Rritja e çmimeve shton të varfrit

90

Abuzimi me çmimin e miellit preku zinxhir të gjitha produktet. Tregtarët: Jemi në prag falimentimi, çdo gjë merret me listë
15 -ditëshi i dytë i muajit korrik ka nisur me “revansh” përsa i përket rritjes së çmimeve të ushqimeve në të gjitha dyqanet me pakicë dhe shumicë në qytetin bregdetar. Pas rritjes së çmimit të bukës një javë më parë zinxhiri i rritjes së ushqimeve ka përfshirë të gjitha njësitë e tjera me bazë miellin e grurit. Por jashtë këtij zinxhiri nuk kanë mbetur edhe aktivitetet që shërbejnë për ushqim të shpejtë. Rritje të ndjeshme kanë pësuar edhe mishi dhe nënproduktet, sallameria dhe të gjitha asortimentet me origjinë shtazore.
Periferitë
Në periferi prej vitesh jemi të njohur me njësitë e vogla të ushqimoreve, të cilat edhe bukën e japin veresie. Por nëse periferia e qytetit bregdetar, e cila përbëhet në pjesën më të madhe prej banorëve të ardhur, në 2 dekadat e fundit, të cilët kuptohet që janë më pak të integruar në jetën sociale të qytetit dhe kësisoj përballen me probleme të mëdha ekonomike sociale, si papunësia dhe të ardhura të pakta ekonomike, të cilat si rezultat kanë gjeneruar këtë fenomen të mprehtë, fenomeni i varfërisë ka përfshirë edhe qendrën e qytetit. Markete dhe minimarkete, të cilët tregtojnë mallra ushqimore me pakicë dhe shumicë po përballen me kërkesat gjithmonë e në rritje të qytetarëve për ushqime veresie. Pikërisht këtu në zemër të qytetit bregdetar të Durrësit, fletoret e veresieve janë mbushur me lista dhe njerëz që para se t’i drejtohen dyqanit mendohen shume herë, madje edhe për të blerë bukë.
Tregtarët
“Njerëzit nuk kanë para, madje edhe bukën e shënojnë me listë, në fund të muajit kur të marrin paga, apo i gjejnë borxh, i sjellin, por ka edhe nga ata, që prej muajsh nuk i kanë sjellë paratë e marra për ushqime veresie. Është një situatë shumë e rëndë, por janë klientë që njihemi prej vitesh, madje njohim edhe familjet e tyre. Nëse nuk do të japim veresie, ata do t’i drejtohen një dyqani tjetër. Ne jemi duke falimentuar, por jemi të detyruar të mbajmë dyqanin hapur, se s’ka asnjë alternativë tjerët”, pohon një tregtar i një ushqimoreje në lagjen Numër 11.

Borxhet
“Lista e borxheve këtu tek unë i ka kaluar me miliona lekë, nuk kanë të paguajnë e kjo situatë po rëndohet edhe më shumë nga dita në ditë. Në fund të muajit kur marrin pagën vijnë edhe i shlyejnë paratë që shënojnë në listë, por kam edhe klientë, të cilët kanë muaj e muaj pa i shlyer borxhet”, shprehet A.M, një tjetër tregtar pronar i një marketi në lagjen Numër 12.

Veresie
“Asnjërit si jap më veresie edhe kështu si dilet më. Nuk e di kur do të mi kthejnë borxhet sepse u bënë muaj që zënë njëri-tjetrin blloqet e veresive. As dyqanin nuk mund ta mbyll dot sepse edhe unë në pikat e shumicës po kështu operoj. I kam marrë pa likuidim. Këta i marrin tek unë, e nuk i dihet si do t’i vejë halli më tej”, kështu thotë një prej tregtarëve që prej vitesh ka një dyqan ushqimor.