janë pa leje. Pas një interviste të mëparshme, ku kreu i kësaj zyre deklaron se po ndërtohet shëtitorja, projekt i bashkisë së qytetit, porse janë ndërprerë punimet, për shkak të ndotjes së detit në këto ditë të fundit sezonit, në ditën e sotme vë alarmin, që po punohet natën, pavarësisht nga pezullimet e herëpashershme që janë bërë zyrtarisht.

Çfarë po ndodh z. Gunbardhi, ndërsa ju shpreheni se janë ndërprerë punimet, sepse nuk ka lejë mjedisore, puna vazhdon?

Sikurse u jam shprehur edhe në intervistën e mëparshme Agjencia Rajonale e Mjedisit, zyrtarisht i ka ndërprerë punimet. Këto janë punime që po bëhen me nxitim nga ana e bashkisë së qytetit. Firma tenderuese, po punon pa lejen mjedisore dhe e gjithë puna kryhet në orët e natës. Unë nuk mund të mohoj që ky është një projekt për shëtitoren, por në procedurat për ndërtimin e saj, kërkohet edhe leje mjedisore, gjë që nuk është dhënë ende. Duke qenë se projekti është në det, puna nuk duhej të fillonte në këto ditë të sezonit turistik, sepse bën ndotje. Agjencia ka bërë akte pezullimi dhe në të vërtetë ditën nuk punohet. Kur ngrihesh në mëngjes, shikon që gjatë natës është punuar. Ne e kemi bërë detyrën tonë, institucionet e tjera heshtin, ndoshta për shkak se kemi të bëjmë me një investim publik

KOMUNITETI: PSE NUK VENDOSET TABELA?

Ashtu sikurse Agjencia Rajonale e Mjedisit edhe qytetarët kërkojnë të dinë: Përse nuk vendoset tabela, që të informojë komunitetin se çfarë është ky projekt, i kujt është investimi, cila është fatura financiare, cila është firma që po kryen punimet. Ky informacion për publikun është domosdoshmëri dhe bashkia, gjënë e parë që duhej të bënte ishte të vendoste tabelën. Sherrin e Agjencisë Rajonale të Mjedisit dhe shqetësimet e qytetarëve, bashkia e qytetit po e kalon në heshtje, ndërsa puna vazhdon me ritme të shpejta në freskinë e natës.