KOMENT/ Më shumë se ç’tha Profesor Tupja për rrokullisjen e transmetimeve të ndeshjeve në Brazil
Evenimenti më i madh i futbollit botëror, Botërori “Brazil 2014” ka 10 ditë që i mbylli 64 ndeshjet e tij, duke nxjerrë si “Mbretëreshë” Gjermaninë e cila e meritoi këtë kurorë. Për 32 ditë kalendarike e në 24 ditë ndeshjeje, dy ekrane gumëzhinë me ndeshjet që transmetuan, për t’ia u sjellë më pranë emocionet e këtij Botërori, jo vetëm shikuesve të tyre. Por, edhe pse ky event u ndoq nga miliona shqiptarë në ekranet televizive këtu në Shqipëri, nuk mund ti shpëtojë këndvështrimeve të ndryshme të specialistëve të ekranit, të njerëzve që dinë diçka nga përvoja për transmetimin e një Botërori futbolli, apo edhe të atyre personaliteteve që shohin më lart e më larg se ata që u “rrokullisën” në ekrane bashkë me shefat e tyre. Kjo është më se normale dhe kësisoj, duke u përqendruar vetëm te TVSH-ja, ekrani që sponsorizohet nga taksapaguesit shqiptarë, le të themi se prej andej u panë edhe elementë të ekranit të cunguar në maksimumin e injorancës që pollën emisionet e shumta me dhe pa kuptim, transmetime dhe emisione më shumë të “marinuar” me shalë e gjokse femrash të paditura për aktualitetin e historinë e futbollit botëror. Kësisoj, duke shtuar edhe të ftuarit e shumtë shpesh pa identitet profesional, njëherësh edhe ata trupa të shëndoshë e pa lezet për të dalë në ekran, me zërat e tyre të padëgjueshëm edhe për biseda të lira, emisionet në TVSH i ngjasonin më shumë një emisioni shëndetësor: “Trupi dhe shëndeti”. Dhe këto ditë, duke lexuar Letrën e Hapur të Profesor Edmond Tupja “Botërori dhe shqipja”, si profesionist i fushës prej 30 vitesh, ndjehem i detyruar të them se rreshta të tillë janë vlerë jo vetëm për gjuhën tonë shqipe, por edhe për ata gazetarë e komentatorë që e shkelën këtë gjuhë me gjithfarë fjalësh e shprehje, dhe jo vetëm në transmetimin e ndeshjeve. Ajo çka parashtron zoti Tupja është një këmbanë alarmi e cila ka kohë që bie, por vetëm këtë herë u dëgjua publikisht. Në fakt, në gazetën “Telegraf” disa ditë para fillimit të “Botërorit 2014” u botua komenti me titull: “RTSH-ja i jep shah Qeverisë, kur vetë është në pozicion mat-i”, i cili i referohej ndryshimeve që kishte bërë personi që i adresohet Letra e Hapur e Zotit Tupja, drejtori i RTSH-së, bashkë me kompaninë e tij brenda këtij institucioni. Por, nisur nga përmbajtja e kësaj letre, duket se është paralajmëruar një amulli televizive jo vetëm në përdorimin e gjuhës shqipe, por edhe në emisionet e shumta që u transmetuan, të kota dhe pa ide. Ndërsa sot, kur lexojmë “Botërori dhe shqipja”, së pari le të themi se doli një burrë me mënd që ta thotë troç se këta që drejtuan TVSH-në para e gjatë Botërorit janë masakruesit e fjalës së folur në ekran, njëherësh edhe rrënuesit e tempullit shtetëror mediatik. Dhuna dhe amullia gazetareske që u krijua në TVSH për Botërorin “Brazil 2014”, më shumë tregoi pasqyrën e punës 9-vjeçare të drejtuar nga kjo shpurë, të cilët nga viti në vit bënë marketing për veten e tyre, duke u marrë me prezantimin e a-profesionalizmit dhe a-moralit profesional, duke bërë politika individësh jo në interes të taksapaguesve që këtë institucion e mbajnë në këmbë. Dhunimi i shqipes, minimalisht kërkon një ndjesë publike nga këta drejtuesë e gazetarë në ikje, të cilët e kanë të përcaktuar rrugën e tyre, për vetë “dossierin” që i lanë si suvenir këtij institucioni mediatik shtetëror. Nga ana tjetër, katrahura me Botërorin në transmetimin e ndeshjeve dhe në emisionet bajate që u dhanë, treguan se ky fund i tyre do të jetë një rilindje e RTSH-së, sot e kapur nga segmente të politikës së ndëshkuar nga shqiptarët. Në RTSH kanë punuar me dhjetëra e qindra personalitete të ekranit, të tillë edhe në sport, por që në 9 vitet e fundit, e kryesisht në Botëror, ata nuk u përfillën nga kjo pjesë e gazetarisë që e uli në gjysmë shtizë dinjitetin profesional të këtij tempulli mediatik shtetëror. Për të thënë troç të vërtetat e shumta, ka edhe më shumë se kaq, ku kolegë brenda këtij televizioni me kurajë e kulturë profesionale kanë guxuar ti shprehin edhe publikisht, por këto paragrafë kurajozë sot nuk duhet të bien në veshë të shurdhër. Ndryshe, mund të quhesh bashkëpunëtor i këtij rrënimi në RTSH dhe i atij dhunimi që ju bë paraqitjes së Botërorit “Brazil 2014” në TVSH. Në mirëkuptim me lexuesin e gazetës “Telegraf”, do të thosha se nuk ka asgjë personale në këto radhë profesionalisht të sinqerta.
Vllaznia, të enjten nis epoka “Gea Sport”
Vllaznia do të nisë të enjten seancën e parë stërvitore nën drejtimin e trajnerit italian, Baldo Raineri, i emëruar nga kompania zvicerane “Gea Sport”, që tani ka marrë administrimin e klubit shkodran . Në stërvitje do të marrin pjesë lojtarët që janë nën kontratë dhe ata që kanë rënë parimisht dakord për të qëndruar në Shkodër edhe sezonin e ardhshëm. Pas kompletimit të grupit skuadra pritet të niset menjëherë për fazën përgatitore në Ohër të Maqedonisë. Por, jo gjithçka duket se shkon mirë te Vllaznia. Kështu, zëvendëspresidenti i Vllaznisë Isuf Isufi dhe administratori Ardian Grabova dolën një një konfrencë për shtyp ku shpjeguan situatën ku ndodhet klubi shkodran pas kalimit të tij në administrimin e kompanisë “Gea Sport”. Sipas dy drejtuesve të rinj të Vllaznisë kanë nisur bisedimet me lojtarët për rinovimin e kontratave, ndërsa detyrimet e prapambetura nuk merren përsipër të shlyhen nga presidenca e re. Isufi paralajmëroi se kontratat e reja do të përpilohen në bazë të kontributit që kanë dhënë futbollistët sezonin që lamë pas. “Kemi biseduar edhe me Admir Grimën për çështjen e kontratatve. Ka lojtarë që përfitojnë rroga të majme por që nuk kanë luajtur, kështu që kontratat e reja do të përpilohen në bazë të kontributit të tyre”. Përsa i përket ndërhyrjes në merkato, Grabova shpjegoi:“Ne do të nisim grumbullimin me lojtarët që kemi nën kontratë më pas do të vijnë përforcime të reja në çdo repart”. Sipas Grabovës, priten të afrohen gjashtë lojtarë të huaj, të cilët janë pjesë e Parmës dhe Xhenoas, klubeve italiane të Serisë A, por në planet e klubit shkodran janë dhe lojtarë nga Kosova.
Juventusi, sondazh për Shkodran Mustafin
Juventusi është fort i interesuar për të bëri të tijin mbrojtësin shqiptar, Shkodran Mustafi. Lojtari, aktualisht në radhët e Sampdorias, fitoi Kampionatin Botëror me Gjermaninë, duke bërë një paraqitje të pëlqyeshme për aq sa luajti deri në dëmtimin gjatë ndeshjes kundër Algjerisë. Klubi kampion i Italisë ka hapur një sondazh në faqën zyrtare të tij në internet, për të parë edhe mendimin e tifozëve në lidhje me blerjen e Shkodran Mustafit.
Iku nga Partizani, Zhdrella firmos për Prishtinën
Mentor Zhdrella është zyrtarisht futbollist i Prishtinës, të paktën kështu konfirmon vetë klubi i kryeqytetit të Kosovës, që ka nënshkruar për një vit me 26-vjeçarin. Zhdrella ishte kthyer prej disa ditësh në Prishtinë pasi ishte larguar krejt papritur nga Partizani me pretekstin se nuk mund të qëndronte larg familjes, edhe pse kishte nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me 15 herë kampionët e Shqipërisë.