Rustem Peçi, Odise Porodini/ Medaljet nuk u janë dhënë dhunuesve, nuk mund të hiqen pa vendim gjykate

561
Veteranet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, janë krenaria e Shqipërisë. Çdo përpjekje për denigrimin e tyre është e destinuar të dështojë. Ka disa ditë, që jo pa qëllim, po përgojohen veteranët e LANÇ-it, duke marrë shkas nga një medalje mirënjohje që Ministria e Mbrojtjes ka akorduar vitin e kaluar në kuadrin e 70-vjetorit të çlirimit dhe duke pretenduar se ato u janë dhënë veteranëve që kanë kryer dhunë e krime, e sjellin si shembull veteranin në Shkodër. Nisur nga sa sipër, si dhe në atë trajtim të gabuar që po ndërmerret me shtrirje të gjerë edhe ndaj statusit të veteranit dhe dekoratave që u janë dhënë veteranëve të LANÇ-it, Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve deklaron sa vijon: Së pari: Medalja e mirënjohjes që u shpërnda vitin e kaluar, në kundërshtim me mendimin tonë për t’ua dhënë atë gjithë veteranëve dhe ushtarakëve aktivë dhe në rezervë, një praktikë e njohur dhe e realizuar në 60 vjetorin e çlirimit dhe në përvjetorët e tjerë dhe siç veprohet nga të gjitha shtetet që morën pjesë në Koalicionin Botëror Antifashist në Luftën e Dytë Botërore, Ministria e Mbrojtjes e shpërndau atë vetëm për një numër të veteranëve të LANÇ-it. Për sa i përket kontributit të veteranëve gjatë LANÇ-it, çka diskutohet kohët e fundit, nuk mund ta mohojë askush, sepse ai është real e historik, i njohur jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit, nga Koalicioni i madh Antifashist botëror Anglo-Sovjeto-Amerikan. Prandaj, çdo medalje apo dekoratë që u është akorduar veteranëve për kontributin që kanë dhënë gjatë LANÇ-it, nuk mund të hiqet, cilado qofshin arsyet, pa një vendim gjykate të argumentuar ligjërisht dhe individualisht. Ndryshe, do të ishte një veprim arbitrar, antiligjor, një shkelje e rëndë e Kushtetutës, ndaj të drejtave e lirive të qytetarëve. Së dyti: Statusi i veteranit, sipas ligjeve të miratuara dhe vendimeve qeveritare në zbatim të tyre, me vendim të komisionit qeveritar, u është dhënë gjithë atyre personave që me dokumente zyrtare është vërtetuar pjesëmarrja e tyre në luftë direkt me armë, ose për kontribute të tjera aktive që kanë vepruar në prapavijat e armikut. Nisur nga kjo përmbajtje, ky status i veteranit dhe medaljet e dekoratat e marra, nuk janë dhuratë e as privilegj që u është dhënë këtyre luftëtarëve, por meritë e vlerësim i kontributit të tyre në atë periudhë, sa të vështirë aq dhe të lavdishme, ku jeta ishte në fije të perit. Për këto arsye, askush nuk mund të guxojë sot të vërë në diskutim këtë status veterani dhe medaljet e dekoratat që disponojnë. Çdo përpjekje në këtë drejtim do të ishte jo vetëm i kundraligjshëm, por dhe një akt antikombëtar dhe si i tillë nuk duhet të lejohet.
Së fundi: Dhuna në çdo kohë dhe nga kushdo që mund ta ushtrojë atë është pa dyshim e dënueshme. Por dhuna nuk është e njëllojtë. Ajo ndryshon nga pasojat që sjell. Kështu, për një dhunë pa pasoja vdekjeje, nuk mund të etiketohet dhunuesi si xhelat e kriminel, kur sot është ushtruar dhunë shtetërore me pasoja tepër të rënda, duke u marrë jetën njerëzve të pafajshëm, si në Gërdec, më 21 Janar etj, dhe kur autorëve të tyre, padrejtësisht dhe në kundërshtim me kushtetutën, u akordohen dekorata të larta nga Presidenti i Republikës. Duke e fryrë tej mase ngjarjen me medaljen e mirënjohjes apo heqjen e dekoratave të tjera, madje dhe të statusit të veteranit sikurse pretendohet, arrihet në përfundimin se ky është një skenar ogurzi, i përgatitur në mënyrë të qëllimshme për të goditur, jo një e disa veteranë të LANÇ-it, por gjithë Organizatën e Veteranëve, skenar ky i hartuar nga forca të errëta që e urrejnë Luftën Antifashiste NÇ dhe luftëtarët e saj, këtë epope të lavdishme që siguroj pavarësinë e Shqipërisë të cilën gëzojmë sot. Me djallëzi e ngrenë këtë problem pinjollët kolaboracionistë për të fshehur krimet e baballarëve e të gjyshërve të tyre kundër popullit shqiptar. Në këtë skenar, për fat të keq, kanë rënë pre me/ose pa qëllim edhe disa pushtetarë të sotëm që janë votuar nga veteranët dhe pasardhësit e tyre. Pushtetarët dhe parlamentarët, nuk duhen të merren me këto pretendime të pinjollëve kolaboracionistë, kur populli shqiptar pret prej tyre, jo vetëm të marrin në mbrojtje ato vlera të mëdha të LANÇ-it, të asaj epopeje të lavdishme dhe të luftëtarëve të saj, por të merren me problemet e mëdha të jetës ekonomiko-shoqërore që ekzistojnë sot në vendin tonë. Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, deklaron në mënyrë të prerë se, çdo përpjekje që bëhet apo do të bëhet për të cenuar statusin e veteranit, dhe medaljet e dekoratat e tyre, do të reagoje në mënyrë të fuqishme, duke e konsideruar atë një atentat kundër LANÇ-it dhe Organizatës së Veteranëve në tërësi, si dhe idealet e çlirimtarëve, për të cilën ata sakrifikuan vite të tëra në ato rrebeshe të përgjakshme kundër pushtuesve nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Janë pikërisht këta të fundit dhe pinjollët e tyre, të cilët përpiqen sot të fitojnë atë, që nuk arritën dje në luftë kur bashkëpunuan me pushtuesit. Por, ata ashtu si dje në luftë edhe sot do të dështojnë me turp, jo vetëm ata, por dhe kushdo tjetër që vihet në shërbim të tyre. Ndërsa veteranët kanë qenë dhe do të mbeten në vendin e nderit, krenaria e Shqipërisë. Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare, është dhe mbetet vlerë kombëtare, tek e cila duhet të bashkohemi të gjithë pa dallim bindjesh politike. Pa Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pa qenë anëtarë të Koalicionit të Madh Antifashist Botëror Shqipëria nuk do të ekzistonte si shtet, prandaj këtë nuk duhet ta harrojë asnjë shqiptar i ndershëm që e do atdheun e vet të lirë e të pavarur.
Kryetar i Veteranëve të LANC
Sekretar i Përgjithshëm i veteranëve të LANÇ
Sigal