Reforma territoriale në Kuvend Fino: Gati të punojmë me PD-në

54

Komisioni i posaçëm për reformën territotriale është mbledhur një ditë pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të projektit për ndarjen e re administrativo-territoriale.  Kryetari i këtij komisioni Bashkim Fino theksoi se çdo deputet do të ketë dijeni për draftin. Ministri i Pushtetit Vendor Bledi Çuçi ishte i pranishëm në komision ku njohu të gjithë anëtarët me vendimin për t’u shprehur pro reformes me 61 bashki. “Kam rezerva për fshatin Vangalat i cili ka minoritet 100 përqind dhe bashkimi në bashkinë e Konispolit mund të sjelle probleme”, ka thënë Çuçi. Debate ka pasur edhe mes deputetit socialist Andrea Marto dhe kryetarit të komisionit Bashkim Fino.  Deputeti Andrea Marto-Finos: “Më keni paragjykuar për Konispolin”. Bashkim Fino-Martos: “Ju kërkoj ndjesë nëse jeni fyer”. “Reforma nuk duhej të degjeneronte vetëm në shkëputjen e disa fshatrave. Ne kishim kriterin bazë mos ndryshimin e kufijve kriter që u thye, kjo njollos reformën. Une do votoj kundër nëse nuk i qëndrojmë kritereve që kemi vendosur”, ka thënë deputeti iAndrea Marto. “Nuk është qëllim në vetvete numri, unë personalisht e doja të ishte 35 bashki. Unë nuk kam shkelur asnjë kriter”, ka thënë Bashkim Fino.  Ai gjithashtu ka thënë se “jemi gati të punojmë për një hartë të re me PD”. “Kjo reformë duhet të bëhet në radhë të parë në dakordësinë e dy forcave të mëdha politike. Ajo që pamë ishte vullneti i mirë që në zonën e jugut të Shqipërisë të krijohej një mega njësi e re administrative ku grupoheshin për herë të parë njësitë me shumicë minoritare. Janë marrë dy komuna nga Delvina, dy nga Saranda dhe disa poshtë dhe janë bashkuar bashkë për të bërë një njësi të re administrative me shumicë minoritare. Do bënim mirë të mos ekzistonte që njësia administrative të mos bazohet mbi etninë. Por ne nuk jemi kundër, por megjithëse ne jemi vrarë, jemi prerë, jemi përzënë dhe nuk jemi këtu për të bërë me të njëjtën monedhë. Tani na del problemi i tre fshatrave. Ne kemi dorëzuar peticionin e Pandelejmonit dhe Sopikut. Nëse bëhet fjalë për Vagalatin dhe Vagalati na prishka gjithë historinë ne e japim konsensusin dhe për Vagalatin, por jo për Pandelejmoni dhe Sopiku”, ka thënë kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi. “Unë mendoj që duke qenë në fundin e një procesi të gjatë dhe të vështirë, unë mendoj se duhet të vazhdojmë të ruajmë thelbin. Përpara kemi një produkt që na bie 61 njësi, i vetmi rast ku nuk teprohet fjala historike. Sa i takon emocionaliteteve unë nuk dua ti komentoj sepse të tilla ka pasur ka dhe do të ketë. Por kjo gjë e madhe është shumë me e rëndësishme se sa interesat e tjera. Është shumë pozitive që kemi treguar vullnet të mirë dhe durim për të pritur opozitën. Është shumë i mirëpritur edhe zoti Idrizi që u bë pjesë e komisionit. Unë distancohem nga interpretimet politike. Ne kemi ardhur të bëjmë një Shqipëri që jeton më mirë, administrohet më mirë. Hapësirat për diskutim politik nuk janë tagër i këtij komisioni. Për mua komisioni ka kryer punën në mënyrë të shkëlqyer”, ka thënë Petrit Vasili. Drafti i ndarjes së re administrative pritet të miratohet më 31 korrik ne Kuvend, në seancën e fundit parlamentare të këtij sesioni.