Rikthehen reshjet dhe përmbytjet masive, situata drejt katastrofës

151

Lulzim Basha: Qeveria e papërgatitur, të shpallë emergjencën!

Shumë i ashpër ka qenë lideri i opozitës Lulëzim Basha pas takimit me banorët e përmbytur në Vlorë, ku ka akuzuar qeverinë Rama-Meta për mefshtësi përballë kësaj situate kritike.Këto zona janë në fakt në gjendjen e emergjencës kritike, pavarësisht se kryeministri, për t’u ikur përgjegjësive nuk e ka njohur dhe nuk e ka shpallur gjendjen e emergjencës deri në këtë moment. Banorët e këtyre zonave janë në alarm të madh, në një të keqe të madhe që i ka zënë…Kjo është qeveria e shpërfilljes arrogante të halleve, fatkeqësive, brengave dhe nevojave më jetike të njerëzve – këtë e dimë. E kemi parë e denoncuar me dhjetëra herë qëkurse Rama-Meta kanë ardhur në pushtet. Ja kërkesat e Kryetari të Partisë Demokratike drejtuar qeverisë:

-Të shpallë gjendjen e emergjencës.

-T’i futen punës, të organizojnë me plane konkrete mbështetjen e banorëve të zonave të përmbytura, lehtësimin e gjendjes së tyre, plotësimin e nevojave të tyre të domosdoshme.

-Të informohet media dhe publiku në mënyrë zyrtare, në çdo orë të ditës, për gjendjen dhe zhvillimet në zonat e goditura.

-Të përllogariten në vijimësi humbjet dhe të vendoset kompensimi i tyre konform ligjeve të vendit.

-Të marrin masa pa humbur kohë për të evituar përmbytjet dhe fatkeqësitë e evitueshme në zonat e tjera të vendit që mund të goditen në ditët në vijim nga reshjet dhe moti i keq.

-Të rishikohet buxheti i shtetit më qëllim alokimin dhe rritjen e fondeve për bujqësinë dhe mbrojtjen nga përmbytjet dhe moti i keq, duke hequr dorë nga investimet dhe shpenzimet e luksit dhe korrupsionit qeveritar.

Përmbytjet, Rama: Vlerësim ndihmave të PD, neveri propagandës!

 Kryeministri Edi Rama reagoi pas deklaratave që lideri i opozitës Basha dha nga Fieri se qeveria ka braktisur banorët. Përmes dy statuseve në rrjetet sociale Rama u shpreh se ndjen neveri për propagandën boshe të opozitës kundër qeverisë. Ndërsa përshëndeti ndihmat simbolike që PD i ka dhënë te prekurve nga përmbytjet në jug të vendit, kryeministri Rama tha se çdo strukturë e shtetit është në këmbë pranë njerëzve në nevojë. Përshëndetje për çdo ndihmë simbolike që PD po jep para kamerave dhe neveri për vazhdimin e avazit vulgar të propagandës boshe antiqeveritare. Çdo strukturë përgjegjëse e shtetit është pranë njerëzve në nevojë për ndihmë dhe qeveria nuk është më trupa e cirkut të vjetër me përmbytjet”, shkruan Rama ne Facebook.

Ndërkohë, vizita dhe takimet e Ramës një ditë më parë me banorët e zonave të përmbytura në Jug të vendit, janë shoqëruar dje me prezencën e ministrave, deputetëve të zonave dhe strukturave të emergjencës pranë në përballimin e situatës së rënduar. Njëkohësisht, sipas burimeve pranë qeverisë, po mbahet nën vëzhgim dhe po merren masa paraprake dhe në zonat veriore të vendit, ku situate mund të përkeqësohet. Gjithashtu, sipas të njëjtit burim, po mbahen nën kontroll dhe prurjet në hidrocentrale.

Qindra familje të evakuara dhe të pastreha, qindra hektarë tokë nën ujë, e qindra bagëti të mbytura. Strukturat shtetërore të papërgatitura. Afrohet ndihmë nga Kosova. Banorët:Ndjehemi të braktisur

Jugu i vendit vazhdon të jetë nën ‘pushtetin e përmbytjeve masive’, ndërkohë që sipas meteorologëve, kjo situatë mund të përkeqësohet pasi dhe 5 ditët e ardhshme parashikohet që të vazhdojnë reshjet e pandërprera. Njëkohësisht, në orët e vona të ditës së djeshme, u njoftua se për shkak të reshjeve, dhe në disa zona të veriut, situata vjen drejt përkeqësimit. Zyrtarisht, qeveria e pranon se ‘më e keqja nuk ka kaluar’ ndërkohë, pasditen e së mërkurës, kryeministri i Kosovës ka afruar gatishmërinë e forcave ushtarake për të ndihmuar në zonat e përmbytura të vendit tonë. Kjo situatë kritike, me humbje e dëme të mëdha në shkatërrime banesash, ngordhje bagëtish, dëmtime në kulturat bujqësore, qindra hektarë tokë nën ujë, mungesën e energjisë elektrike, është shoqëruar me akuza të ndërsjellta të dy krahëve të politikës, ku maxhoranca thotë se ‘jemi në këmbë për të minimizuar pasojat’, ndërsa opozita akuzon se ‘banorët janë lënë në mëshirën e fatit dhe qeveria duhet të shpallë situatën emergjente…’.

SITUATA E FUNDIT

‘Më e keqja nuk ka kaluar edhe pas katër ditë përmbytjesh, pasi dhe ditët në vijim sipas meteorologëve do të ketë reshje shiu”. Kështu është publikuar nga zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme në orët e vona të pasdites së djeshme. Sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme bilanci i përmbytjeve deri më tani deri më tani është 17 mijë hektarë tokë bujqësore nën ujë, 5 mijë hektarë mbi të cilat ka dhe banesa janë gjithashtu nën ujë. Nga përmbytjet 600 familje të evakuara, e ndërsa pjesa më e madhe e tyre është strehuar tek fqinjët apo të afërmit. Sipas Ministrisë së Brendshme janë shpërndarë 2600 pako ushqime si dhe janë angazhuar 2100 forca në terren. Përballë agravimit të situatës deh akuzave të opozitës lidhur me vonesën për parandalim e minimizim të pasojave, komunikata zyrtare e djeshme sqaron: “Më datë 29 janar është ngritur shtabi i emergjencës civile. Janë udhëzuar të gjitha shtabet që të njoftonin banorët. Janë bërë njoftime nëpërmjet inspektorëve rajonal, medieve etj. Por një pjesë e tyre nuk ka pranuar të largohen edhe pas thirrjeve të përsëritura të autoriteteve. Më pas kur banorët nuk kanë pranuar të lëviznin, është bërë largimi i tyre i detyruar”. Mësohet se situate më kritike është në Novoselë të Vlorës. Sipas përllogaritjeve të deritanishme paraprake të strukturave shtetërore, mbi 600 banesa u prekën nga dalja nga shtrati e Vjosës, ndërsa 80 familje u përmbysën totalisht duke u vënë nën pushtetin e ujit. Po ashtu, llogaritet që në Novoselë të jenë 5600 hektarë tokë të përmbytura, 3500 hektarë prej të cilave ende nën ujë. Në total në komunën e Novoselës janë evakuuar 110 familje, ndërsa 602 të tjera janë të evidentuara me dëme të shumta. Rreth 70 % e bizneseve të zonës janë dëmtuar.

DJE, ORË PAS ORE
Ora 09:30. Përmbytet nënstacioni elektrik, Selenica pa energji dhe pa ujë. Në këto kushte, Selenica ka mbetur pa energji elektrike dhe pa ujë të pijshëm, për shkak të mungesës së energjisë edhe në pompat e ujit.

Ora 09:40. Dëmtohet rruga, Tepelenë-Kurvelesh e bllokuar
Rruga Tepelenë-Kurvelesh është e pakalueshme për automjetet si pasojë e rënies së bazamentit të rrugës që të çon në fshatrat Musmadhe

Ora 09:46. Argjinatura e Selevecit e dëmtuar, rrezikon shembjen
Argjinatura e Selevecit, 6 kilometra e gjatë ka pësuar çarje si pasojë e prurjeve masive të Vjosës, dhe rrezikon shembjen. Janë hapur 4 porta të argjinaturës.

Ora 10:30. Forcat e ushtrisë në terren, shpërndajnë ushqime
Ekipit e shpëtimit në terren kanë nisur edhe gjatë kësaj dite shpërndarjen e ndihmave, kryesisht në ushqime dhe ujë. Forcat e ushtrisë ndodhen në fshatin Fitore të komunës së Novoselës ku ka ende familje të cilat janë të rrethuara nga uji.

ora 11:00. Reshje intensive në Gjirokastër, bllokohen 4 fshatra në Kurvelesh. Në Gjirokastër shiu i rrëmbyeshëm ka nisur prej orës 07:00 të mëngjesit. Kjo situatë ka bërë që rrjedha e lumit të arrijë deri në afërsi të rrugës Gjirokastër-Tepelenë. Situata është përkeqësuar në komunën e Kurveleshit, ku katër fshatra janë bllokuar 4 fshatra si pasojë e rrëshqitjes së dherave në rrugë.
Në zonat malore të rrethit të Gjirokastrës, kryesisht në Zagori ka reshje dëbore me trashësi gati në 5 centimetra, sipas kreut të kësaj komune.
Ora 11:10. Reshjet e dëborës bllokojnë fshatrat në rrethin e Skraparit. Dëbora e rënë në rrethin e Skraparit ka bllokuar disa fshatra. Në fshatrat Dobrush, Përparim, Novaj, Gjerbes, Qafa e Dervisë, Potom, trashësia e dëborës arrin në rreth 40 centimetra. Reshjet e borës vazhdojnë edhe në zonën Tomor i Vogël, Tomor i Madh. Ndërkohë, uji i pijshëm është turbulluar si pasojë e reshjeve, duke u kthyer në të pakonsumueshëm.

Ora 13:00. Në njoftimin zyrtar të ministrisë së Punëve të Brendshme paraqitet situata e reshjeve dhe rrugëve në të gjitha qarqet e vendit. “Në fshatin Darzezë janë evakuuar të gjithë banorët të cilët ishin ende të strehuar në banesat e tyre. Hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë dhe niveli i lumenjëve Vjosa, Semani dhe Gjanica janë në shtratin normal të tyre. Po bëhen evidentimet të familjeve të prekura nga përmbytja”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Ora 18:00. Reshjet vazhdojnë pothuaj në gjithë Jugun e vendit dhe situate vjen duke u rënduar. Qindra familje janë në natyrë ose janë strehuar tek të afërmit. Vështirësohet ndihma e emergjencës dhe strukturave të tjera shtetërore të angazhuara në zona.

MUNGESA E ENERGJISË

Burime për ‘Telegraf’ shtojnë se gjatë ditës së djeshme, shumica e Jugut të vendit, ka qenë e vazhdon të jetë në errësirë, për shkak të dëmtimeve të linjave elektrike dhe nënstacioneve. ‘Ka pasur probleme në n/stacionin Xhuherinë, për shkak të djegies së transformatorit, duke lënë pa energji elektrike komunat Llakatund dhe Qendër, në rrethin e Vlorës. Defekt ka pasur edhe në linjën Babicë-Smokthinë-Kuç-Himarë, duke lënë pa energji komunat Brataj, Vranisht, fshatrat Dhërmi, Livadhe, Jalë dhe Qeparo…Problem mbetet në rajonin Vlorë stacioni i pompimit i Ujësjellësit Selenicë (aset i vet ujësjellësit)… Në komunën Dermenas (Hoxharë) të rrethit Fier një kabinë është jashtë pune nga përmbytjet.

Gjithashtu, si pasojë e reshjeve të dendura të borës në zonën e Juglindjes, janë këputur përcjellësa dhe janë rrëzuar shtylla të disa linjave të cilat kanë shkaktuar dhe problem me furnizimin me energji elektrike… Në zonën e Gjirokastrës janë pa energji elektrike fshatrat Krinë, Tranushishtë dhe Saraqishtë, për shkak të defekteve në linjat e tensionit të ulët…’-shtojnë burimet e mësipërme.

PËRTEJ STATISTIKAVE ZYRTARE

Burime praën zonave të përmbytura, shtojnë se situate është më alarmante nga ajo që konfirmohet zyrtarisht. Sipas tyre, sipërfaqja nën ujë, numri i banesave të përmbytura, numri i bagëtive të mbytura, është disa herë më i madh se ai që deklarohet, ndërsa strukturat e emergjencës dhe të tjera të angazhuar në ndihmë, sikur janë të çorganizuara dhe u gjetën të papërgatitura. ‘Thuhet që janë 600 familje të evakuara, por në fakt janë shumë më tepër se sa kaq. Vetëm në komunën tonë janë evakuar rreth 100 familje. Përmenden ata që ka evakuar ushtria, po qindra familje të braktisura që ikën vetë kur po mbyteshin bashkë me gjënë e gjallë në banesat e tyre. Ka mungesë ushqimi, nuk ka ujë të pijshëm dhe shumë nuk kanë ku fusin kokën. Vetëm mua më janë mbytur 3 lopë e 8 kokë bagëti. Nuk po bëj fjalë këtu për shtëpinë që noton në ujë e janë shkatërruar gjithçka kisha. Nuk di si do të shkojë fati jonë’= shton për ‘Telegraf’ N. Muçaji, 61 vjeç.

Shërbimi i Meteorologjisë: Shi e borë dhe 5 ditët e ardhshme!

 Nga kjo e mërkurë e deri në fundjava në territorin shqiptar do të ketë sërish reshje shiu, por ato do të jenë në intensitet të ulët krahasim me reshjet e 1 shkurtit të cilat sollën si pasojë përmbytjet. “Intensiteti i reshjeve që u regjistrua ne ditët e fundit të janarit dhe ditët e fundit të shkurtit, nuk do regjistrohen më pasi ishte një intensitet i lartë, tashmë deri në fund të kësaj jave ne nuk presim reshje të atij intensiteti.”- Pohohet nga ky shërbim.

Përmbytjet, Presidenti Bujar Nishani, sot në Vlorë e Fier

Pas Edi Ramës, ministrave, deputetëve e kreut të opozitës Lulzim Basha, sot pritet të udhëtojë drejt Vlorës për të parë situatën në vend dhe President i Republikës Bujar Nishani. Kjo mësohet në një njoftim zyrtar që ka dal dje nga Presidenca. Sipas këtij njoftimi, Presidenti Nishani do të vizitoj e ndjekë nga afër situatën e rënduar në dy rrethet më të prekura nga përmbytjet, përkatësisht në Vlorë dhe në Fier. Presidenti dhe grupi që e do e shoqërojë, pritet që të takojnë banorët e dëmtuar nga përmbytjet, strukturat vendore dhe ato të emergjencës, duke sugjeruar masat më emergjente për mbajtjen e situatës nën kontroll, me synim evitimin e pasojave të rënda.

 Kryeministri Isa Mustafa: Kosova  e gatshme të ndihmojë Shqipërinë

 Kosova është e gatshme të angazhojë forcat e saj ushtarake për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë në kalimin e situatës së vështirë pas përmbytjeve në jug të vendit. Lajmi është bërë i ditur kryeministria e Kosovës, pas një bisede telefonike mes kryeministrave Isa Mustafa dhe Edi Rama. “Kryeministri Mustafa, i premtoi kryeministrit Rama se Qeveria e Republikës së Kosovës do të dërgojë kontingjente të njësiteve të specializuara të FSK-së, për të larguar ujin në zonat ku është e nevojshme. Në këtë bisedë, gjithashtu u shpreh gatishmëria e dyanshme, që në suaza të bashkëpunimit të dy qeverive, të kontribuohet maksimalisht në evitimin e pasojave që vijnë nga fatkeqësitë e natyrës”,-thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim të kryeministrit.

 Panariti bankave: Të pezullohen kreditë për fermerët e përmbytur

Ministri Edmond Panariti, dje pasdite, në një letër zyrtare drejtuar Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë në vend ka kërkuar që të pezullohen pagesat e kësteve të kredive për bizneset agro-ushqimore dhe për fermerët e prekur nga përmbytjet. “Kërkoj ndihmesën Tuaj për të pezulluar pagesat e kësteve të kredive dhe të heqjes të penaliteteve, për vonesat, me qëllim që fermerët privat të kenë mundësi për ëe përballuar këtë vështirësi, ose nga ana Juaj të merren në shqyrtim, rishikimin e kushteve të kredisë. Qeveria Shqiptare për përballimin e kësaj situate I ka kërkuar ndihmë edhe vendeve të Bashkimit Europian, me qëllim që të ndihmohen fermerët e dëmtuar, dhe të përballohet situata e krijuar. Kjo është e vetmja mënyrë për ti ardhur në ndihmë fermerëve dhe bizneseve të dëmtuara’-Shkruan Panariti .

Avokati i Popullit Igli Totozani: Solidaritet për të përmbyturit!

Avokati i Popullit Igli Totozani, i bën thirrje organizatave të shoqërisë civile dhe gjithë qytetarëve të solidarizohen me banorët e përmbytur duke dhënë çdo kontribut që kanë mundësi. Në deklaratën për mediet, theksohet se një ndihmë sado e vogël nga secili prej nesh është një ndihmë e madhe për këta banorë. “Prej ditësh institucioni i Avokatit të Popullit po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në Jug të vendit për shkak të përmbytjeve nga reshjet e dendura të shiut. Sot z. Totozani bashkë me një grup ekspertesh është nisur drejt jugut te Shqipërisë për të parë nga afër situatën dhe gjendjen e familjeve të dëmtuara Institucioni i Avokatit të Popullit mbështet punën e institucioneve shtetërore dhe fton të gjithë qytetarët që të ndjekin këshillat e dhëna nga autoritetet. Ne nxisim gjithashtu të gjithë qytetarët të jenë solidarë me njëri- tjetrin dhe ju bëjmë thirrje organizatave te shoqërisë civile të kontribuojnë me mundësitë që ata disponojnë për lehtësimin e gjendjes së krijuar. Bashkëpunimi dhe solidariteti ndihmojnë menaxhimin me sa më pak dëme të situatës së rëndë të krijuar”-thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit, Igli Totozani. Ndërkohë, vetë Totozani ka qenë dje vetë pranë banmorë2ve të përmbytur. Fillimisht ai ka qenë në Berat ku ka parë situatën nga afër dhe ka dëgjuar banorët për shqetësimin e gjendjen në të cilën ndodhen. Më pas, Totozani ka udhëtuar drejt Vlorë ku ka kontaktuar me banorët në Blinisht e Fitore, ndërsa sot axhenda e tij do të vazhdoj në të tjera zona të përmbytura të Vlorës.